Pentagoni ka thënë se presidenti amerikan, Donald Trump ka urdhëruar ushtrinë amerikane që t’i ndihmojë shtetit afrikan, Mozambik, i cili është shkatërruar nga një ciklon që ka përfshirë këtë vend rreth një javë më parë.
Në një deklaratë të lëshuar më 24 mars, Komanda amerikane në Afrikë ka thënë se ky hap vjen pas një kërkese qeveritare të Mozambikut për t’i ndihmuar këtij shteti që kërkon asistencë pas dëmeve të mëdha të shkaktuara nga cikloni.
Pentagoni ka thënë se kjo Komandë ofron shumë shpesh ndihmë, sidomos në raste të katastrofave natyrore.
Ushtria amerikane, e cila ka thënë se do të ofrojë rreth 6.5 milionë dollarë në ndihmë humanitare, për të ofruar ndihmë logjistikë në 10 ditët e ardhshme, ka njoftuar se ndihmat e parë në këtë shtet veçse kanë nisur.
“Shkalla e logjistikës përfshin ndihmesë për transportin ajror të ndihmave dhe personel të palës së tretë”, është thënë në një deklaratë të Pentagonit.
Të paktën 446 persona kanë vdekur në Mozambik si pasojë e ciklonit Idai, i cili ka shkaktuar dëme të mëdha edhe në Zimbabve dhe Malavi.