Parisi dhe Berlini afrohen. Të hënën (25.03.) në kryeqytetin francez u mblodh për herë të parë Asambleja Parlamentare Gjermano-Franceze. Deputetët mund t’i nxitin qeveritë.

Asamble Parlamentare ka shumë. Ky koncept është i zakonshëm, kur mblidhen në një organizatë parlamente të shteteve të ndryshme. Shembulli më i njohur është Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, ku bëjnë pjesë si përfaqësues të parlamenteve nacionale të kontinentit evropian gjithsej 318 deputetë. Por formati i ri gjermano-francez do të punojë më konkretisht dhe të jetë më i drejtpërdrejtë në deklaratat e tij.

Macroni nxit

Kemi të bëjmë me një rezultat të zbatuar me shpejtësi të traktatit të miqësisë, marrëveshje të cilën kancelarja Angela Merkel dhe presidenti Emmanuel Macron e nënshkruan në 22 janar të këtij viti në Ahen. 16 muaj më parë, Macroni e pati propopozuar Asamblenë e përbashkët Parlamentare në një fjalim të madh për Evropën në Sorbonne të Parisit. Javët e fundit, të dyja parlamentet morën vendimin për institucionin e ri, fillimisht Asambleja Nacionale Franceze dhe pastaj Bundestagu Gjerman.

Politikani socialdemokrat Nils Schmid e quajti Marrëveshjen parlamentare “unikale në llojin e saj”, politikania e kulturës e CDU-së, Elisabeth Motschmann flet për një “moment historik”, për “ta konsoliduar bashkëpunimin e të dyja vendeve në sa më shumë fusha”. AfD dhe e Majta e refuzuan Marrëveshjen në Bundestag, por janë të pranishme në Paris, si të gjitha grupet parlamentare të parlamentit gjerman.

Brantner: “Frenimi do të jetë i vështirë”

Franziska Brantner, zëdhënësja për politikën ndaj Evropës e Grupit Parlamentar të të Gjelbërve, pret “lëvizje për politikën gjermano-franceze ndaj Evropës”. “Qeveria federale gjermane frenon dhe bllokon çdo përpjekje nga Franca, për ta çuar përpara Evropën – edhe në çështje shumë kritike si kriza e klimës. Kjo duhet të ndryshojë në të ardhmen”, i tha ajo DW.

Dhe eksperti për politikën e jashtme të CDU-së, Roderich Kiesewetter, i cili si Hirte dhe Schmid, Brantner dhe Motschmann i pranishëm në Paris, tërheq vëmendjen për fushën e tij. Nga Asambleja e përbashkët, ai si politikan i politikës së jashtme pret “krijimin e një kulture të përbashkët strategjike për një integrim më të ngushtë të forcave të armatosura”. Kiesewetteri shpreson që përmes organit të ri “të informohet që herët për pozicione të ndryshme.”

Ligje të përbashkëta për falimentimet

Asambleja e re Parlamentare do të mblidhet të paktën dy herë në vit dhe do të shoqërojë veç kësaj këshillat e ministrave të të dyja palëve si dhe punën e këshillit gjermano-francez të Mbrojtjes dhe të Sigurisë.

Marrëveshjen përkatëse për këtë e nënshkruan të hënën (25.03.) në Paris, Presidenti i Bundestagut gjerman, Wolfgang Schäuble dhe Presidenti i Asamblesë Nacionale në Paris, Richard Ferrand.

Asambleja Parlamentare gjermano-franceze u mblodh pë herë të parë. “Skeptikëve le t’u themi: Asambleja e re as do ta ndikojë, dhe as do ta eleminojë sovranitetin e të dyja shteteve”, tha Schäuble. Institucioni i ri mund të formulojë ide të reja politike. Për këtë u formuluan dy propozime: zhvillimi i një hapësire ekonomike të përbashkët gjermano-franceze dhe i një kulture të përbashkët për çështjet e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Heribert Hirte, raportues në Bundestag për të drejtën tregtare dhe të shoqërive, thotë se në agjendë janë edhe “plane gjermano-franceze për një paketë ligjore të përbashkët, të formuluar deri në detaje për ekonominë dhe të drejtën e falimentimeve.” Ky është një plan ambicioz dhe regjistrohet më shumë interes nga ekspertët. “Perandoria Gjermane u ngjiz pikërisht në këtë mënyrë, duke koordinuar më parë të drejtën tregtare”, thotë Hirte, duke hedhur vështrimin pas në shekullin e 19-të./DW/ AUD (dpa), Christoph Strack