Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkarkoi të hënën nga detyra zëvendësministren e drejtësisë, Vesna Mikiç, siç tha ai për shkak të gjuhës së urrejtjes dhe deklaratave të papranueshme.
Vendimi i Kryeministrit Haradinaj pasoi vlerësimin që Zv. Ministrja Mikiç kishte bërë një ditë më parë lidhur me njëzet vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë.
Ajo shkroi në rrjetet sociale se ”para njëzet vitesh aleanca e NATO-s ka ushtruar gjenocid të planifikuar ndaj një shteti sovran që për dekada ka luftuar kundër terrorizmit shqiptar brenda kufijve të vet”.
Zonja Mikiç tha se “edhe pas njëzet viteve, Serbia përballet me trysni të tejskajshme për të njohur pavarësinë e vetëshpallur brenda territorit të saj”.
Deklaratat e zëvendësministres Mikiç ngjallën reagime të shumta në Kosovë dhe thirrje për shkarkimin e saj.
Në një njoftim të shpërndarë në rrjetet sociale kryeministri Ramush Haradinaj shkroi se ka liruar nga detyra zonjën Mikiç duke nënvizuar se në qeverinë dhe institucionet e Kosovës nuk ka vend për individët, pavarësisht përkatësisë etnike, që denigrojnë vlerat e përbashkëta euro-atlantike.
“Aq më tepër kur shteti i Kosovës është krijuar pikërisht në bazë të këtyre vlerave. Deklarata e zëvendësministres në Ministrinë e Drejtësisë, Vesna Mikiq, se bombardimet e NATO-s ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb, janë të papranueshme dhe përkojnë me gjuhën e urrejtjes, që sanksionohen me Kushtetutë dhe ligj. Prandaj, sot kam liruar nga detyra zëvendësministren Mikiq”, thuhet në vendimin e kryeministrit Haradinaj.
Një ditë më parë, në Kosovë u shënua njëzet vjetori i fillimit të fushatës së bombardimeve kundër forcave serbe, duke shënuar kësisoj fillimin e fundit të luftës gati dyvjeçare në Kosovë.
Shënimi i 24 marsit në Kosovë bëhet sipas përkatësisë etnike. Institucionet e Kosovës e vlerësojnë si një ditë me rëndësi vendimtare për historinë e vendit. Vlerësimet për 24 marsin ndërkaq janë krejt ndryshe tek komuniteti serb dhe zyrtarët e Beogradit të cilët e vlerësojnë Serbinë si “viktimë të agresionit të NATO-s”.
Njëzet vjet më pas, Kosova dhe Serbia ndodhen në një proces aktualisht të pezulluar bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian. Por, tensionet ndërmjet të dyja vendeve mbeten të larta.