Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, kanë biseduar me telefon lidhur me çështjet ku përfshihet financimi i NATO-s, Ukraina dhe tregtia, deklaruan zyrtarë nga Shtëpia e Bardhë dhe qeveria gjermane.
Përmes një njoftimi nga Shtëpia e Bardhë, thuhet se u diskutua për tregti, debatin për Brexit-in dhe takimet e ardhshme.
Një zyrtar i lartë i administratës së Trump tha se biseda ka përfshirë edhe fondet për aleancën e NATO-s.
Trump kishte kritikuar më parë Gjermaninë dhe aleatët e tjerë të NATO-s, për fonde të pamjaftueshme për mbrojtjen e tyre, gjë që i kushton shumë taksapaguesve amerikanë.
Qeveria gjermane tha se në takim u bisedua edhe për çështjet që ndërlidhen me Ukrainën, por pa qenë specifik.
Forcat qeveritare në Ukrainë kanë luftuar kundër separatistëve pro-rusë në Donjeck dhe Luhansk që nga prilli i vitit 2014, konflikt ky që la të vdekur 13,000 persona – gjysma nga ta civilë.
Moska po ashtu kishte rrethuar dhe aneksuar rajonin e Krimesë së Ukrainës, veprim ky që nuk është mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar.