Parlamenti i Kosovës miratoi të premten me 74 vota një rezolutë, me të cilën pezullohen lojërat e fatit dhe detyrohet qeveria e vendit që brenda tridhjetë ditëve të ardhshme të paraqesë në Parlament ligjin që ndalon tërësisht këto lojëra.
Gjatë debatit, deputetët thanë se ky sektor në masë të madhe funksionon pa licencë dhe lidhet me veprimtari të tjera të jashtëligjshme, që i shkaktojnë dëme Kosovës dhe varfërojnë familjet.
Policia e Kosovës njoftoi ndërkohë se në nivel vendi është duke u zhvilluar një aksion policor që lidhet me lojërat e fatit.
Këto veprime duke përfshirë edhe seancën e jashtëzakonshme të parlamentit, pasojnë vrasjen e dy personave në dy kazino në Kosovë, javën që po lëmë pas.
Në dhjetor të vitit të kaluar qeveria e Kosovës miratoi në koncept një dokument për lojërat e fatit, ku parashihej promovimi i këtij sektori si mundësi për zhvillim ekonomik, por një ide e tillë nuk u mbështet të premten nga deputetët e parlamentit, të cilët përmes rezolutës kërkuan mbylljen e tyre për një periudhe dhjetë vjeçare.