Italia dhe Kina po kërkojnë të ringjallin shpirtin e rrugës së lashtë të mëndafshit duke thelluar tregtinë mes tyre dhe investimet, tha të premten presidenti kinez Xi Jinping gjatë një vizite në Romë e cila nuk është pritur mirë nga Uashingtoni.
Presidenti Xi është i vendosur të nënshkruajë një marrëveshje të shtunën e cila do ta bënte Italinë vendin e parë të Grupit të Shtatë Vendeve më të Industrializuara në Botë që do t’i bashkohej projektit të gjigand infrastrukturor kineze “një brez një rrugë”.
Ky projekt frymëzohet nga korridoret e vjetra rrugore tregtare që kanë lidhur dy vendet. “Duam të ringjallim rrugën e lashtë të Mëndafshit në mënyrë që të ndajmë më mirë frytet e përparimit të njerëzimit“, tha presidenti Xi pas bisedimeve me presidentin italian Sergio Mattarella. “Duam të forcojmë sinergjitë mes vendeve tona përkatëse, strategjitë e zhvillimit për të rritur bashkëpunimin në fushën e infrastrukturës, portit, logjistikës e transportit detar në mënyrë që të ndërtohet një seri projektesh konkrete krahas rrugës së Mëndafshit“, shtoi ai.
Përveç iniciativës “një brez një rrugë”, pritet të miratohen edhe marrëveshje të tjera në vlerën e 7.9 miliardë dollarëve për një sërë sektorësh, përfshirë marrëveshjen që i hap portet në veri të Italisë atë të Triestes dhe Xhenovës për kontenierët kinezë.
Vendimi i Italisë për t’u afruar me Pekinin ka shkaktuar shqetësime mes aleatëve të saj perëndimorë, veçanërisht në Uashington, ku Këshilli i Sigurisë Kombëtare i ka kërkuar Romës të mos i japë “legjitimitet projektit të pavlerë të Kinës për infrastrukturën”.