1.

Në këtë shënim të thjeshtë, për dy libra të kolegut e mikut tim, Hys Xhemali Hasa, nuk do të zgjatem shumë. Jo pse ata nuk e meritojnë një gjë të tillë, por qëllimin e kam vetëm sa ta informoj lexuesin që ky bashkatdhetar, me origjinë nga Vila-Luma e Kukësit e me banim në Filadelfia të Amerikës, nuk rresht duke shkruar e botuar libra të rinj për vendlindjen, për Atdheun e popullin tonë, trim e liridashës, i cili nuk u gjunjëzua kurrë para rrebesheve të kohës. Një lexues i vëmendshëm ka vërejtur se ai shpesh publikon shkrime në Internet për bashkëkrahinas, për trima të pushkës e penës, për ata që nuk kursyen asgjë, që Shqipëria jonë e dashur të përparojë, në rrjedhat e shoqërisë europiane.

Në periudhën e verës, Hysa vjen në Atdhe e shkon në vendlindje, jo vetëm që të çmmallet me familjarë, kolegë, miq e dashamirë.Po, si një bletë e mirë punëtore, merr shënime për njerëz, ngjarje, histori, të djeshme e të sotme. Pastaj, kur kthehet atje, në vendbanimin e tij familjar, pagëzuar aq bukur “Bijtë e Shqipes”, ulet e vazhdon të shkruajë në serinë e librave të tij emërmirë e gjurmëlënës. Ata janë pritur me kënaqësi nga lexuesit dhe, bile, janë organizuar përurime të tyre, ku janë bërë vlerësime të merituara.

Ashtu si shumë kolegë e miq të tjerë të Hysës, edhe unë në bibliotekën time kam disa libra të këtij prodhimtari të palodhur e plot vullnet, si t ë ishte djalosh i ri, megjithëse mbi supe i rëndojnë disa vite të jetës. Por dëshiron që brezit të sotëm dhe atij, që vjen pas nesh, t’u flasë me dëshmi e fakte të gjalla për traditat e mrekullueshme të popullit të vendlindjes, Kukësit dhe mbarë Shqipërisë. Sepse kështu do të ndjehen kurdoherë krenarë, për udhën e përshkuar e do të jenë luftëtarë të paepur për lirinë e demokracinë e vërtetë.

2.

Arsyeja kryesore, që kësaj here po i shkruaj këto radhë, është se pikërisht sot më takoi djali i Hysës, Fitimi dhe më solli falëmeshndetet e tij, që nga Filadelfia. Por ai kishte dhe një qese për mua, me dy libra voluminozë të këtij autori emërmirë: “Vlera intelektuale kuksiane-3”(Tiranë, 2018), në 320 faqe dhe “Gjurmë vlerash kuksiane-1”(Tiranë, 2019), në 392 faqe. Të dy këta libra, me numrat që kanë në fund, tregojnë se autori Hysë Hasa do të vazhdojë të shkruajë e botojë edhe libra të tjerë, po me këtë tematikë.

Siç e thashë dhe më lart, jam i ndërgjegjshëm se e meriton që të shkruhet gjatë për secilin nga këta 2 libra, ashtu si dhe për të tjerët, që ka publikuar Hys Xhemali Hasa. Por po mjaftohem duke e uruar dhe duke e falënderuar me zemër për këto dhurata të çmuara të tij! Gjithashtu, uroj, shpresoj e besoj plotësisht që prej këtij autori do të kemi përsëri botime të reja, gjithnjë e më të arrira, që i plotësojnë kërkesat dhe shijet e lexuesve, si të asaj krahine, ku ai lindi e u rrit, por dhe më gjerë.

…Jo vetëm për ta informuar lexuesin, po dhe për të shprehur nderim e respekt për punën e bërë dhe botimet e deritanishme të autorit Hys Xhemali Hasa, më poshtë po shënoj emrat e librave të tij dhe vitet e botimit:

1.Vila, pjesë e krenarisë lumjane, 2008;

2.Midis emigrantëve shqiptarë në Amerikë,2010;

3.Nga Filadelfia, në Tiranë, 2011;

4.Mes shokësh, në shërbim të Atdheut, 2013;

5.Veprimtari atdhetare njerëzore, 2015;

6.Kontribute atdhetare, 2015;

7.Dritare kohe, në mençurinë kuksiane, 2015;

8.Personalitete ushtarake lumjane, 2016;

  1. Lavdi, në përjetësi, 2016;
  2. Vlera intelektuale kuksiane-1, 2016;

11.Vlera intelektuale kuksiane-2, 2018;

12.Të jetosh me dashamirësinë e vlerave njerëzore, 2018;

13.Vlera intelektuale kuksiane-3, 2018;

14.Gjurmë vlerash kuksiane-1, 2019.

…Në mbyllje këtyre radhëve modeste, e përshëndes nga larg kolegun dhe mikun e dashur Hys Xh.Hasa, duke e uruar e falënderuar për dy botimet e reja, si dhe duke i dëshiruar:

Shëndet të plotë, begati e mbarësi, krijimtari të frytshme, gëzime e lumturi, vetjake e familjare!

-Shumë të fala, familjarisht dhe të gjithë anëtarëve të Bashkësisë Shqiptare “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia të Amerikës!

-Mirupafshim përsëri, në kryeqytetin tonë, i dashur mik i nderuar dhe I paharruar, Hys Hasa!

Tiranë, 22 mars 2019