Zyrtarë të lartë ushtarak të Shteteve të Bashkuara kanë shfaqur shpresën se Uashingtoni do të gjejë një mënyrë të zgjidhjes së ndasive me Turqinë, sa i përket vendimit të Ankarasë për të blerë sistemin rus të mbrojtjes raketore.
Megjithatë, sipas shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane Joseph Dunford, “kjo është një çështje e vështirë”.
Gjenarali amerikan tha se Pentagoni mundet që së shpejti të pezullojë përgatitjet për dërgesën e aeroplanëve ushtarakë F-35 në Turqi.
Kohë më parë edhe kreu forcave ushtarake amerikane në Evropë, gjenerali, Curtis Scaparrotti, tha se do të rekomandojë që Shtetet e Bashkuara të mos i shesin aeroplanët luftarakë Turqisë, nëse paraprakisht, Ankaraja, nuk zbrapset nga planet për blerë sistemin mbrojtës raketor të Rusisë.
“Këshilla ime më e mirë ushtarake do të ishte që ne nuk do të punojmë me një aleat që është duke punuar me sistemet ruse” tha gjenerali i ushtrisë amerikane, Curtis Scaparrotti, gjatë një seance dëgjimore të Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit.
Presidenti i Turqisë, Reccep Tayyip Erdogan, ka thënë se planifikon të blejë sistemin rus përkundër vërejtjes së Aleancës Veriatlantike, se ai nuk mund të integrohet në sistemin mbrojtës të NATO-s, informon Reuters.
Muajin e kaluar, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, tha se marrëveshja për blerjen e sistemit rus, tashmë është çështje e kryer.