Pas sulmeve vdekjeprurëse ndaj dy xhamive në Zelandën e Re, Presidenti amerikan Donald Trump ofroi ngushëllime, por mohoi se nacionalizmi i bardhë është një kërcënim në rritje. Sulmet rindezën debatin në Shtetet e Bashkuara rreth faktit nëse retorika politike kundër emigrantëve po kontribuon në rritjen e krimeve të urrejtjes.

Ishte një e premte e zymtë për amerikanët myslimanë. Besimtarët në Qendrën Islamike të Uashingtonit mbajtën zi për viktimat e sulmit me armë në xhamitë e Zelandës së Re.

“Të gjithë rrotull meje qanin. Mendoj se të gjithë ndjenë zinë kolektive për viktimat në Zelandën e Re”, thotë Suha Malik, amerikane myslimane.

Sulmi me armë në dy xhamitë e qytetit Christchurch, ndërsa mbaheshin faljet e së premtes, shkaktoi vdekje e 49 vetëve plagosje e dhjetëra të tjerëve.

Sulmuesi mendohet se është shtetas australian. Kryeministri i vendit e përshkroi të dyshuarin si një “terrorist i dhunshëm, ekstremist i krahut të djathtë”.

Shtëpia e Bardhë dënoi me forcë sulmin, duke e quajtur një “akt mizor urrejtjeje”.

“Është një gjë e tmerrshme, e turpshme dhe një akt i tmerrshëm”, tha Presidenti Trump.

Presidenti Donald Trump ofroi ndihmën e Shteteve të Bashkuara, por nuk e quajti veprimin një akt terrorist. Gjithashtu, ai nuk e shikon nacionalizmin e bardhë si një kërcënim në rritje nëpër botë.

“Vërtet nuk mendoj kështu. Mendoj se është një grup i vogël njerëzish që kanë një problem shumë, shumë serioz”, tha Presidenti Trump.

Të dhënat më të fundit të FBI-së tregojnë një rritje prej 17% të krimeve të urrejtjes në Shtetet e Bashkuara.

Kryetari i një organizate të amerikanëve myslimanë i ngarkon përgjegjësi Presidentin Trump.

“Zoti Trump, fjalët tuaja kanë rëndësi, politikat tuaja kanë rëndësi. Ato ndikojnë jetën e të pafajshmëve në vend dhe në botë”, tha Nihad Awad, drejtor ekzekutiv i organizatës “CAIR”.

Në llogarinë në mediat sociale që mendohet se i përket autorit të sulmit u shfaq edhe një manifest me ndjenja supremacie të bardhë, kundër emigrantëve dhe kundër myslimanëve.

“Ky sulm me armë është një reflektim ekstrem i rritjes së retorikës së nacionalizmit të bardhë”, thotë Jonathan Metzl, i Universitetit Vanderbilt.

Zoti Metzl mendon se retorika politike kundër emigrantëve dhe minoriteteve i ka bërë më të pranishme idetë e nacionalizmit të bardhë.

“Nuk më shqetësojnë vetëm këto komunitete në internet që kanë qenë aty prej kohësh. Është më tepër mënyra se si kjo dhunë ndaj komuniteteve cënueshme të minoriteteve dhe retorika që e nxit, janë normalizuar shumë më tepër në sferën tonë politike”, thotë zoti Metzl.

Ndërsa mbajnë zi, komunitetet myslimane në Shtetet e Bashkuara po rrisin vigjilencën e tyre. Në qytete si Nju Jorku, besimtarët mblidhen nën masa mbrojtëse të forta të policisë.