“KREJT FATI…” DHE FAKTI I LULZIM LOGUT N’LOJË – Esse nga Hasan Muzli SELIMI

Shpeshherë dhe gati gjithmonë ndodh që, kur fillon të shkruash për dikënd që ke simpati, ose ndonjë afërsi tjetër, je shumë subjektiv. Në rastin tim sot më del për detyrë të jem sa më afër realitetit, pasi poeti Lulzim Logu më bëri trim të përballem me lexuesin. Ndodhi atë pasdite të verës së dytë të vitit 2014, kur më dha viston të botoj. Krejt serioz qe miratimi. Unë dola në fushën e betejës pa mburojnë Ilire, por me trimërinë e besuar prej fjale. Kështu ndodh shpesh, kur njeriu e rimerr fatin e përcjellë atë në rrugëtimin e panjohur e që unë shpesh i them eksperiencë e re.

Në natën e datës 14.03.2019 lexova krejt nëpër gjumë poezinë e poetit Lulzim Logu “Krejt Fati…” -Një mikut poet që shkoi befas…-. Nuk e mori vesh askush, pse miku poet shkoj beftë. Pati edhe nga ata që e pyetën kush ishte poeti. Simbolikë kjo, e fshehur deri në amshim. Kështu gati ia thashë në komentin tim. Nuk m’u prit derisa ta lexoj zgjuar. Leximi në gjumë është si pema në dimër që flenë në kontakt me tokën si barrë e pamirënjohje.

-Padyshim një nga poezitë më të fshehta të këtyre ditëve. Këtu përcjellë gjithçka që lind e rritet e pastaj kalon në qënien dhe gjendjen njerëzore. Normalisht zbret nga rrepinat e dredhueshme që s`ka guxuar t`i shikoi as në ëndërr poeti. Ai këtu i shfaq guximshëm me një spekullim brilant dhe pastaj i thithë ato në simbolikën e papërcaktuar, që zor se ndonjë lexues e kupton trillin artistik. Duke njohur gjuhën si trillin e simboleve artistike poeti luan me ne në fushën e gatuar prej tij. Në vend të metaforave zbardh gjelbërimin, që jetës i jep jetë në fillim marsi ngadalë-ngadalë si rritja e filizit të ri në degën e pjergullës. Në këtë pip ai përfytyron e pastaj e shikon se si zbret lëngu i euforisë së shpirtit blerues edhe në acarin idhnak të fund dhjetorit, kur gjumi i gjithësisë i falet tokës për mundin e kohës. E kjo përulje ka kohën e saj në fund marsi. Poeti në honet dhe humnerat e shpirtit derdh flakën e dashurisë dhe mallit bashkë për mikun poet, që nuk jeton, por edhe për atë që mund të mos jetoj mot. Cili poet është gjallë dhe nuk flet për këto shndërrime të fuqisë natyrore? Ai flet dhe hesht, pra pëson atak. Nuk jeton përpara kësaj bukurie që unë ia dedikoj Hyjt. Atak pëson edhe stina në zevendësim me stinen tjeter. Poeti duhet falenderuar për këtë shpirt të derdhur në faqen e zbardhur të blerimit jetë në të dy anët e kohës panjohur.- Kështu foli në atë kohë të turbullt Zarathustra. Foli, para, apo pas Platonit, kjo është çështja. Çështje që duhet zbërthyer në kohën e vet dhe spekullimeve duhet dhanë rrugë.

Pas këtij komenti studiova në qetësi poezinë e poetit Tropojan dhe vendosa të flasë me gjuhën time prej lexuesit frymor që frymëzohet edhe në gjumin e parë pranveror. Thonë se gjumi në pranverë është më i ëmbël se gjumi në stinët e tjera. Mua më ëmbëlzon gjumi edhe në vjeshtë. Pa lere ma, kur mbi çati është zgjatur bora ardhë me erën që ne i themi véri. Bardhësia e së cilës futet në dritaren e xhamtë dhe përcjell qetësinë e pritur të dimrit idhnak.

Po lere mallin e dikujt që kujton vitet dhe kalim vitet, por t’i kthehem Krejt Fatit… të Lulzim Logut. Në shpjegimin mistik dhe atij teologjik shpjegohet se fat do të thotë: Marrëdhënie me ngjarjen, rrjedha e cilës përcakton edhe rrethanat që duhet të ndodhin në botë, ose në jetën e njeriut, e parapërcaktuar dhe e paravendosur nga një qënie e mbinatyrshme, ose siç e pranojnë njerëzit Perëndi. Fati mund të përshkruhet edhe si një fuqi, apo veprues i papërballueshëm që përcakton të ardhmen e gjithçkaje si edhe të një individi të vetem. Ky koncept bazohet në besimin se ka një rend natyror të paravendosur në gjithësi. Me një fjalë ka një projekt fillestar dhe ky projekt ka një prejardhje fillestare që përcaktohet nga Hyj. E duke e çuar atë deri në kuptimin më të thjeshtë fati sjell faktin e pakundërshtueshëm. Në këtë botë as kërrkund nuk ka rastësi.

      Ngjyrimet letrare sipas figurave në këtë poezi vijnë si morali modern i papërseritshëm në jetën e këtuhit. Vet rrotullimi i përcaktuar në këtë poezi autorit i sjell ngadalë-ngadalë një trill artistik, që mundesh ta krahasosh me analizën e kozmosit, që pret nga ajo një fat, ose fakt natyror në sherbimin tënd. E ky fat që duhej bá fakt nga një forcë mbinatyrore përcjell edhe trishtimin tek balada e gati pretendon të bëhet poemë që përcjell një monolog me veten. Themë me veten, sepse kur njeriu bisedon me veten ai përballë e në brendinë e tij ka Hyjn, ose natyrshëm sipas religjioneve thirret edhe Perëndi.

Krejt fati dikur na buzëqesh” Kështu deklaron poeti në vargun e parë dhe kapitalizohet me fatin bujar. Parafytyron edhe Buzmin Bujar, rit Ilir i ekujnoksit. Ai shpreh mirënjohjen si e vetmja pasuri shpirtërore poseduese në jetën e radhës nga një njeri që e njeh fatin dhe faktin si mundësi jete pa dallim. Vëzhgon se të gjithë njerëzit lindin me mundësi për të qenë në fakt gjeni. Gjeni në fusha të ndryshme. Por në fakt ndryshon, pasi ai fati nuk bëhet fakt pa një fuqi të papërballueshme. Këtu simbolet përplasen me baladat, që tentojnë të kalojnë në mite poetike dhe ku duan të ngjiten e të bëhen fasada natyrore përtej reve të murrme, ose të përhime. Edhe pse poetit i pëlqen të ketë re të bardha. Kështu është edhe një shprehje popullore. Metaforë e një trilli mbinjerëzor. “Fluturon tek retë e bardha”. Në asnjë varg nuk ka hiperbolizime, ose krahasime të pa imagjinueshme edhe nëqoftëse del bukur si fjalë poetike. Sipër reve shikon dritën vezulluese. Ai nuk e kupton as vet se është vetëtimë, apo meteor që shkëputet në fillim hëne të re, por shikon buqeta, apo tufa lulesh që derdhen në livadhe, kur nuk ka guxuar t’i shikoi as ëndërr. “Veç çastin e beftë të goditjes në zemër, kur frika shkund ditët tona dhe na mëson ti rishikojmë dashuritë…” Pas kësaj vjen çasti i frikëshëm. Askush nuk e don ikjen. Jeta është e ëmbël. Por dimri tani lejon gjithçka të japin mirënjohjen tokës. Të kthehet nga idealja gjumë në materialen jetë. Dikush përpiqet të nxjerrë një psallm nga Bibla, drejt rrëfimit dhe të përcaktojnë se cili ishte mekati e cila ishte dashuria. Nganjëherë ngatërrohen edhe baladat. Përcjellin fjalët drejt baladave duke nxjerrë bilancet e dashurisë, të mungesës dhe humbjes. Kush nga ne e ka përfunduar këtë bilancë. S`besoj.

          Gjuha këtu është thjeshtë një sistem simbolesh, është arbitrare e pa mëshirëshme për atë është harta e gjithësisë. Poeti si Aristoteli shpreh se gjithësia është një rend koncept i shpikur, ndoshta është gabimi yni ose një shpikje e njohjes tonë mbi gjithësinë. Ja, edhe poeti ngjitet me konceptet e ikjes dhe e bën gjuhën gjithësi simbolesh të shpikura nga ai vet. Ka një ndryshim që vet autori porosit ta rikëndojmë baladën, të mos e harrojmë, të mos e bëjmë kujtim, por histori, të nxjerrim mësime dhe të takojmë poetin që nesër mund të mos e kemi, mot mungon patjetër. Ta mbajmë si eposin gjallë në odat tona. Ta mbajmë poetin në qoshen e bukurisë së fjalës, bashkë me trillet, bashkë me spekullimet e gjuhës së pamëshirëshme.

“Ndërkohë që dikush na tund dorën e ëmbël të joshjes /Në tunelin e fundit ku drita guf si zog parajse,/ Ti kthen kokën kah toka dhe qëniet e dashura”. Pas kësaj dhimbje e ferri bashkë, pasi poeti e njeh rregullin, dhimbjen dhe tronditjen e rrëfimit thërret në skenë optimizmin. Ai imagjinon se zogu i parajsës është shpëtimi, ose lajmëtari i gëzueshëm. Nga gjithë rishikimet dhe numërimet e dashurive vjen bilanci, sjell një gëzim, sjell dorën e ëmbël e të ngrohtë të dashurisë vërtetë. Natyra bujare me diell e ngrohtësi. Tani lulet drejtohen nga retë në livadhe. Kaq shumë e thekson poeti këtë optimizëm sa e detyron fatin të kthehet nga ai edhe në ditën e kobshme e të beftë të atakut përfundimtar. Këtu lind një imazh lidhur me simbolin, duke kërkuar, nëse simboli është koncept i pandashëm i intuitës artistike, apo është vet intuita që ka karakter ideal. Shpeshherë simboli i mbivendosur dhe koncepti i tij abstrakt është alegori, është një shkencë ose art që imiton shkencën. Edhe këtu ai nuk del me pluhurin e luleve të verës, as me buqetën e lulëzuar mbi re, sepse është tokësore dhe ideale bashkë e që të dyja bëjnë berthamën e materiales se supozuar.

Poetët kanë kurthe dhe bëjnë kurthe. Ka herë që bien në kurthe. Dalin prej kurthit dhe e bëjnë veten viktimë të krijesës tyre kurth. Paralajmërojnë tragjedi, bile në poezitë e tyre nuk kapërcejnë rregullat, por e bëjnë atë frymë dhe nxjerrin prej saj frymë. Edhe ky symbol i konceptuar. Në disa raste poeti Lulzim Logu ka marrë argat nga koncepti i tij simbol me metaforen që e rrethon dhe lulen artisike e kthen në gardh zemre. Kaq brishtësi i jep gjethes së gjakut sa të bën të dridhesh nga stina e verës në stinën e dimrit. Djeg etapat stinore e kalon në pranverë pa vjeshtë.

Poeti në  “Fatin Krejt Fat…” harron ditët. Aq shumë ka dal nga koha, bile është nda me nocionin kohë sa elementin kohë e njeh si një ditë, ndoshta të përzier me gjithëfarë ngjyrash. E harron vjeshtën. Nuk don ta barazojnë me shpirtin i cili ka shumëllojshmëri ngjyrash. Vjeshta dhe shpirti ngjasojnë përkah ngjyrat, por poetit nuk i pëlqen barazimi. Loti ia ka zënë krejt horizontin sa i duket dita me shi e në fakt fati ka nxjerrë ditën krejt qelq me diell. Ndoshta është në ditën e kobit të dashurisë, ndoshta është në diten e lumtur të dashurisë së vjetëruar. E këndon vargun e autorit në Fatin Krejt Fat… dhe kupton simbolin e lojës e cila është edhe kjo simbol i ikjes nga këtuja dhe rrugëtimi drejt atjehes ku ne nuk e kemi të mundur njohjen.

Lulzim Logu në vargun e kësaj poezie rradhit lojën e qiellit dhe të tokës në fazën e ditës së verës dhe qendron në pritjen e njëzet e dyshit si datë e kthesës së madhe, atë të ekuinoksit. Mbi ëndrra ai përcjell pluhur dhe këndon vargje të mallta në gjumin e largët dimëror. Nganjëherë poetët kërkojnë kujtime. Ata janë të prirur që korifejt e filozofisë kanë sjell filozofinë moderne dhe atë ideale, ose mistike nëpërmes kujtimeve e fenomeneve biologjike pa ngarkesa e parime strikte. Gjithkund me fjalën pse.

Ndodh shpesh që në zhurmën e njerëzve nuk dëgjohet as fjala, as porosia. Në vorbullën e botimeve dhe të shkrimeve pafund zhurma për jetën dhe formën në mos formë, në lindjen, gjumin dhe zgjimin deri në ikje duke mos patur mundësinë të kujtosh kthimin ka edhe përplasje idesh edhe përplasje eksperiencash, por kurrë nuk duhet të këtë neglizhencë të takosh poetin që jeton. Tokësor je or njeri. Je i vdekshëm dhe do jesh plotësisht i drejtuar nga vdekja duke e dremit të gjallen. “Ti shkove befas, ani pse shpresoje, Për një raund tjetër loje në marrëmendje ngjyrash”. Kapërcen nga ikja në marrëdhëniet me ngjyrat që pret tani poeti me padurim pranverën. Si mjeshtër hajku autori zanafillon me një varg hajku lojën e madhe natyrë. Me gjethen e fundit ndryshon stinët dhe vitet. 

Ai nuk dyshon as në natyrën e joshur prej lojës së madhe, por nuk dyshon as në rregullatorin e plotfuqishëm duke iu drejtuar me një grusht pellgut të zemrës. Ndoshta për të nderuar parakalimin e bukurive stinë, ndoshta për të marrë në laps vitet që shkoqen nga një gjethe çdo kalim viti. Pesha e dhimbjes së poetit për kohën që po humbim ka një ankth që shpjegohet vetem me dhimbje dhe mall bashkë. Poeti në këtë poezi autor si mjeshter hajku lidh veten me jetën në një gjethe të gjelbërt që këputet në fund yjesh. Ai ngadalëson hapin për kah kthimi dhe ardhja me ngjyra.

 

 


KREJT FATI…


Një mikut poet që shkoi befas

Krejt fati dikur na buzëqesh
Përtej një fasade resh të bardha dhe lulesh drite vezulluese
Në livadhin që s’kemi guxuar kurrë ta shohim andërr
Veç çastin e beftë të goditjes në zemër
Kur frika shkund ditët tona
Dhe në mëson ti rishikojmë dashuritë
Dhe ta rikëndojmë baladën e humbjes dhe mungesës…
Ndërkohë që dikush na tund dorën e ambël të joshjes
Në tunelin e fundit ku drita guf si zog parajse
Ti kthen kokën kah toka dhe qeniet e dashura
Aq të brishta dhe pafund tokësore
Që të mbërthejnë në çastin e mbramë të dilemës
Në kurthin e vetëm ku mbesin poetët
Me gardh zemre dhe gjethe gjaku…
A ishte e diel apo e premte
Ditë me shi apo lojacake era
Askush s’ka për ta ditër çastin që drithëron
I cili në fund të fundit asht pjesë e lojës
Lojës mes qiellit dhe tokës, andrrës dhe pluhurit
Vetmisë së netve dhe vargjeve të mallta
Ditëve të zhurmshme ku njerëzit kujtojnë
Se janë thjesht të pavdekshëm
Dhe pulisin sytë në dremitjen e së gjallës…
Ti shkove befas ani pse shpresoje
Për një raund tjetër loje në marrëmëndje ngjyrash
Me dorën grusht në pellgun e zemrës
Ku gjethja e fundit ra si fund stine
Si një varg i vetëm hajku
Me krejt kuptimin e jetës tende
Rifillim i gjelbër padyshim…

LULZIM LOGU 


Mars, 2019