Rusia thotë se sanksionet që Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Bashkimi Evropian kanë imponuar ndaj saj, lidhur me sulmin rus të vitit 2018 ndaj tre anijeve ukrainase, aneksimit të Krimesë dhe aktiviteteve ruse në Ukrainën Lindore, nuk do të mbeten pa përgjigje.
Departamenti amerikan i Thesarit tha në një deklaratë të premten se sanksionet e tij vënë në shënjestër “gjashtë individë rusë dhe tetë entitete në përgjigje të agresionit të vazhdueshëm të Rusisë në Ukrainë”.
“Kjo nismë e përbashkët me partnerët tanë në Bashkimin Evropian dhe Kanada, përforcoon angazhimin tonë për të vendosur sanksione të konsiderueshme në përgjigje të përpjekjeve të Kremlinit për të shpërfillur normat dhe për të minuar sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Ukrainës”, tha në një deklaratë Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin.
“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë transatlantikë nuk do ta lejojnë agresionin e vazhdueshëm kundër Ukrainës, të mbetet pa përgjigje”, thuhet në deklaratë.
Ish-diplomati amerikan, Daniel Fried, që tani është me organizatën Këshilli i Atlantikut i tha agjencisë Reuters se “bashkërendimi” mes tre faktorëve ndërkombëtarë ishte gjë e mirë.
Megjithatë ai shtoi se ‘problemi është se u desh një kohë e gjatë”.
Përveç kësaj, administrata e Presidentit Trump po përballet me hetime për lidhjet me Rusinë dhe bashkëpunimin e mundshëm të qëllimshëm gjatë fushatës së zgjedhjeve të vitit 2016.
Ka “një mospërputhje mes asaj që thotë Presidenti Trump për Rusinë dhe asaj që bën administrata për Rusinë”, thotë zoti Fried.