Dihet tashmë se ne të gjithë jemi të varur nga smartphone.
Me fjalë të tjera, kalojmë orë të tëra para ekraneve të telefonave tanë inteligjentë, veçanërisht për të kontrolluar rrjetet sociale. Kjo sjellje obsesive-kompulsive ndaj smartphone-ve tanë ka pasoja negative në nivel social, për shembull në marrëdhëniet tona ndërpersonale.
Megjithatë ekziston një aspekt, ndoshta edhe më i keq dhe më pak i njohur për varësinë tonë ndaj smartphone-ve, që lidhet me rrezatimin e emetuar nga pajisjet tona inteligjente.
Ende nuk e dimë se si këto lloj rrezatimesh ndikojnë në shëndetin tonë. Megjithatë, kohët e fundit, California Department of Public Health, ka këshilluar përdorimin në mënyrë të moderuar të smartphone-ve tanë, në mënyrë që të reduktojmë rreziqet potenciale – siç theksohet në një artikull të revistës amerikane Forbes.
Jo të gjithë smartphone-t janë njëlloj për nivelin e rrezatimeve. Statista ka publikuar një klasifikim interesant sa i përket nivelit të ndryshëm të rrezatimeve që emetohet nga smartphone-t e ndryshëm.
Pjesa më e madhe e smartphone-ve “made in China”, si modelet Xiaomi, OnePlus e HTC zënë vendet e para për intensitetin e rrezatimeve të emetuara. Diku rreth mesit të grafikut, renditen smartphone-t e prodhuar nga kompani amerikane si Apple dhe Google. Por në këtë klasifikim, bie në sy mungesa e kompanisë koreane Samsung. Kjo pasi Samsung është në krye të klasifikimit të smartphone-ve që prodhojnë nivelin më të ulët të rrezatimit, së bashku me koreanen LG, amerikanen Motorola dhe kompaninë kineze ZTE.
Të dhënat rreth rrezatimeve që emetohen janë alarmuese për ata që zotërojnë smartphone që renditen në krye të klasifikimit të parë. Është e vërtetë se çmimi i smartphone-ve kinezë si Xiaomi, OnePlus dhe HTC është shumë më i ulët krahasuar me modelet e Samsung. Por t’i zotërosh të dyja gjërat, pra nivelin e ulët të rrezatimeve dhe një çmim të arsyeshëm duket se nuk është e mundur. Ndaj ju mbetet ju të zgjidhni mes dy klasifikimeve.