Në Shkup, 16 nga 17 të akuzuarit për ngjarjet e dhunshme të 27 prillit 2017 në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut u dënuan me gjithsej 211 vjet burg nga Gjykata Penale.
Mitko Çavkovi, ish drejtor i Byrosë për Siguri Publike mori masën më të lartë të dënimit, 18 vjet burg.
Vetëm njëri prej të akuzuarve, këngëtari i operas, Igor Durllovski, u lirua nga akuzat në mungesë të dëshmive.
Gjyqtarja Dobrilla Kacarska tha se z. Durllovski ndonëse ishte brenda parlamentit në natën kritike të 27 prillit, 2017, nuk shihej të kishte ushtruar dhunë, as nga kamerat e sigurisë së parlamentit, e as nga regjistrimet e kamerave televizive që ndodheshin brenda në sallë.
Të akuzuarit u dënuan për veprën “rrezikim terrorist i rendit kushtetues dhe sigurisë”.
Dënimi më i vogël me shtatë vjet burg iu dha Abdulfeta Halimit, punonjës i sigurisë së parlamentit, për shkak të mungesës së reagimit gjatë hapjes së dyerve të parlamentit, kur u fut turma e sulmueve brenda. Sipas gjyqtares, zoti Halimi, i shpëtoi jetën deputetit Zijadin Sela në ngjarje.
Me nga 15 vjet burg u dënuan: Mitko Peshov, Dushko Llazarov, Goran Gjoshevski Levi, Munir Pepiç, Jane Çento, Nikolla Mitrevski Kolo dhe Vllatko Trajkovski.
Vilijam Mihajllovskit iu dhanë 14 vjet burg, ndërsa Oliver Popovskit 13. Igor Jug, Mlladen Dodevski dhe Goranço Angellovski u dënuan me nga 12 vjet heqje lirie, ndërkaq Aleksandar Vasilevski “Ninxha” iu caktua dënimi me 8 vjet burg. Ky i fundit kishte qenë në komunikim të drejtpërdrejtë me shtabin në partinë VMRO-DPMNE, prej nga merreshin vendimet dhe urdhërat lidhur me këto ngjarje të përgjakshme. Por, më pas ai pranoi të flasë për mënyrën e organizimit dhe emrat e aktorëve të përfshirë në dhunë.
Prokuroria publike kërkoi që Mitko Çavkovit t’i vazhdohej masa e paraburgimit dhe Jane Çento, Igor Jugu, Mlladen Dodevski e Vllatko Trajkovski të mbahen po ashtu në paraburgim për shkak të mundësisë së arratisjes. Të dënuarit kanë një afat për t’u ankuar në Gjykatën e Apelit.
Në fillim ishin 33 të akuzuar, por parlamenti miratoi një ligj të amnistisë enkas për këto ngjarje, duke falur pesë deputetë të VMRO-DPMNE-së opozitare dhe një numër personash të tjerë, në mesin e tyre artistë e aktivistë të VMRO-së.
Ndërkohë, si organizatorë kryesorë të dhunës në parlament akuzohen ish-Kryeministri Nikolla Gruevski, ish-Kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski, ish-ministrat Mile Janakievski dhe Spiro Ristovski dhe ish-agjenti sekret Nikolla Boshkovski. Ky i fundit është arratisur në Greqi. Ndërkaq, ish-Kryeministri Gruevski ndodhet në Hungari ku i është dhënë azil, ndërsa ish-kryetarin e parlamentit, Veljanovski e mbron imuniteti i tij prej deputeti; Parlamenti gjatë një seance përmes truqesh nuk arriti t’ia hiqte atë.
Në ngjarjet e dhunshme të “së enjtes së përgjakshme”, më të dëmtuarit ishin Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët dhe Zoran Zaev, kryetar i Lidhjes Social Demokrate, që më pas u bë kryeministër i vendit.