AVDYL  SULAJ Vepra: “Laryshi fjalësh nga goja e popullit”.(Fjalë të urta–Urime–Mallkime–Betime–Lutje–Ngushllime–fjalë të rralla –Frazeologjizma)

Avdyl  Sulaj ishte një intelektual që me punën dhe angazhimin e tij na ka lënë si trashëgim vepra të shumta në fusha të ndryshme si në letërsi, artë, gjuhësi, etnologji dhe në shumë fusha të ndryshme të dijes. Mund të themi se ishte një intelektual që posedonte një kulturë të gjerë dhe ishte njohës shumë i mirë i historisë, kulturës dhe shpirtit të popullit tonë, të cilat me punën, përkushtimin dhe angazhimin e tij të pandërprerë na i ka lënë si trashëgim të shkruara në veprat e shumta prej tij që sot e kujtojmë me respekt për punën e tij të madhe që ka bërë dhe për veprat e shumta që na ka lënë si trashëgim e që mund t’iu shërbejnë studiuesve të ndryshëm për thellimin e studimeve të tyre në fusha të ndryshme të dijes, si në aspektin gjuhësor, psikologjik, sociolegjik  juridik, historik. Folkloristik,  etj.

Kur mora në shqyrtim  librin e tij “Laryshi  fjalësh nga goja e popullit”,  që është një studim mjaft i thelluar, jo vetëm gjuhësor, por edhe etnologjik, pashë se sa punë të madhe është deshtë të bënte për të na mbledhur dhe sistemuar të gjithë atë material gjuhësor, jo vetëm nga literatura, por edhe nga goja e popullit dhe përmes kësaj vepre përpiqet të na tregojë se sa e pasur është gjuha shqipe dhe sa shumë shprehje gjuhësore  janë të krijuara nga populli jonë, shprehje që nuk paraqesin vetëm kuptimin semantik të tyre, por edhe psikologjinë e thellë të popullit tonë  që i ka krijuar këto fjalë dhe shprehje gjuhësore përmes shekujve, pra që nga periudhat më të hershme e deri në ditët e sotme që vazhdojnë të jenë në përdorim prej popullit tonë,

Duke e lexuar këtë libër kuptohet se kemi të bëjmë me një intelektual që ka një përgatitje të lartë profesionale dhe e njeh materien gjuhësore, etno-psikologjinë dhe kulturën e lartë të asaj pjese të popullit, nga të cilët e ka mbledhur këtë material kaq të gjerë, të cilin e ka pasqyruar në këtë libër. Si shprehet autori në parathënien e këtij libri: Duke e mbledhur, sistemuar dhe kategorizuar gjithë këtë materialë gjuhësor, dhe duke parë vlerat e larta të këtyre fjalëve, kishte depërtuar në embrionin kuptimor të fjalëve dhe të shprehjeve gjuhësore dhe se sa ishte i thelluar dhe i magjepsur prej begatisë së këtyre shprejhjeve gjuhësore, mund ta kuptojmë nga mendimi i tij që e shpreh në parathënien e këtij libri ku ndër të tjera thotë: -“Fjala ka alkiminë e saj. Ka peshën, ka ngjyrë e shije, ka forcë shëndërruese, çudibërëse, misterioze dhe magjike.” Ai ka plotësisht të drejtë. Fjala në gojën e popullit është e gjallë që e bën jetën bashkë me popullin që e flet atë. Prandaj autori, këto veti të gjuhës i ka parë, i ka prekur dhe i ka ndierë. Fjala herë ka kuptimin e saj primar për të emërtuar një send, një ide apo një fenomen, herë merr kuptime dytësore dhe shëndërrohet në metaforë duke shprehur ndjenja dhe emocione nga më të ndryshmet. Nëse fjalët në kuptimin e tyre parësorë paraqiten të lëvizshme, të lakueshme duke iu shtruar rregullave gramatikore, lakohen apo zgjedhohen, por kur të njëjtat fjalë përdoren në shprehjen e urimeve, mallkimeve, betimeve, ngushllimeve apo edhe frazeologjizmave, fjalët e humbin aftësinë e lakimit e zgjedhimit, janë të ngurosura dhe marrin kuptime të tjera dytësore  e metaforik.

Se sa mund e djersë i ka kushtuar autorit ky libër që ka një vlerë të  veçantë, tregon vëllimi i punës së tij që ia ka kushtuar këtij materiali të mbledhur në teren nga goja e popullit, por edhe nga librat e autorëve të ndryshëm të kësaj ane të arealit tonë gjuhësor. Në bazë të një statistike të nxjerrë nga ky libër, del se autori ka bërë një punë mjaft të madhe e të kujdesshme në grupimin, kategorizimin dhe sistemimin e këtyre shprehjeve gjuhësore që janë krijuar jo për një kohë të shkurtër, por shekuj e shekuj deri sa na kanë ardhur në ditët tona në këtë formë shprehëse, që na i sjell autori.

Në këtë libër janë të regjistruara 1.371 proverba përmes të cilave paraqitet urtësia dhe përvoja jetësore e popullit e të cilat tani na vijnë si këshilla për brezin tonë që të jemi më të kujdesshëm, më vigjilent, ta duam punën, diturinë, ta duam atëdheun dhe lirinë. Të bëhemi më të virtytshëm dhe më të suksesshëm në jetë. Janë të shenuara 20 shprehje proverbiale, që shpesh përdoren në popull në formë këshillash.

Po ashtu, në këtë libër, autori i ka mbledhur dhe shenuar 868 urime, bekime dhe përshëndetje që paraqesin begatinë e madhe shpirtërore të popullit tonë.

Janë të regjistruara edhe 732 nemë e mallkime, që paraqesin mllefin e madh shpirtëror të popullit të varfër e të vuajtur për të gjithë ata që ishin bërë shkaktarë për vuajtjet e tyre dhe që vetëm prej tyre mund ta kuptojmë se sa shumë ka vuajtur ky popull gjatë shekujve nga faktorë nga më të ndryshëm.

I hasim të regjistruara edhe 207 bé dhe betimi për të treguar besnikërinë e tyre të thëna me plotë pasion dhe me ndjenja të fuqishme shpirtërore përmes të cilave përpiqen të tregojnë vërtetësinë e ndonjë veprimi apo edhe për ta shfajsuar veten nga ndonjë shpifje apo intrigë e thurrur me qëllime të caktuara dhe për ta shpërlarë veten nga  pesha e ndonjë faji me të cilin përpiqen që ta ngarkojnë apo edhe nga ndonjë përgjegjësi që nuk kishte bazë reale me të cilën përpiqen që ta ngarkojnë të tjerët.

Autori i mbledh dhe i regjistron edhe 122 lutje, duke iu drejtuar njerëzve apo edhe Perëndive, qëllimi i të cilave ishte  për t’iu lehtësuar jetën dhe vuajtjet e tyre nga shkaktarë të ndryshëm 47 shprehje ngushëlluese, 374 fjalë të rralla si dhe 284 shprehje frazeologjike.

Nga të gjitha këto, del se autori me një durim të lakmueshëm në këtë libër i ka regjistruar 4.625 njësi sintaksore dhe gjuhësore që paraqesin një punë mjaft të vëllimshme.

Me këtë punë autori dëshmon aftësinë e tij intelektuale duke kryer një mision shumë të rëndësishëm gjuhësor e kombëtar për të treguar begatinë e madhe shpirtërore të popullit tonë, përmes të cilave trergon se sa e thellë dhe  e lashtë është gjuha dhe kultura e këtij populli dhe sa e gjallë është kjo gjuhë që është krijuar, rritur e begatuar gjatë shekujve kultura gjuhësore e popullit tonë  e që ka vazhduar të  gjallërohet e të begatohet që nga periudhat e lashta të antikitetit e deri në ditët e sotme. Por ky studim gjuhësor mundet t’iu shërbejë dhe lehtësojë punën e studiuesve të ndryshëm në studimet gjithëpërfshirëse të tyre rreth këtyre temave që janë përfshirë në këtë  përmbledhje të etno-kulturës shqiptare me interes të veçantë.

Për të treguar se sa e thellë dhe e begatshme është gjuha dhe etno-psikologjia e popullit tonë, që i ka krijuar dhe përdorur të gjitha këto shprehje gjuhësore, mund të shërbehemi edhe me një shembull konkret:

Gjatë viteve tetëdhjeta të shekullit të kaluar, kishte ardhur për të marrë pjesë në Konferencën e Studimeve Albanologjike, që organizohej nga Fakulteti Filozofik i Prishtinës,  “Java e kulturës shqiptare” një studiuese ruse, Desnickaja. Profesorët e Prishtinës i kishin rekomanduar që ta përgatiste një temë rreth përshëndetjeve shqiptare. Ajo në fillim mbeti e habitur se si mund të përgatitej një temë e tillë ku shumë-shumë mund të mblidheshin dhjetë apo njëzet shprehje gjuhësore  që paraqesin përshëndetje. Por profesori nga Prishtina i kishte thënë:- Mos u brengosni për këtë, ne do t’iu japim materialin dhe Ju në bazë të atij materiali mund ta përgatisni temën. Kur studiuesja ruse e mori materialin e mbledhur nga folkloristët tanë  dhe i hyri studimit, kishte mbetur e befasuar se si i kishte hasur disa qindra fjalë e shprehje frazeologjike, që shprehnin përshëndetjet gjuhësore të këtij populli. Kur kishte dalur në foltore për ta lexuar kumtesën e saj të përgatitur nga ky material, ishte shprehur:- Unë kam ardhur për të marrë pjesë në këtë Konferencë për kulturën dhe gjuhën shqipe si përfaqësuese e një populli të madh, por përkulem me respekt para këtij populli të vogël, por me një kulturë dhe begati shumë të madhe gjuhësore e sidomos për materialin që kam marrë në shqyrtim lidhur me fjalët dhe shprehjet gjuhësore me të cilat  shprehen përshëndetjet  e këtij populli e që deri tani gjatë studimeve të mia,  në asnjë gjuhë, këtë numër kaq të madh të fjalëve dhe të shprehjeve gjuhësore që populli shqiptar i përdor për përshëndetje, nuk i kam hasur”.

Kjo tregon se sa e begatshme është gjuha shqipe dhe sa e veçantë nga gjuhët e tjera është etno-psikologjia e popullit tonë në krijimin dhe përdorimin e të gjithë këtij arsenali gjuhësor që posedon populli ynë gjatë komunikimit të tij të përditshëm.

Megjithatë, autori përmes këtij libri ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në mbledhjen, sistemimin dhe seleksionimin e të gjithë kësaj begatie shpirtërore të popullit tonë si dhe duke e paraqitur aftësinë e madhe shprehëse të gjuhës tonë që konsiderohet ndër gjuhët më të lashta të Evropës dhe që kjo begati e arsyeton këtë mendim.

Do t’i mbetemi përherë mirënjohës autorit Avdyl Sulaj për punën e madhe që ka bërë dhe për të gjithë këtë trashëgimi studimore për kulturën  dhe gjuhën shqipe. Po ta vështrojmë në vëllim të punës, jo vetëm në këtë vepër, por edhe në veprat e tjera gjuhësore, sidomos “Shkrime dhe hulumtime gjuhësore”, të botuar më 2012, të lenë përshtypjen se gjithë ky material gjuhësor do të jetë mbledhur nga një ekip studiuesish, e jo nga një studiues i vetëm, siç ishte Avdyl Sulaj, që investoi një punë dhe energji shumë të madhe  në realizimin e këtyre veprave që na ka lënë si trashëgim.

 

Shkurt,   2019