1.
Dje, 11 marsi – ishte Dita e Azem Hajdarit, ishte Ditëlindja e Tij e 56-të. Fatkeqësisht vet Partia Demokratike që e themeloi, kësaj here, ia mori këtë Ditë-Festën, sepse i Përgjithshmi Sekretar i saj Bardhi doli më në deklaratë politike publike të zezë. Bardhi e zbardhi dhe e nxiu vendimin e PD-së, e cila ia hoqi vajzës së Azem Hajdarit të gjitha funksionet si përfaqësuese e PD-së dhe nuk e quajti antarësi të saj (!)
M’u duk diçka si shkarkimi i Zhukovit nga Hrushovi apo si shkarkimet puçiste të Enverit…! Natyrisht,dihet, ky rasti Rudina nuk i ka këto përmasa tërmetore politike (ndër)kombëtare, po rastet ngjasojnë, përkojnë, dëshmojnë. Dje PD ishte pak Enver e pak Hrushov. Më erdhi keq, paçka se e keqja kësi rasti mbetet në anën e PD-së, në oborrin e saj, te kupola e saj politike, te lajmësi i saj publik!
E deshta me dvet: pse ia prekët shenjtërinë kësaj dite të 11 marsit të djeshëm, të Ditëlindjes së Azem Hajdarit, edhe në koft se Rudina Hajdari do të ishte vet “djalli politik” i Partisë së babës së saj lider themelues e hero i përjetshëm. A s’gjetët tjetër ditë…! A ka kalendar Partia Demokratike?! A asht 11 marsi i Ditëlindjes së Azem Hajdarit në Kalendarin e Saj?! Një parti pa kalendar të tillë të saj kah shkon, kush e merr…?! A mos, kështu e kësisoj, si në këtë rast politik, pa kalendar historik e politik, PD po e kërkon Vitin Zero të saj apo PD po shkon drejt Zero-s së saj…(!)
Një parti politike pa simbole të saj është si Tabela e Mendelejevit pa simbolet e saj. Dhe Azem Hajdari është në Tabelen e Mendelejevit të Partisë Demokratike e të Historisë Politike të Shqipërisë. Atëherit, në koft se doni me ia hjek PD-së Azem Hajdarin merreni për simbol politik Edi Ramën apo këdo tjetër, qoftë edhe Fatos Nanon e Skënder Gjinushin, qoftë dhe të tjerë ma herët e ma larg e ma të mëdhaj në histori shqiptare të komunizmit, sepse këta i keni rrugës politike, ka iu hyjnë kah dritarja, kah don me iu hy edhe kah dera. Gjithkahit. Gjithqysh. Se kur i hjek apo sulmon simbolet e tua politike të partisë tande atëherit mbetesh rimorkio apo vagon politik i tjetrit.
Ndaj po due me dvet prapë e prapë: po me Azem Hajdarin çka patët në këtë Ditë të Lindjes së Tij. A s’gjetët ditë tjetër! A veç Ditëvdekjen te ish selia e PD po doni me ia kujtue gjithnjë e gjithmonë Azem Hajdarit lider e hero?! Po Ditëlindjen e Tij a nuk po doni me ia kujtue e festue Azem Hajdarit…?! A po e shihni PS-së e dal nga mitra e përgjakur e PPSH-së se si po “i rilind” rilindasit e saj të sotëm, po don me i ba epokal, po don me ba epokë të re me ta! Po e rilind vetëveten me Nëntorët e Qershorët e saj…! Kurse ju, Bardhi i PD-së, i Përgjithshmi Sekretar i saj, e “vratë” Azem Hajdarin edhe në Ditëlindjen e Tij…! Makbethianizëm politik apo akt allashqiptarçe!
Azem Hajdari ka lindur e vdekur për të mbetur simbol i Partisë së Tij Demokratike, i Kohërave Shqiptare. Azem Hajdari nuk ka lind në Politikën Shqiptare me e prej Rudina Hajdarit, anipse është vajza e tij politikane edhe në Amerikë, edhe në Shqipëri. Azem Hajdari rilind dhe ka rilindur edhe pas çdo “vrasjeje” të tillë si e kjo e djeshmja e 11 marsit të Ditëlindjes së Tij. Dhe Azem Hajdari sa herë ta thërrasin Partia e tij, PD ka me ardhë në ballë të saj si Gjergj Elez Alia me plagë në trup, të marruna edhe nga e majta, edhe nga e djathta, edhe nga 11 marsi 2019.
2.
Ende nuk po e kuptoj se çka ishte kjo përngutje e tillë e të Përgjithshmit Sekretar të PD-së, z. Bardhi, qo doli në orët e vona të natës e lëshoi një deklaratë publike nëpër terrovinën e natës së 11 marsit 2019. Ishte vonë, tepër vonë. Ora po kalonte 9.00. Ora po vinte 10.00. Njerëzit po shkonin të flinin…Partia po rrinte zgjuar…!
Një përngutje të tillë me deklarata kaq orëvona kam pa për rastin Azem Hajdari veç atëherit kur e vranë te selia e PD-së. Ishte krim, terror, barbari. Ishte ma shumë se e domosdoshme me dalë në atë orë të natës me deklarata publike, edhe PD, edhe Liderët e saj, edhe Shteti vrastar i asaj kohe, i asaj dite të 12 shtatorit 1998.
E panë shqiptarët edhe mbramë vonë në Televizione e Rrjete Sociale një deklaratë të tillë në Ditëlindjen e Azem Hajdarit kur paskeni dalë me lshue lajmin vendimor të ekzekutimeve politike ndaj vajzës së tij, ndaj Rudina Azem Hajdarit. As unë personalisht nuk e mbështes qëndrimin e saj që del kundër Vendimit Politik të PD-së për lënien e mandatit të deputetit, po as nuk kam se si ta duartrokas deklaratën tuaj që e lëshon në mes të natës. Çka të përnguti o Bardhi që nuk prite sa të kalonte nata e zezë terrovinë me riga shiu e të dilte drita, e të binte dielli, e t’i thoshje ato që the, siç i the…Edhe une, kësisoj, do i kisha kursue do fjalë…!
Unë kam shkrue si rrallkush për Azem Hajdarin dhe kurrë në jetën e tij nuk i kam trokit në zyrë për asnjë punë timen, ndonëse hallet e asokohshme i kisha të shumta e do m’i zgjidhte pasi njihena rranjë e degë që kur ka bi lisi mbi tokë, e kena pasë lidhje të mira ndërveti të shumanshme. As Rudina Hajdarin nuk e njof nga afër, të kem ba ndonjë bisedë, të kena pi ndojë kafe apo të na nderonte në ndonjë veprimtari (edhe si kjo e fundit e 4 marsit 2019, që ishte e ftuar disa herë), po jam kanë në zonë të saj për me i ndihmue në fushatë në Laprakë, pasi aty afër banojë e kam njohje të kahershme me disa nga elektorati i saj. Kjo nuk më pengon as me folë për Rudina Hajdarin, paçka se nuk mbetem në dakordësi me vendimin e saj për “mos-djegie të mandatit të deputetit” e ndonjë tjetër lëvizje të saj, me të cilat nuk mundet t’i përngjajë Azem Hajdarit dhe nuk mund të mbetet Rudina Azem Hajdari.
3.
Kqyra historikun e “Çështjes së Rudina Hajdarit” në ditën e djeshme të 11 marsit 2019 dhe pashë në media e rrjete sociale se vendimmarrja ndaj saj ishte marrë menjëherë pas intervistës së saj te “Zëri i Amerikës”. Pak orë ma vonë. Flakëpërflakë. Gurgacim politik.
Pse më ndodh kjo? Pse me ndodh kështu? Nuk është hiç mirë, se na e kujton kohën e Viteve ’90, atëherit kur për deklarata të tilla në “Zëri i Amerikës” nga rregjimi komunist në rënie e në ikje, merrje ndëshkime të randa, edhe politike, edhe ekonomike. Atëhere ende ishte PPSH e Nëntorit 1941 dhe e Qershorit 1991. Pra, po na i kujtoni ato kohë, e ma e keqja, po veproni si në ato kohë! PD nuk duhet të sillet si PPSH, si në këtë rast që e ndëshkon deputeten Rudina Hajdari pas një interviste në “Zëri i Amerikës”. Kaq shpejt, për pak orë, pas pak orëve, nuk do tab ante dhe as nuk e bante as PPSH. Atëherit pse e batë ju,z. Bardhi? Pse ta bante PD? Pse u përngutet në këtë farë mënyre e mënxyre dhe nuk e pritët ditën e sotme të 12 marsit 2019 me dhanë të tilla deklarata me të tilla vendime ndaj Rudina Azem Hajdarit. Edhe unë i kisha kursye do fjalë. Edhe unë të pakten do kisha hesht ndaj një akti të tillë vendimor nga Ju dhe PD…
E ku tjetër të jepte intervistë Rudina Azem hajdari se sa tek “Zëri i Amerikës” apo doni të shkonte te “ERATv Live”. Ndoshta po të shkonte te ERATv Live nuk do ta kishit dhanë deklaratën në darkën e vonë e do të kishit prit lindjen e diellit…Ndoshta…! Sidoqoftë askund ma mirë se te “Zëri i Amerikës” nuk mund të jepte intervistën e saj Rudina Azem Hajdari, sepse në fillimet e Demokracisë e gjithnjë ia hapi dyert e përcolli zanin edhe Azem Hajdarit, babës së saj, po dhe Rudina Hajdari i ka krye studimet universitare në Amerikë, ka qënë diplomate e Shqipërisë në Amerikë, ka qënë punonjëse në Kongresin Amerikan, në stafin e Kongresmenit Amerikan Eliot Engëll – mik i madh i Shqiptarëve, që tashma është Kryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme të Kongresit Amerikan.
4.
E, tjetra, z. Bardhi në deklaratën mediatike theksonit se Rudina Hajdari nuk përfaqëson ma PD-në në Parlament, nuk është deputete e PD-së, nuk është antare e Këshillit Kombëtar të PD-së, nuk është antare e PD-së. Etjerë. E ku ka “etjerë”. Kaq vendime njëherësh ishin tepri dhe në kohën e PPSH e nuk e di se çfarë kënaqësie e motivimi kanë në PD, në strukturat e saj të larta kur veprohet kështu në vendmimarrje të saj. Nuk e di a kishte kohë në ato pak orë të natës e drejt mesnatës që të mblidheshin titullarë e struktura të PD-së për një vendimmarrje të tillë ndaj Rudina Hajdarit. Sepse nuk po kuptohet qartë: Rudina po shkonte drejt një vendimi të tillë apo një vendim i tillë po shkonte drejt Rudinës.
Po mirë a kanë me i pa lanë vetvetes kohë PD si forcë politike, me i pa lanë do gjana që të ecin vet e jo me kaq përnguti nate e me kaq gabime e faje shumëfarësh…! Dihej se Rudina Hajdari ishte e “vetpërjashtuar nga Grupi Parlamentar i PD”, që kur theu vendimin për “djegien e mandateve”, po duket sikur PD e shumkush jashtë saj kërkojnë djegien e politikanes së re Rudina Azem Hajdari, që emër, atësi e mbiemër i ka me merita e lartësi ndër kohëra të historisë, aktualitetit e ardhmërisë.
Historia politike e PD-së është (ç)mësuar me historira të tilla të mandateve të deputetit të PD-së ndaj të rinjve të saj në politikë. Azem Hajdari e kishte moshën e Rudinës kur ia hoqën imunitetin e deputetit. Edhe Lulzim Basha kishte moshën e Rudinës kur ia hoqën imunitetin e deputetit. Edhe Bardhi ka moshën e Rudinës (një vit ma i ri, e një muaj ndërmjet) që del e flet për largimin e saj nga PD. Ka ardhë koha që të rinjtë e politikës të mbajnë njani-tjetrin në politikë, bajnë politikë të re, ta bajnë Shqipërinë e Re dhe jo të jenë si akrepi që e han vetveten, po të jenë Ardhmëri.
5.
E, si përmbyllje, deshta të them diçka tjetër: I Përgjithshmi Sekretar i PD-së, z. Bardhi, thotë në deklaratën e tij politike publike të natovinës së 11 marsit 2019 se Rudina Hajdari “formalisht nuk rezulton e rregjistruar si antare e Partisë Demokratike”. Gaboheni, zoti Bardhi…! Mos nxini gjithçka rreth çështjes së Rudina Hajdarit. A e di pse…?
Rudina Hajdari (me të vllanë, Kirjadin) janë në Partinë Demokratike prej 8 Dhjetorit 1990, atëhere kur ajo ishte veçse 3 vjeçe dhe Azem Hajdari e vuni jeten e tyne garant për Demokracinë Shqiptare, për Partinë Demokratike, për të ardhë dhe ju në krye të PD-së si i Përgjthshmi Sekretar i saj në vitin 2019. Askush tjetër, përveç Rudina Hajdarit e të vllaut nuk e ka përjetuar një rast të tillë, një fat të tillë, që të jenë “garantor” të Demokracisë. Dhe, po t’ua lejonte Statuti i PD-së qysh në atë Dhjetor ’90 do të ishin antarë të Partisë Demokratike.
Nuk duhet të harroni se pas ekzekutimit politik të Azem Hajdarit më 1998 do të ishte Rudina Hajdari as 12 vjeçe që do t’i shërbente Demokracisë e PD-së si e ma shumë e ma mirë edhe se disa liderë të saj, me intervistat e saj, me krijimtarinë e saj politike e poetike, me gjithçka mund të bante një vajzë në ato kushte e në ato kohë të vështira. Nëse Rudina Hajdari nuk qënka e rregjistruar antare e Partisë Demokratike, atëherit as ju nuk duhet të jeni I Përgjithshmi Sekretar i saj, z. Bardhi, se nuk duhet të lejoni që në PD të ketë të tilla raste, që i thoni tani kur iu duhet ma së shumti e për ma së keqi. Në PD nuk duhet të ndodhi që nënkryetari i PD e Kryetari i Grupit Parlamentar të PD të mos jetë antar i PD e të mos votojë në PD “Për një Antar – Një Votë”.
Rudina Hajdari e la Amerikën e erdhi të shërbente në Shqipëri, po atë nuk e kanë lanë as Amerika e as Shqipëria, as PD-ja, as Azem Hajdari, as Demokracia.
Ramiz LUSHAJ
Tiranë, 12 mars 2019