-Intervistë me “Ing.e dritës”, Bardhok Rajta i Lurës, marrë nga publicisti e studiuesi Nikollë Loka –

Pyetje: Në shërbim të vendlindjes si specialist i hidroenergjetikës Bardhok, jeni i lidhur shumë me Lurën dhe natyrshëm lind pyetja: Çfarë ke bërë ti për vendlindjen? Le t’ia nisim nga fillimi, qëkur filluat punë.

Përgjigje: -Kjo pyetje me të drejtë i duhet shtruar çdo përsoni në jetë; çfarëdo pozicioni pune që të ketë patur; që nga njeriu më i thjeshtë. Çdo specialist e veçanërisht ata me arsim të lartë dhe çdo kuadër duhet të kontribuojë për vendlindjen e vet; krahinën e vet dhe rrethin apo qarkun nga e ka origjinën e tij ose të të paraardhësve të tij. Sa më shumë të japësh kontribut dhe vlera, aq më mirë është dhe aq më shumë do të ndjehesh i vlerësuar nga të gjithë, sidomos kur nuk e kthen qëllim në vetëvete që të shërbejë për t’u mburrur se ja kush jam unë. Kur këto punë vijnë natyrshëm në rrjedhën e jetës, vlerësimi dhe nderimi kurrë nuk do të mungojë.

Kur fillova punë, meqë me Lurën, vendlindjen time, lidhjet i kisha shumë të thella dhe të ngulitura shpirtërisht që në fëmijërinë e hershme (këto i kam pasqyruar në pjesën e parë të intervistës), në zbatim edhe të një porosie të veçantë dhe shumë personale të babait tim Lek Rajta  në ditët e para të punës, mora informacion të saktë, shkela fizikisht me këmbë në çdo fshat dhe lagje të Lurës; pashë çdo linje TM 6, 10kV, rrjetet TU dhe kabinat e transformimit, duke komunikuar me të gjithë elektricistët e fshatrave dhe të zones, si dhe me banorët e çdo fshati dhe drejtuesit lokale të pushtetit e të kooperativës bujqësore. E gjitha kjo punë nën përgjegjësinë e specialistit inxhinier elektroenergjitik, i pari në këtë profesion në Dibër. Natyrisht, më vonë këtë punë e bëra në të gjithë Dibrën cep e më cep. Njohja me gjendjen dhe problemet emergjente dhe ato të perspektivës më deshën jo pak kohë,  lodhje e punë të përgjegjëshme për vlerësimet reale dhe përgatitjen e rrugëzgjidhjeve që do të ndërmerrja për përmirësimet dhe ndryshimet që duheshin bërë, duke i paraprirë me programe, studime dhe projekte që duheshin paraqitur dhe mbrojtur jo vetëm në rreth, por edhe në dikasterin përkatës.

Pyetje:  Lura është zona më e thellë e rrethit Dibër dhe atëherë me probleme në furnizimin me energji elektrike?

Përgjigje: Po, Lura është një ndër zonat me malore të Dibrës dhe të Shqipërisë. Përjashtuar fshatin Arrëmollë që është rreth kuotës 600 m, të gjithë fshatrat e tjerë janë mbi 950 m mbi nivelin e detit, prandaj dimri është i gjatë (rreth 5-6muaj) me dëborë dhe klimë të ashpër, ku temperaturat zbresin nga -15⁰ C deri në 20⁰C  dhe dëbora ka arritur në fshatra edhe deri në 2 m lartësi.

Zona e Lurës që nga elektrifikimi që përfundoi në vitin 1970, siç u deklarua në atë kohë, merrte energji elektrike nëpërmjet një rrjeti TM 10 kV nga nënstacioni 35/10kV në Fushë-Alie. Nga kjo linjë ushqeheshin me energji elektrike  fshatrat e Zall-Dardhës; Reçit dhe në linjën fundore fshatrat e zonës së Lurës e më gjërë. Po kështu, linja TM 10kV  ka furnizuar edhe fshatra të zonës së Kukësit dhe Mirditës që janë afër Lurës. Vetëm magjistrali i Linjes TM 10 kV deri në Lurë është rreth 40km, me rreth 50 kabina transformimi 10/0.4kV . Nga ana tjetër, rrjeti rrugor që lidh Lurën është ndër më të këqinjtë që mundet të egzistojë, sa që të merr tmerri ku e mendon se në çfarë rruge duhet të kalosh për të shkuar në Lurë.Të gjitha këto e vështirësonin detyrën e furnizimit me energji elektrike të pandërprerë dhe kryerjen e detyrave të tjera, siç ishin ato të ndjekjes së realizimit të investimeve, studimeve dhe projektimeve për hidrocentralet.

Pyetje: Çfarë ke bërë që ndërprerjet e dritave në atë zonë të jenë më të pakta?

Përgjigje: Sikurse përshkrova më sipër, pas një periudhe njohje të plotë me gjendjen teknike, shqetësimet dhe problemet që duheshin zgjidhur, unë kalova në veprime konkrete, në rradhë të parë në ato punë që duheshin kryer menjëherë dhe që ishin tërësisht në dorën time. Kështu, u mora me organizimin e punës duke përpiluar rregullore të brendëshme që nga ndërrmarrja, reparti i fshatit, zona elektrike përkatëse, brigadat elektrike në zonë dhe deri te pozicioni më i thjeshtë, ai i elektricistit të fshatit duke sistemuar dhe bërë të qartë për këdo detyrimet, detyrat, të drejtat dhe hierarkinë sipas rregullave teknike të shfrytëzimit dhe sigurimit teknik në punë.

Organizova kurset e kualifikimit në të gjithë Dibrën, që zhvilloheshin më shumë rigorizitet. Ne bënim provimet e sigurimit teknik rregullisht sipas afateve të përcaktuara, ku kërkesa e llogarisë ishte maksimale. Në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë Komunale kaluan në kurse kualifikimi (shkollën e Ekonomisë Komunale) me shkëputje nga puna për një vit, pothuajse, të gjithë elektriçistët e fshatrave dhe hidroturbinistat e hidrocentraleve të vegjël.

Po kështu, të gjithë punonjësit e rinj që mori ndërrmarrja nder vite kishin arsim te mesëm profesional. Të gjitha sa më sipër e rritën shumë nivelin tekniko-profesional të punonjësve dhe rezultatet nuk vonuan të vijnë në të gjitha drejtimet e punëve që nga fshati e deri në ndërrmarrje.

Në kohë të ndryshme, ne u detyruam të bëjmë riorganizime të ndryshme, sepse deri në vitin 1976 ne kishim në administrim vetëm rrjetin TM dhe kabinat e transformacionit, kurse rrjetat TU ishin në administrim dhe pronësi të kooperativave bujqësore së bashku me elektricistët e fshatrave.

Kjo gjë e vështirësonte shumë furnizimin me energji elektrike të pandërprerë për çdo konsumator dhe ndjekjen e problemeve të tjera teknike si niveli i humbjeve të energjisë elektrike në rrjetet TU të fshatrave, si dhe problemet e mirëmbajtjes së linjave TU për qëndrueshmëri mekanike. Pothuajse të gjitha linjat TU të fshatrave ishin me shtylla druri që nga elektrifikimi dhe kishte filluar amortizimi dhe dëmtimi i tyre, prandaj duke e ngritur këtë shqetësim të madh në shkallë vendi, deri në Qeverinë e asaj kohe,  u mundësua që me vendim të Këshillit të Ministrave të gjithë këto asete të kalonin nga kooperativat bujqësore që ishin pronë grupi në pronë shtetërore pranë ndërrmarrjeve elektrike të Ministrisë së Ekonomisë Komunale. Kjo situatë e re kërkonte riorganizim dhe marrje të masave teknike e organizative për të përballuar situatën dhe u desh një punë shumë intensive për ta sjellë punën në nivelin e atyre kërkesave që duheshin për t’iu përgjigjur nevojave të furnizimit me energjie elektrike të pandërprerë të popullatës dhe ekonomisë të Dibrës me standarte të plota teknike.

Menjëherë filluam investimet në fshatra për zëvendësimin e shtyllave të drurit në rrjetet TU me shtylla betoni, fillimisht në fshatrat e zonës fushore të Dibrës dhe gradualisht në të gjithë Dibrën.

Pas këtyre masave, filloi vlerësimi real i gjëndjes së rrjeteve,  transformatorëve dhe paisjeve të kabinave elektrike në çdo fshat me laboratore portative dhe në qënder të ndërmarrjes, në Peshkopi u ngritën lboratorë të rinj nën drejtimin tekniko-organizativ timin, ku filloi koalidimi i matësave njëfazorë të energjisë elektrike, për të njohur saktësisht gjëndjen dhe kthimin në kushte teknike, duke nxjerrë realisht nivelin e humbjeve teknike të energjisë elektrike dhe marrë masa për uljen e tyre në parametra normalë.

Meqë në ato vite ndërlidhje telefonika ishte shumë e vështirë, pasi kishte vetëm telefonë manual për çdo fshat, ne u detyruam të ngremë shërbimin 24 orësh në qendër të çdo brigade, sidomos në zonat malore dhe të largëta si Lura, Klenja, Golloborda, Bulqiza, Zerqani, Okshtui, Kalaja e Dodë, Sllova, Selishta etj. ku monitoronim gjëndjen dhe merrnim masat organizative për likuidime avarish, sidomos në dimër kur kishte shumë rreshje dëbore. Një nga masat e tjera që përmirësuan situatën dhe ngritën nivelin e shërbimit në çdo cep të Dibrës qenë remontet e nevojshme teknike, sidomos të linjave që bëheshin dy herë në vit, një herë në pranverë pas daljes nga dimri dhe njëherë tjetër në vjeshtë, para se të hynim në dimër. Po kështu, sigurimi i një rezerve të domosdoshme materiale siç ishin izolatorët TM, vaj transformatori, përcjellës të çveshur AC të seksioneve të ndryshme, allçi; etj., të cilat në ndonjë rast liheshin në vende të sigurta edhe në shpella në mal meqë ishin të vështira të mbarteshin dimrit në shpinë.

Këto dhe shumë masa të tjera ndër vite sollën ato rezultate që ne prisnim. Këtë detyrë e kam kryer për çdo pjesë të Dibrës por dua të theksoj se zonën e Lurës time e kam patur në plan të parë dhe përpara çdo zone tjetër. Këtë e them hapur pa patur ndonje merak se kam gabuar.

Edhe sot unë ndjek kudo që jam problemet e furnizimit me energji elektrike të pandërprerë dhe me cilësi në Luren time. Për këtë qëllim, që para dy viteve kam hartuar projektin e ndryshimit të furnizimit me energji elektrike nga nënstacioni 35/10kV Fushë-Alie në nënstacionin 110/20/6kV në Arrëmollë të Lurës, duke dhënë një zgjidhje përfundimtare për Lurën.

Për t’u realizuar kjo, unë këtë problem e ngrita edhe në vitin 2018 gjatë takimeve që pati kryeministri Edi Rama në Lurë me banorët e saj, ku morëm premtimin për zgjidhje dhe po vazhdoj ndjekjen e kësaj detyre.

Pyetje: -Para viteve nëntëdhjetë a keni bërë ndonjë projekt hidrocentrali për Lurën? 

Përgjigje:-Para viteve 1990, unë kam vazhduar të merrem me studime në fushen hiroenergjitike në faza të ndryshme të saj por, sikurse dihet, investimet në këto fusha erdhën duke u shuar pas vitit 1980, pasi ato makineri e paisje hidrocentralesh të vegjël kishin ardhur nga Kina gjatë elektrifikimit. Në mungesë të pajisjeve, puna në këtë fushë pothuajse u ndërpre. Investimi i fundit në Dibër u realizua në Muhur, ku u montua hidroturbina e parë prodhim shqiptar, process që u udhëhoq nga i mirënjohuri profesor Dhimitër Mihali me prodhim të UMB Korçë dhe gjeneratori në UEM Tiranë nën drejtimin e profesor Jorgji Kora. Në këtë proces nga fillimi e deri në fund unë isha bashkëpunëtor në grupin e punës që u ngrit për këtë qëllim.

Unë kam vazhduar me idetë e mia punën pa ndërprerje, por investimet munguan dhe u deshën ndryshimet e sistemit që studimi i parë në shkallë vendi të kalojë në këshillin shkencor të Institutit të Energjitikës në vitet 1994 -1995 për tre hidrocentralet e kaskadës hidroenergjitike “Molla e Lurës”.

Pyetje: Nëse po, përse nuk u vu në zbatim?

Përgjigje: Sikurse theksova më sipër, ekonomia shqiptare kishte filluar rënien pa kthim dhe investimet në energjitikë u ndërprenë dhe; vetëm në 15 vitet e fundit kanë rifilluar masivisht, veçanërisht pas vitit 2005 kur vendin e drejtoi qeverisja e demokratëve dhe vetëm me investime private vendase dhe të huaja. Një arsye tjetër madhore e zbatimit të investimeve në fushën e hidroenergjisë për hidrocentralet e vegjël ka qenë edhe praktika që veprat e vogla hidroenergjitike të realizoheshin në bazë të investimeve që kish realizuar bujqësia për vaditjen, ku shumica e këtyre veprave vaditëse ishin burime të sigurta të marrjes së ujit, por kishin kanale të papërshtatëshme dhe shumë herë direkte në dhé (toke), ishin pa veshje me llaç betoni apo pllaka betony, pa dekantues që ishin të domosdoshëm për hidrocentralet, sepse bujqësia i shfrytëzonte këto vepra vetëm në verë rreth 3-4 muaj, kur edhe sasitë e ujit ishin jo të plota.

Këto zgjidhje krijonin shumë probleme në shfrytëzim dhe, çfarë është më e rëndësishmja, nuk u shfrytëzuan asnjëherë në mënyrë efektive rezervat hidroenergjitike që kishin rrjedhat ujore.

Pas ndryshimit të sistemit në vendin tone, këto gjëra u korigjuan në studimet dhe projektet që u hartuan, duke zbatuar normat europiane të ditëve të sotme për shfrytëzimin kompleks dhe me efektivitet të lartë të rezerave tona hidroenegjitike.

Pyetje: Meqë jemi te projektet dhe kjo nuk është një punë e lehtë, sa kohë kërkon që të hartohet një projekt?

Përgjigje: Edhe në intervistën e parë e kam trajtuar këtë problem që ju ngrini në pyetjen tuaj, por meqë u bë kjo pyetje, mendoj se duhen dhënë disa shpjegime më të hollësishme. Po mundohem ta përshkruaj këtë proces të komplikuar shumëplanësh dhe shumëdimensional në disa shkenca egzakte që asnjëherë nuk mund të jetë produkt i një specialisti të vetëm, por i disa specialistëve të domosdoshëm që fillojnë me hidrologun, hidroteknikun, gjeologun, elektroenegjitikun, topografin, specialistin e mjedisit, inxhinierin ndërtues, inxhinierin mekanik, specialist financiarë etj, etj. deri te përpunuesit si procesi më i thjeshtë. Me ndryshimet që janë bërë në legjilacion për projektimet, duhet të ketë byro projektimi të liçensuara, ku atashohen specialistët përkates të liçensuar të profesioneve që përmenda.

Përsa i përket kohës për realizimin përfundimtar të një projekti zbatimi për një vepër hidroenergjitike, duhet të themi se ka disa faza që po i shpjegojme më poshtë:

Pasuritë ujore janë pronë e shtetit kudo që ato janë dhe jepen në përdorim të përsonave juridikë shtetërorë, vendas apo të huaj për qëllim shfrytëzimi.

Që të mund të bëhet shfrytëzimi i këtyre pasurive, në rradhë të parë duhet ditur se çfarë të dhënash ka, apo çfarë të dhënash duhen gjetur, studjuar, grumbulluar dhe kush investitor apo grup investitorësh shtetëror, apo privat, vendas apo i huaj shfaq interes për financimin në këtë fushë.

Grumbullohen studime apo të dhëna për objektin konkret dhe grupi investitor futet në marrëdhënie me specialistët projektues që mbulojnë këtë fushë, qofshin individë apo studio projektimi që kanë liçensat përkatëse dhe janë me përvojë në këtë punë, kundrejt detyrimeve në mes të palëve, që përcaktojnë kërkesat për qëllimin e kësaj faze që quhet “studim në fazën e fizibilitetit për hidrocentralin X me këto karakteristika: vendndodhja; burimi ujor lumë apo prrua, njësia administrative” dhe, që në aktmarrëveshje është rënë dakort për afatin e kryerjes së punës në këtë fazë.

Kjo fazë ka marrë parasysh të gjitha punët dhe kohën që duhet domosdoshmërisht për çdo faze, sepse nuk mund të punohet njëkohësisht dhe fillimisht grupi projektues, pasi ka grumbulluar të dhënat teknike në buletinët shtetërore; sistemin hartografik e të dhëna të sistemimit elektroenergjitik kombëtar, rrugët lidhëse, nëse ekzistojnë ose jo e të   tjera, duhet të bëjë atë që quhet rikonjicion në terren, duke shkelur në këmbë pëllëmbë për pëllëmbë vendet ku mendohet të jenë vepret e këtij objekti hidoenergjitik.

Në këtë grup domosdo do të jetë hidrologu, gjeologu, hidrotekniku, inxhinieri elektroenergjitik, topografi etj.

Koha për këtë fazë nuk është kurrë e njëjtë për çdo objekt, sepse në një vepër marrje të ujit apo në vendndërtimin e basenit të presionit, vend kalimin e tubacionit të presionit etj. duhen kryer shpime gjeollogjike dhe për të shkuar atje duhen rrugë etj. Pra duhet një kohë mbi atë që bëhet normalisht e kështu edhe për të tjera gjëra. Pra koha për këtë fazë mund të jetë disamujore  e më shumë.

Pas hartimit të studimit në fazën e mësiperme, investitori është gati të paraqesë në Ministrinë përkatëse kërkesën për këtë investim. Nëse Ministria i jep të drejtën e vazhdimit të kërkesës, nga ana e investitorit plotësohet dokumentacioni që i kërkohet për basenin e ujrave të rrjedhës ujore, dokumentacionin që kërkohet nga OSHEE ose OST, miratimin në parim për lidhjen e hidrocentralit në sistemin elektroenergjitik shqiptar dhe garancitë bankare e organizativo – teknike, se ka mundësi të financojë dhe zbatojë në kohë këtë investim.

Kur përfundimisht, me garë koncesionare, nëse objekti është me fuqi të instaluar mbi 2MW ose pa garë, sipas ligjit për ato vepra nën 2MW,  Ministria jep dritën jeshile me dokument për ndërtimin e kësaj vepre. Atëherë investitori kalon në fazën tjetër, atë të hartimit të projekt-zbatimit për veprën. Atë punë investitori mund ta realizojë me atë studio që ka bërë fazën e parë ose me studio projektimi të tjera që e gjykon vetë të arsyeshme. Logjika e kërkon që ta vazhdojë punën me atë studio që ka realizuar fazën e parë, por jo gjithnjë ka ndodhur kështu për arsye nga më të ndryshmet.

Kjo fazë zgjat më shumë, pasi sipas ligjeve të fushës së ndërtimit, duhet leje-mjedisi që nga rrethi deri në Ministri; leje në zonën pyjore në rreth dhe Ministri; leje nga institutet e arkeologjike dhe lejet përfundimtare për basenin e ujrave; leje nga OSHEE ose OST, miratimin e projekt -zbatimit të veprës në KKRRT e rrethit ose të KM dhe pastaj në Entin Rregullator të Energjisë. Të gjitha këto zgjasin jo pak kohë disa herë edhe me vite.

Në gjithë këtë punë që kryhet, roli i projektuesve është që të hartojnë në nivel bashkëkohor projektet në të gjitha fazat e tij dhe t’i mbrojnë para organeve ligjore, kurse detyrimet e tjera janë të investitorëve që financojnë realizimin e këtyre objekteve hidroenergjitike.

Pyetje: Përveç punës mendore, detyra e projektuesit a kërkon edhe lodhje fizike, shikimin me hollësi të terrenit dhe ndjekjen në vend të punimeve?

Përgjigje: Sikurse e përshkrova më sipër, përveç punës profesionale dhe me përgjegjësi të lartë teknike që natyrisht kërkon të jesh profesionist i nivelit të duhur, një rëndësi shumë të madhe dhe të pazëvendësueshme ka puna për njohjen e terrenit ku do të zhvillohen pjesët e projektit dhe ku duhet shkelur pëllëmbë për pëllëmbë dhe dokumentuar çdo gjë teknikisht. Kjo kërkon jo pak mund e lodhje, po të kesh parasysh edhe faktin që këto vepra zhvillohen gjithnjë në terrene malore dhe disa herë shumë të rrezikshme. Përsa i përket ndjekjes së punimeve këtë ne e kemi realizuar kur na është kërkuar nga investitori, sepse puna kryhet nga supervizorët që zakonisht nuk janë projektues.

Pyetje: E kujt është ideja e ndërtimit të hidrocentraleve në Lurë?

Përgjigje: Për hidrocentralet e lumit “Molla e Lurës”, kaskadë hidroenergjitike me 3 hidrocentrale (është shtuar edhe një i katërt), për kaskadën hidroenergjitike ”Seta e Lurës” me 3 hidrocentrale (është shtuar dhe një i katërt), që janë në shfrytëzim dhe po vihen në shfrytëzim  si dhe per hidrocentalin “Kurora e Lurës’, “Bakullena” dhe “Kroi i Bardhë në burimet e Setës (të gjitha këto në njësinë administrative Lurë), të cilat janë projekte në fazën e fizibilitetit dhe po pritet miratimi nga Ministria përkatëse, ka qenë që nga fillimi inisiativa dhe këmbëngulja përsonale e imja për ti çuar deri në fund, vepra të cilat janë një pasuri e madhe e zonës së Lurës.

Pyetje: Kur filloi të materializohet ky projekt?

Përgjigje: Materializimi i realizimit të investimit për kaskadën hidroenergjitike “Molla e Lurës” me 3 hidrocentrale filloi pas vitit 2005, kur qeveria i kushtoi një rëndësi të madhe mbështetjes së investimeve në fushën e hidrocentraleve të mesëm dhe të vegjël. Atëherë edhe kjo kaskadë u kalua në garë koncesionare që u fitua nga kompania “ERDAT” me administrator z.Preng Doçi. Pas disa kohëve u arrit marrëveshja me një kompani italiane për investim të përbashkët dhe u fillua puna në të gjithë fazat ligjore deri sa projekti filloi të zbatohej. Rreth vitit 2012 u bë e mundur të fillonte prodhimi dhe tani ka disa vite që e gjithë kaskada është vënë në shfrytëzim jo vetëm për këto 3 hidrocentale, por edhe për një të katërt më poshtë në zonën e Reçit. Po kështu është punuar intensivisht edhe në kaskadën hidroenergjitike “Seta e Lurës” që është  në fazën e përfundimit.

 

Pyetje: Kush ishte përveç jush në grupin projektues?

Përgjigje: Sikurse e kam theksuar, puna hartuese e një projekti hidroenrgjitik kërkon specialistë të shumë profesioneve. Unë me ngushtë dhe për një kohë të gjatë kam punuar, para viteve 1990  për kaskadën hidroenergjitike “Molla e Lurës” me inxhinierin hidroteknik Leonard Kaçinari dhe specialistë të tjerë të Institutit projektues të Ekonomisë Komunale dhe Institutit Energjitik pranë KESH si Kiço Joti, Eleni Sheremeni, Theodhori Kule, gjeologun Mark Luli etj.

Pas viteve 1990, kur institutet projektuese u shthurën deri në shpërbërje, jemi grupuar vetë si specialistë. Kam patur fatin të bashkëpunoj me inxhinier hidroteknik Stavri Peçi; Dr i Shkencave Gjeologjike Lili Dhame, inxhinierin hidroteknik Hajri Sula, inxhinier gjeolog Fatos Zebi dhe prej shumë vitesh me inxhinierin e talentuar  hidroteknik Androman Mullademi. Gjithashtu kemi bashkëpunuar me hidrologë të shquar si profesor Koço Karanxha; profesor Agim Sinoimeri; inxhinier mekanik Lulëzim Çaushi; grupe dhe studio topografike me aftësi si ajo e drejtuar nga Jak Suli e shumë e shumë të tjera.

Pyetje: Sa puntorë dhe personel teknik u angazhua në zbatimin e projektit tuaj në hidrocentralet Lura 1, Lura 2 dhe Lura 3?

Përgjigje: Në këto punime u angazhua në shumë fronte njëkohësisht për të  tre hidrocentralet një përsonel i mjaftueshem inxhiniero-teknik që për një peridhë relativisht të shkurtër të realizohej gjithë ai volum punimesh civile si në veprat e marrjes së ujit, kanalet e derivacionit, basenet e presionit, tubacionet e presionit, godinat dhe linjat 20kV, nënstacioni 110/20/6kV dhe linja 110 kV Arrëmollë-Kurbnesh rreth 16km, duke bërë të mundur vënien në shfrytëzim të kësaj vepre me rreth 17MW fuqi të instaluar.

Në këtë vepër punuan në tre vite e gjysëm deri në 470 punonjës të profesioneve të ndryshme, mjete të rënda si 6 eskavatorë, dy fadroma, tre fabrika betoni, mbi 6 copë automjete të tonazheve të rënda etj dhe në total për të gjithë veprën, në të gjitha pjesët e saj deri në vënien në shfrytëzim u financuan rreth 23 milion euro investime. Tani në tre hidrocentralet punojnë në kohë të përherëshme 24 punonjës të thjeshtë si operatorë në shfrytëzim dhe ruajtjen e pikave të rëndësishme të objekteve.

Pyetje: Cili është roli juaj gjatë procesit të zbatimit të projektit?

Përgjigje:- Gjatë procesit të zbatimit të investimeve në hidroenergjitike dhe në çdo fushë tjetër para ndryshimeve të sistemit grupi projektues dhe investitori ndiqnin punimet në çdo hap deri në vënjen në shfrytëzim të veprës. Kurse në kushtet e ekonomisë së tregut, vendimtar në ndjekjen dhe vënien në shfrytëzim të këtyre veprave janë investitorët, kurse grupi projektues, në çdo rast që i kërkohet, jep kontributin e tij. Supervizorët ligjërisht kanë detyrën e ndjekjes deri në fund të këtyre punëve.

Pyetje: Na fol për vështirësitë që u ndeshën gjatë procesit të zbatimit të projektit në të tre hidrodcentralet: Lura 1, Lura 2 dhe Lura 3?

Përgjigje: -Më saktë dhe me përgjegjësi për vështirësitë në realizimin e këtij investimi do të flisnin sipërmarrësit e zbatimit të punimeve dhe investitori; por unë mund të theksoj se duke patur parasysh volumet e mëdha të punimeve; llojet e punimeve të ndryshme që duheshin kryer; vështirësitë e jashtëzakonëshme të terrenit dhe klimes se në këtë vepër është kryer një punë e jashtëzakonshme që nuk mund të besohet të jetë kryer në periudhën kohore prej 3 vite e gjysëm nga fillimi i punimeve deri në vënjen në shfrytëzim. Por një organizim shumë i mirë i punës dhe puna e njëkohëshme në shumë fronte dhe objekte njëherë bënë të mundur në një kohë rekord do të vlerësoja unë vënjen në shfrytëzim të kësaj kaskade hidroenrgjitike.

Pyetje: Cilat ishin përfitimet e Lurës në fazën e ndërtimit të hidrocentraleve, sa vetë u punësuan, sa zgjati ndërtimi etj.?

Përgjigje: Natyrisht që përfitimet e zonës së Lurës kanë qenë të konsiderueshme. Asnjëherë në historinë e saj nuk ishin financuar 23 milionë euro dhe vështirë se do të realizohem, (përjashto  investimet në Gur-Lurë për kaskaden hidroenergjitike të Setës, ku investimet afrohen rreth 20 milionë euro). Pra vetëm nga pasuritë hidroenergjitike, deri tani në Lurë po investohen rreth 50 milionë euro. Sikurse theksova më lart, vetëm në kaskaden hidroenergjitike “Molla e Lurës” me tre hidrocentale kanë punuar në një periudhe prej 3 vite e gjysëm rreth 400-500 punonjës dhe tani në shfrytëzim përfundimisht janë të punësuar rreth 30 veta.

Në bazë të projektit të hartuar nga ana ime që prej dy vitesh dhe që i është dhënë njësisë administrative Lurë dhe bashkisë Dibër, ka kaluar furnizimi me energji elektrike i zonës së Lurës  në nënstacionin 110/20/6kV Arrëmollë, duke rritur sigurinë dhe cilësinë e furnizimit të pandërprerë të Lurës me energji elektrike. Për këtë ka edhe një premtim nga kryeministri Rama gjatë takimit me banorët e Lurës në vitin 2018.

Pyetje: Po përfitimet e rrethit të Dibrës?

Përgjigje: Duke qenë njesi administrative e Dibrës, çdo ndikim pozitiv në Lurë pasqyrohet edhe në rezultatet si bashki, si shtesë e prodhimit industrial, por edhe në raport me ekonominë kombëtare. Nëse legjilacioni do të ishte në nivelet europiane, Lura por edhe Dibra do të merrnin përqindje të rëndësishme nga fitimi financiar prej prodhimit të energjisë elektrike në Lurë nga dy kaskadat hidroenergjitike që shfrytëzojnë pasuritë ujore që ka dhuruar Zoti në këto vende.

Shpresojmë që afrimi me Europën të shoqërohet me ndryshime në legjislacion, që do të favorizojë Lurën dhe Dibrën me fitim nga këto burime.

Pyetje: Pas vënies në punë të hidrocentraleve, cili është përfitimi për Lurën dhe në përgjithësi për Dibrën?

Përgjigje: Shpjegimet i bëra më lart. Shpresoj që përfitimet të jenë reale dhe me interes si për Lurën edhe për Dibrën.

Pyetje: Si ndiheni tani kur hidrocentalet Lura 1, Lura 2 dhe Lura 3 në vendlindjen tuaj ndihmojnë në zhvillimin ekonomik të zonës dhe të vendit?

Përgjigje: Kësaj pyetje të fundit, duke ju falenderuar po i përgjigjem pa asnjë medyshje apo modesti. Jam krenar që në jetën dhe veprimtarinë time profesionale unë si bir i Lurës me kontributin tim si bashkëautor dhe udhëheqës i këtyre projekteve dhe të tjerave që janë në proces kam arritur ta realizoj deri më tani mbi 85 përqind të ëndrrës time për shfrytëzimin hidroenergjitik të rezervave ujore të Lurës. Nuk e di se çfarë na sjell jeta, por unë detyren time ndaj Lurës nuk e quaj të përfunduar dhe asaj do ti jem borgj sa të jetoj, që vendlindja ime e mrekullueshme Lura, perlë dhuratë të madhit Zot të bëhet ashtu siç e meriton.

-Ju faleminderit!

Një foto nga puna në terren sëbashku me një grup punonjësish të HEC-it Arras

Vepra e marrjes së ujit  dhe dekantuesi në Hidrocentralin Ostreni i Vogël – Bulqizë.