Ballina ED/OP Hysen Osmanaj: Shqipëria rrezikon të ketë zgjedhje si të Gruevskit

Hysen Osmanaj: Shqipëria rrezikon të ketë zgjedhje si të Gruevskit

Lindita Bushgjokaj

Ish-nënkryetari i KQZ-së Hysen Osmanaj, në një intervistë për gazetën “Shekulli” flet për situatën aktuale politike në vend, procedurën ligjore që duhet të ndjekë KQZ-ja për zëvendësimet e kandidatëve të listës në rastet e krijimit të vakancave, të shkaktuara nga djegia e mandateve të opozitës. Përgjatë kësaj bisedë, Osmanaj, tha se nuk mund të ketë zgjedhje parlamentare pa opozitën.

Intervista e plotë:

Osmanaj, situata politike në vend ka marrë një rrjedhë tjetër pas djegies së mandateve nga ana e opozitës shqiptare. Çfarë parashikon legjislacioni i KQZ-së për një situatë të tillë?

Lidhur me situatën politike në vend ligji zgjedhor nuk parashikon zgjidhje, por janë institucionet e tjera që u takon të merren me zgjidhjen e tyre. Në rastin e djegies së mandateve nga opozita, janë forcat politike, Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendi që duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm për zgjidhje në mënyrën më të mirë të mundshme. KQZ-ja është organi më i lartë shtetëror për administrimin e zgjedhjeve në përputhje me rregullat e përcaktuara në ligjin zgjedhor. Në situata normale në zbatim të ligjit zgjedhor, KQZ-ja ka për detyrë vetëm të plotësojë vakancat kur informohet me shkrim nga Kuvendi, i cili ka për detyrë brenda 30 ditëve të njoftoj KQZ-në për krijimin e vakancës, pas marrjes së njoftimit për krijimin e vakancës. KQZ në zbatim të nenit 164 të ligjit zgjedhor dhe ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” (ligji për dekriminalizimin) dërgon kandidatin e radhës nga lista e partisë nga e cila është krijuar vakanca, ose nga koalicioni ku kjo parti bën pjesë, në rast se është shteruar lista e asaj partie që i është krijuar vakanca. KQZ-ja njofton partinë politike dhe kandidatin vijues për plotësimin e formularit të dekriminalizimit, formular i cili duhet të plotësohet nga kandidati dhe të dorëzohet në KQZ brenda 10 ditësh. Po nuk u plotësua brenda këtij afati, kandidati e humbet të drejtën për të marrë mandatin, kështu që KQZ-ja vazhdon me kandidatin vijues në listë. Sa cituam me lart është rasti kur kemi një situatë normale për plotësimin e vakancave, por në rastin konkret kemi një situatë anormale kur forcat politike kanë djegur mandatet dhe për mendimin tim përveç mandateve të fituara edhe listat janë të djegura, ky është vullneti politik i këtyre forcave politike që kanë hartuar listat e kandidatëve. KQZ-ja nuk ka të drejtë të vijojë me ato lista pasi janë lista partie, për të cilat është votuar dhe nuk është votuar për kandidat, sistemi zgjedhor është sistem proporcional rajonal i pastër. Këtë që them e vërteton dhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese në vitin 93, biles atëherë kemi patur sistem zgjedhor mazhoritar për 100 mandate, i reduktuar me proporcional për 40 mandate.

 A ka pasur ndonjë precedent tjetër për sa i përket kësaj situate, në lidhje me djegien e mandateve të një force politike?

Unë jam marrë me zgjedhjet që nga viti 1991 dhe nga viti 1996 si anëtar i KQZ-së me kohë të pjesshme dhe të përhershme për dy mandate. Me përvojën që kam, mund të ju them se nuk kemi patur rast të tillë, por të mos harrojmë se i ngjashëm ose më shume i dëmshëm për vendin ka qenë situata e krijuar pas zgjedhjeve të vitit ‘96 kur partitë opozitare PS, PSD e të tjera e bojkotuan parlamentin, nuk zunë vendet e tyre në kuvend dhe si rrjedhojë rrodhën ngjarjet e 1997. Unë afërsisht e kam parashikuar një situatë të tillë përpara zgjedhjeve të 2017 kur opozita ishte në protestë në “Çadër”, unë isha Zv/Kryetar i KQZ-së dhe në takim me OSBE-në (takimin e drejtonte ambasadori z.Borchardt dhe përfaqësitë diplomatike në vend) kam deklaruar se nuk ka zgjedhje parlamentare pa opozitën, pasi nuk jemi më si para viteve ‘90, në monizëm. Opozita do hyjë në zgjedhje, por nuk do të këtë zgjedhje të lira dhe demokratike, por do të ketë zgjedhje si të Gruevskit në Maqedoni ku unë isha vëzhgues, dhe mjerisht parashikimi më doli ja ku jemi me keq se Maqedonia.

Osmanaj deri në cilën datë kanë afat për tu regjistruar deputetët e PD pranë KQZ-së?

Afati i regjistrimit të kandidatëve pranë KQZ-së nuk është e përcaktuar në mënyrë eksplicite, por duke ju referuar afatit të përcaktuar për Kuvendin, duhet të përcaktohet me akt normativ nga KQZ një afat 30 ditë. Referuar ligjit të dekriminalizimit ata kanë afat vetëm 10 ditë, pasi të marrin njoftimin për plotësimin e formularit të vetëdeklarimit.

 Kuvendi shkeli ligjin zgjedhor

Gjithashtu, Osmanaj tha për “Shekulli”-n, se Kuvendi ka shkelur ligjin gjatë procedurës së ndjekur për zëvendësimet e vakancave në KQZ. Me këtë argument shpjegon vakancat që ka opozita me anëtaret në KQZ.

A mund të ketë kundërshti brenda vetë institucionit të KQZ-së në marrjen e vendimeve për anëtarët e rinj për deputetë?

Nuk besoj se mund të ketë kundërshti, mjerisht dhe ky institucion tani është i uzurpuar nga mazhoranca. Përfaqësuesit e opozitës janë të përjashtuar nga mënyra se si u plotësuan vakancat në KQZ nga Kuvendi, i cili veproj në kundërshtim flagrant me ligjin zgjedhor dhe me një praktikë ndryshe nga herët e tjera kur janë plotësuar vakancat e KQZ-së. Po të ishte ndjekur kjo praktikë në vitin 2015, kur mazhoranca plotësoj vakancat në Komision atëherë KQZ do të kishte 6 (gjashtë) anëtarë nga opozita dhe 0 (zero) anëtarë nga mazhoranca. Aktualisht në KQZ janë 4 anëtarë të mazhorancës kur ligji e përcakton që duhet të ketë 3 anëtarë mazhoranca dhe 3 anëtar opozita.