Ligjëvënësit evropianë janë shumë të shqetësuar për lidhjet mes Rusisë dhe partive të ekstremit te djathtë si dhe disa qeverive evropiane siç është rasti i Hungarisë. Kështu thuhet në një rezolutë të miratuar me shumicë votash nga Parlamenti Evropian.

“Parlamenti Evropian kërkon një mekanizëm të gjerë të BE-së që lejon kontrollin e financimit të partive politike dhe masat që duhet ndërmarrë për të shmangur përdorimin e disa partive dhe lëvizjeve për të destabilizuar projektin evropian nga brenda”, thuhet në rezolutë.

Rezoluta gjithashtu shpreh shqetësim për “potencialisht qindra miliarda euro që pastrohen çdo ditë përmes BE-së nga kompanitë ruse dhe individët që kërkojnë të legjitimojnë të ardhurat e korrupsionit”.

Raporti iu bën thirrje vendeve anëtare të BE-së t’i japin fund programeve të “vizave të arta” .

Programi i “vizave të arta” zbatohet nga disa vende evropiane të cilat sigurojnë viza ose nënshtetësi për të huaj që janë të pasur. Ky program është përballur me kritika nga vëzhguesit pasi vlerësohet se mund të jetë i prekur nga korrupsioni.

Rezoluta e Parlamentit Evropian potencon se Rusia “nuk mund të konsiderohet edhe më tutje partner strategjik” dhe se BE-ja nuk mund të bëj biznes të zakonshëm me Rusinë përderisa Moska nuk i zbaton në tërësi “Marrëveshjet e Minskut” të cilat janë bazë për arritjen e paqes në lindje të Ukrainës, si dhe rivendosjen e integritetit territorial të saj.

Rezoluta e quajtur “Gjendja e raporteve BE-Rusi” nuk është obligativ megjithatë përfaqëson pozicionin e Parlamentit Evropian në raportet me Moskën.

Please follow and like us: