Ballina Aktualitet Buxheti i ri i SHBA-së 5% shkurtime në shpenzimet e brendshme qeveritare

Buxheti i ri i SHBA-së 5% shkurtime në shpenzimet e brendshme qeveritare

Këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë Larry Kudlow thotë se Presidenti Donald Trump do të kërkojë 5 për qind shkurtime të shpenzimeve të brendshme të qeverisë për vitin 2020 kur të propozojë buxhetin e tij të ri të hënën.

“Do të jetë një buxhet i vështirë”, tha zoti Kudlow për kanalin Fox News. “Do të vendosim shkurtime të shpenzimeve tona këtë vit dhe mendoj se një gjë e tillë është e vonuar shumë.”

Zoti Kudlow tha se “disa prej marrëveshjeve të fundit buxhetore nuk kanë qenë të favorshme për shpenzimet. Pra, unë mendoj se është pikërisht ajo që duhet”.

Propozimi i tretë i buxhetit të zotit Trump gjatë presidencës së tij, për vitin që fillon në tetor, pritet të ketë një opozitë të gjerë nga ligjvënësit demokratë dhe disa republikanë, duke nisur muaj bisedimesh vetëm disa javë pas një mbylljeje rekord të qeverisë prej 35 ditësh pas mosmarrëveshjeve për shpenzimet qeveritare të këtij viti.

Diskutimi i fundit u përqendrua në kërkesën e presidentit Trump për më shumë se 5 miliardë dollarë për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit me Meksikën për të penguar imigracionin e paligjshëm. Kur Kongresi hodhi poshtë kërkesën e zotit Trump, ai shpalli një emergjencë kombëtare për të anashkaluar autorizimin e kongresit për të mbledhur fonde të caktuara për projekte të tjera për të ndërtuar murint. Kongresi tani po shqyrton mundësinë e revokimit të shpalljes së emergjencës dhe 16 shtete e kanë hedhur në gjyq qeverinë.

Agjencitë amerikane të lajmeve njoftuan se zoti Trump do të kërkojë të paktën 8.6 miliardë dollarë në financimin e murit të ri në buxhetin e vitit 2020. Njoftimet thonë se shkurtimet e buxhetit nuk do të ndikojnë programet popullore që sigurojnë fonde për kujdesin shëndetësor dhe pensionet për amerikanët e moshuar, por do pakësojnë financime të tjera për programet e brendshme ndërsa do të nxisin shpenzimet e mbrojtjes.

Këshilltari ekonomik Kudlow tha se ai pret një luftë të re mbi financimin e murit kufitar.