Erdoğan tha se duhet promovuar hulumtimet arkeologjike në mënyrë që të zbulohen më shumë artefakte dhe lokacione historike në rajonin Anatolia.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka inauguruar pjesët e mbetura nga ajo që mendohet se është tempulli më i vjetër në botë, ku deklaroi se “Turqia është një hapësirë muzeore”, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë ceremonisë së inaugurimit të lokacionit arkeologjik Gobeklitepe në Şanlıurfa, provincë që ndodhet në jug të Turqisë, presidenti Erdoğan tha se duhet promovuar hulumtimet arkeologjike në mënyrë që të zbulohen më shumë artefakte dhe lokacione historike në rajonin Anatolia.

Me vitin 2019 të shpallur “Viti i Gobeklitepe-s” në nder të tempullit 12 mijë vite të vjetër, rajoni pritet që të vizitohet nga turistë të shumtë.

Gobeklitepe gjendet në listën paraprake të UNESCO-s për Trashëgiminë Kulturore që nga viti 2011. Lokacioni në fjalë hyri në listën e UNESCO-s për Trashëgiminë Kulturore në qershor të vitit 2018.

Presidenti Erdoğan tha se lokacioni antik kontribuon në pasurinë e përbashkët kulturore të njerëzimit dhe veçse është shndërruar “në një referencë të rëndësishme” në kuptim të shfaqjes së civilizimit të lashtë në Anatoli.

Ministri i Kulturës dhe Turizmit i Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy, tha se Gobeklitepe zbulon faktin që Anatolia është djepi i civilizimit.

“Me simbolet e stilizuara njerëzore dhe strukturën arkeologjike, Gobeklitepe ka fundosur shumë nga përgjigjet të cilat ne mendonim se i dinim në lidhje me botën arkeologjike dhe historike”, tha Ersoy.

Zëvendëspresidenti i Turqisë, Fuat Oktay, zëdhënësi i presidencës Ibrahim Kalin, ministra, anëtarë të parlamentit turk, guvernatori i provincës Şanlıurfa, Abdullah Erin, kryetari i saj, Nihat Çiftçi dhe kryesuesi i delegacionit evropian për zhvillim ekonomik dhe social në Turqi, Angel Gutierrez Hidalgo de Quintana, po ashtu ishin pjesëmarrës në inaugurim.

Pjesët e lokacionit arkeologjik u zbuluan në vitin 1963 kur kërkuesit nga universitetet e Stambollit dhe Chicago-s ishin duke punuar pranë lokacionit. Që atëherë, asnjëherë nuk janë ndalur gërmimet.

Instituti Arkeologjik Gjerman dhe Muzeu i provincës Şanlıurfa kanë punuar së bashku që nga viti 1995 dhe kanë gjetur obeliskë me formën T, që datojnë nga periudha neolite me gjatësi prej 3 deri 6 metrash dhe peshë prej 40 deri 60 tonë.

Gjatë gjurmimeve u zbuluan gjithashtu edhe artefakte të ndryshme të vjetra 12.000 vjet, në mesin e tyre edhe statuja të njerëzve të gjata 65 centimetra./AA