Ballina Sport Renditja e UEFA-s: Shqipëria e 36-ta, Kosova e 53-ta, Maqedonia e Veriut...

Renditja e UEFA-s: Shqipëria e 36-ta, Kosova e 53-ta, Maqedonia e Veriut e 34 -ta

Liga e Kampionëve dhe Liga Evropa të Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA), përveç që janë dy garat më prestigjioze futbollistike në Evropë, lirisht mund të themi se kanë epitetin e nëjtë edhe në nivel botëror, duke marrë parasysh yjet e futbollit që marrin pjesë në këto gara. Secila fitore dhe secili barazim sjellin pikë të caktuara të cilat janë të rëndësishme për renditjen përfundimtare të federatave kombëtare, që jep mundësi për numër më të madh të klubeve të marrin pjesë në Ligën e Kampionëve dhe në Ligën Evropa të UEFA-s.

Renditja e federatave

UEFA, e cila numëron 55 anëtare, krahas renditjes së klubeve kombëtare bën edhe listën e renditjes së klubeve evropiane në bazë të suksesit të treguar në garat të cilat i organizon federata.

Pas renditjes së klubeve, formohet një listë e renditjes së zakonshme për vlerësimin e një vendi të caktuar në bazë të suksesit të përgjithshëm të ekipeve nga federata e saj.

Sipas suksesit të arritur nga klubet e Maqedonisë së Veriut në ndeshjet e ekipeve të saj në Ligën e Kampionëve dhe në Ligën Evropa, ajo aktualiisht mban vendin e 34-të me 8.000 pikë, duke u ngjitur më lart për tre pozita në krahasim me vitin e kaluar kur u rendit e 37-ta me 7.500 pikë.

Shqipëria mban pozitën e 36-të, Kosova pozitën e 53-të, ndërsa nga vendet e rajonit që janë më dobët se Maqedonia e Veriut janë edhe Bosnjë e Hercegovina në vendin e 40-të dhe Mali i Zi në vendin e 49-të.

Duke parë koeficientin e vendeve të Ballkanit, pozicionim më të mirë ka Greqia në vendin e 14-të, Kroacia në vendin e 15-të, Serbia në vendin e 19-të, Bullgaria në vendin e 28-të dhe Sllovenia në vendin e 31-të.

Renditja e bërë nga UEFA, në vend të parë nxjerr Spanjën me 100.712 pikë, vijon Anglia me 78.320, ndërsa e treta është Italia me 74.011 pikë.

Ndër 10 vendet më të mira janë edhe Gjermania me 70.784 pikë, Franca me 58.498, Rusia me 50.382, Portugalia me 47.232, Belgjika me 39.900, Ukraina me 38.900 dhe Turqia me 34.600 pikë.

Renditja e klubeve evropiane

Aktualisht, në vendin e parë është Real Madridi me 146.000 pikë, i ndjekur nga Bayern Mynih dhe Barcelona me nga 128.000 pikë, ndërsa në vendin e katërt me 127.00 pikë renditet Atletico Madridi.

Ndër 10 skuadrat më të mira në Evropë janë edhe Juventusi, Sevilla, Paris Saint-Germain, Manchester City, Porto dhe Arsenal.

 Maqedonia e Veriut

Ekipi më mirë nga Maqedonia e Veriut është KF Shkëndija, që mban pozitën e 178-të me 6.000 pikë, me një ngjitje me 100 pozita krahasuar me renditjen e vitit të kaluar. Vijon Vardari me 5.000 pikë në pozitën e 209-të, ndërsa Rabotniçki i 239-ti me 4.250 pikë dhe KF Shkupi i 361-ti me 1.000 pikë të tubuara.

– Shqipëria

Ekipi më i mirë nga Shqipëria është KF Skenderbeu në vendin e 157-të me 7.000 pikë, i ndjekur nga KF Kukësi në vendin e 214-të me 4.750, FK Partizani i 322-ti me 3.000 pikë dhe FK Laçi në vendin e 338-të me 2.250 pikë.

– Kosova

KF Drita në vendin e 372-të me 1.500 pikë të tubuara është ekipi me i mirë kosovar në renditjen evropiane të klubeve. KF Prishtina renditet e 402-ta me 1.250 pikë, ndërsa KF Trepça në vendin e 447-të me 500 pikë.

– Turqia

Beshiktashi është ekipi më i mirë turk në renditjen e UEFA-s me 62.000 pikë, mjaftueshëm për vendin e 25-të, ndërsa ndiqet nga Fenerbahçe në vendin e 44-të me 31.500 pikë dhe Galatasaray në vendin e 67-të me 22.500 pikë.

Kryesuesi i tabelës në Turqi, Bashakshehir mban vendin e 118-të me 10.500 pikë.

Mënyra e dhënies së pikëve klubeve futbollistike 

Koeficientët e klubeve bazohen në rezultatet e arritura në pesë sezonet e fundit në garat e organizuara nga UEFA, në Ligën e Kampionëve dhe në Ligën Evropa.

Rejtingu përcakton numrin e klubeve që do të marrin pjesë në sezonin e ardhshëm të garës së klubeve të UEFA-s, pikë këto që ndikojnë në pozitën e një shteti në renditjen e përgjithshme, në bazë të të cilës UEFA përcakton numrin e klubeve të një federate të caktuar për sezonin e ardhshëm të garave.

Sistemi i vlerësimit

Çdo klub merr 2 pikë për fitore dhe 1 pikë për barazim, ndërsa vlera e pikëve përgjysmohet në ndeshjet e kualifikimit dhe në fazën play-off.

Klubet që do të kualifikohen në të tetën e finales, çerekfinale, gjysmë-finale ose në finale të Ligës së Kampionëve ose Liga Evropa, do të marrin nga një pikë shtesë për pjesëmarrje në çdo raund.

Krahas kësaj, klubet marrin nga katër pikë për pjesëmarrje në fazën grupore të Ligës së Kampionëve dhe katër pikë tjera për kualifikim në të tetën e finales.

Përllogaritja e koeficientit

Koeficienti fitohet në atë mënyrë duke përllogaritur mesataren, duke përpjesëtuar numrin e përgjithshëm të pikëve me numrin e klubeve që përfaqëson një federatë e caktuar në dy garat e UEFA-s atë sezon.

Për të përllogaritur koeficientin e përgjithshëm, vlerës së fituar i shtohen të arriturat në katër sezonet e kaluara.

Nëse dy federata kanë të njëjtin koeficient, atëherë përparësi i jepet federatës që ka pasur koeficient më të lartë në sezonin e kaluar.

Të dhënat përditësohen pas çdo raundi të garave të UEFA-s/AA.