Ballina ED/OP Vrasësit e djeshëm dhe simahorët e sotëm të diktaturës – Nga Agron...

Vrasësit e djeshëm dhe simahorët e sotëm të diktaturës – Nga Agron TUFA

1. -Një libër me rëndësi të veçantë, një test i shoqërisë

“Poetët martirë Blloshmi e Leka në pasqyrën e shtypit shqiptar” është një libër i radhës mbi poetët Genc Leka dhe Vilson Blloshmi të pushkatuar nga diktatura komuniste me 17 korrik 1977. Me siguri do vijnë dhe botime të tjera. Janë botuar disa libra për ta, përgjatë këtyre viteve, prej autorësh të ndryshëm: monografi, përmbledhje poetike, vepra e plotë si dhe libri i Bedri Blloshmit “Nga ferri komunist”, që na e zbardh të plotë tragjedinë me dosjet hetimore e gjyqësore nga arkivavat e kohës. Mbahen rregullisht përvjetorët e pushkatimit të tyre. Është vendosur në vendlindjen e poetëve dhe memoriali skulpturor.
Nderimi e dhimbja për këta djem të talentuar ka pushtuar gjithë hapësirën postkomuniste shqiptare dhe nuk ka rreshtur asnjëherë. Ata janë bërë me kohë simbolet e pafajësisë, që nxjerrin në pah egërsinë e simohorësve të diktaturës, Komitetin e Partisë së Librazhdit dhe organet hetimore e gjyqësore, prokurorinë dhe gjykatat nga niveli lokal, deri tek maja e piramidës së drejtësisë komuniste në kryeqytet ku u vulos vendimi me vdekje, që nuk ndryshoi as pas apelimit. Spikat mungesën e çdo mëshire, e çdo ndjenje njerëzore e rregjimit kriminal.
Por ky libër ka një karakter e interes të veçantë. Sepse përcjell jehonën e shtypit, receptimin që iu bë veprës dhe fatit të dy poetëve të pushkatuar nga mediumi ynë masiv mediatik. Në llojin e vet, diskursi medial në kushtet e bumit të teknologjisë informative, gazetat, portalet dhe rrjetet sociale, paraqet projeksionin e vetëdijes masive në çështje kaq të ndieshme, siç është krimi i vetëdijshëm dhe i parapërgatitur politikisht, sikundërse dhe shtrimin e pyetjes, po aq të ndieshme: si reagojmë ne, si shoqëri, përballë një krimi monstruoz, kur zinxhiri dhe hallkat e krimit ende i kanë të gjallë aktorët? Për të gjitha sa përmendëm, libri që merr në dorë lexuesi është dhe një test i shoqërisë sonë: si sillemi ne, si shoqëri, me krimin dhe pjesëmarrësit në këtë krim të oreganizuar shtetëror?

2. -Të tradhëtosh kompleksin e solidaritetit me krimin

Në mars të vitit 2017 ndodhi diçka që trazoi sipërfaqen e fjetur të dhimbjes për dy poetët e pushkatuar. Dy gazetare (Beti Njuma dhe Alda Bardhyli), me një projekt “Letërsia dhe qyteti”, të fituar në Ministrinë e Kulturës e të mbështetur financiarisht prej saj, zhvilluan kalendarin e takimeve të tyre me 10 shkrimtarët më të mirë shqiptarë (sipas tyre). Gjithçka nisi nga një ftesë elektronike e personalizuar, që njëra nga gazetaret e këtij projekti, Beti Njuma, ma dërgonte dhe priste përgjigjen e konfirmimit të pjesëmarrjes ose jo në takim. Bëhej fjalë për takimin në kafe “My and Bukowski” me shkrimtaren Diana Çuli, një nga më të mirat e dhjetëshes (gjithnjë, sipas tyre).
Isha krejt i qetë dhe, dashmirësisht i shkruajta Betit, meqë njiheshim, se ky është provokim dhe se është i patolerueshëm si akt, që një shkrimtare, e cila ka qenë pjesëmarrëse në vrasjen e poetit Genc Leka, të ketë luksin e një mbrëmjeje letrare në një projekt të fituar nga paraja publike. Me vonë, kuptohet, nervozizmi u rrit pë të dy. Beti më telefonoi dhe unë u përpoqa sa munda ta sqaroj dhe i kërkova ta anulonte këtë takim, si të patolerueshëm për higjenën mendore e shpirtërore. Por ishte e kotë. Si duket kjo vajzë, e edukuar gjatë me arrogancën dhe vetësigurinë që ia jepte, me gjasë, kanali televiziv ku punonte asokohe (TCH), nuk ishte mësuar ta kundërshtojnë, e për më tepër, t’a paralajmërojnë për pasojat. Shkurt, ajo kishte marrë zjarr si ndonjë shkurre e thatë dëllinje dhe nuk dëgjonte fare se çfarë i sugjeroja. Në këto kushte nuk më mbeti tjetër, vetëm ta paralajmëroja, se nëse deri të nesërmen ajo nuk do ta anulonte takimin me të adhuruarën e saj, Diana Çulin, unë do të kundëpërgjigjesha duke mbledhur poetë, të cilët do të lexonin poezitë e viktimave të saj, në të njëjtin vend e në të njëjtën orë me të. “Le ta shohim, se kush do të tërhiqet”, e mbylli bisedën Beti.
Pas kësaj unë lajmërova miqtë e mi poetë në FB, dhe të nesërmen, në orën 18.00, në “My and Bukowski”, erdhën rreth 30 poetë, me librat e Lekës dhe Blloshmit dhe me nga një qiri në duar. Kuptohet, që miqtë e Diana Çulit dhe Beti Njumës, ndër të cilët dallova disa autorë sivëllezër të Çulit (midis sosh ndonjë nënshkrues Akt-ekspertizash dhe dëshmitar gjyqesh), të gjithë, dolën pa u ndierë nga dera e pasme, ndërsa ne, ndezëm qirinjtë dhe vazhduam leximin e poezive të poetëve martirë.
Në ditët në vazhdim ky aksion u pasqyrua me koprraci nga një numër i caktuar gazetash, kanalesh televizive e portalesh. Por nuk pati ndonjë thellim në mesazhin e këtij gjesti, përkundrazi, pati tendenca të “mëshironin” vrasësen e poetit dhe ndihmësen e saj, gazetaren, që me arsye të errur u përpoq t’i bishtnonte thebit të vërtetë të përplasjes. Në ditët në vazhdim vazhdoi të endet në shtyp jehona e gjestit, që për mua ishte e vetmja mundësi për të nëdërprerë atë takim të turpshëm, të financuar me paranë publike.
Ja si shkruan një nga penat, shkrimtarja Elida Buçpapaj në një shkrim të saj me 10. 3. 2017 në gazetën “Dielli”: “Poeti Agron Tufa përpara disa ditësh bëri një veprim të paparë në historinë postdiktatoriale. Ai kërkoi që të recitoheshin poezitë e poetit të vrarë në një mbrëmje letrare ku Diana Çuli, autorja e akt-ekspertizës kundër tij, ishte e ftuar si “ikonë” e letrave shqipe”. Dhe më poshtë “Në vend që akti qytetar i Agron Tufës të kthehej në kryetitull e kryelajm dhe Agroni Tufa të ishte i ftuar nëpër të gjitha studiot e televizioneve të Tiranës për të shkundur ndërgjegjen e përlyer të elitës shqiptare dhe të mbarë shoqërisë, veprimi i tij është i mbuluar nga heshtja dhe indiferenca kriminale e kësaj elite e cila me rolin gjoja të “outsder-it”, ka përjashtuar veten realisht nga të qënit”.
Në fakt, dëshira e një numri përkrahësish të Diana Çulit, siç do ta shihni dhe nga shkrimet e tyre, të botuara në këtë vëllim, është ta “amnistojnë” nënshkruesen e akt-ekspertizës së poezive të poetit martir Genc Leka. Ka një përpjekje jo për të shprehur habinë për viktimën, por për t’u ndjerë solidarë pikërisht me vrasësen e tij. Një perversion e pisllëk që mendoj se i ka rrënjët në llagëmet e errëta të formimit të tyre që në fëmijëri. Ndryshe nuk mund të shpjegohet tërë ai zell i shpenzuar në relativizimin dhe vënien krejt në dyshim të rolit të shkrimtares Diana Çuli në atë vrasje. Është një lexim i “cekët”, por me dashje.
Dilemën nëse duhet quajtur vrasëse apo jo Diana Çuli me Akt-ekspertizën e saj, e kam shpjeguar në përgjigjet e mia, artikujt e intervistat e ndryshme dhe ajo, për mendimin tim, nuk mbetet më dilemë.
Dhe ja se pse: Ekziston dokumentin që rrëzon pretendimet se akt-ekspertiza e Diana Çulit nuk ka të bëjë me dënimi kapital me pushkatim të poetit martir Genc Leka. Ky dokument është Vendimi i Këshillit Gjyqësor të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të RPSSH.Vendimi i Këshillit Gjyqësor të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të RPSSH-së, i datës 2 korrik 19771, lë në fuqi vendimin e Gjykatës të rrethit Librazhd të datës 13 qershor 1976 për pushkatimin e tyre.
Dhe në argumentat që e kanë mbështetur vendimin e saj, Gjykata e Lartë e asaj kohe përmend pikërisht pjesë esenciale nga akt-ekspertiza e Diana Çulit për poezinë “Këngë për miqtë e parë”, ku ajo aludon qartë se Genc Leka ka nostalgji për diversantët, armiqtë e pushtetit popullor dhe diktaturës. Pas vendimit të Gjykatës të Lartë, të dy poetët, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi ekzekutohen me pushkatim më 17 Korrik 1977.
Për të gjithë ata që mendonin (e ndoshta mendojnë ende), se ndërhyrja ime në prishjen e idilës letrare Çuli-Njuma është e pahijshme, e dënueshme ose, siç tha shkrimtari B. Mustafaj në një koment të marrë me mikrofon, “me mllefe” (jo me mllefe!), kam pasur e kam të njëjtën përgjigje: është e drejta e gjithkujt të konkurrojë me projekte letrare (leximore, promovuese) në institucionet e shtetit, t’i fitojë ato e t’i realizojë në formën e koceptin personal. Por kurrësesi nuk mund të legjitimosh në “elita” letrare, “hierarki” vlerash ish-pjesëmarrës në vrasjen e poetëve! Dhe këto nuk janë profka e fjalë në erë, por dokumenta origjinalë arkivash.
Pra, ti, kushdoqofsh, nuk ke asnjë të drejtë të fyesh viktimat, të ndotësh higjenën e ndërgjegjes tonë, duke na shpallur “ikona” të letërsisë vrasës, që edhe sot e kësaj dite, jo vetëm që nuk kanë kërkuar falje, por e shpallin se nuk ndjehen fajtor për aktin e kryer të pjesëmarrjes në një vrasje, madje të nënshkruar. Ku qëndron këtu “mllefi”, që përmend B. Mustafai? Kështu, për shembull, vrasësja Diana Çuli, jo vetëm nuk ndihet fajtore, por e inkurajuar edhe nga ndihmëset e saj, të cilët njëmend e adhurojnë (punë e tyre, shije e tyre letrare), shkruajti dhe një dramë me titullin “E akuzuar”, pra, një mundësi e krijuar bujarisht nga Teatri Kombëtar për të larë e shplarë veten, tashmë përmes “artit”. Drama e Diana Çulit “E akuzuar” u lexua më 7 shtator 2017, pra u ngjit në skenë në Teatrin Kombëtar, në fazën përmbyllëse të dramës shqipe . Pse nuk vepruan si unë dramaturgët e Teatrit Kombëtar, që në të njëjtën mbremje, nëse nuk e bënin dot “dramë” dosjen e poetit të pushkatuar, të paktën të lexonin Akt-ekspertizën e dramaturges Diana Çuli, që ndihmoi ta çonte në dënim me vdekje poetin? A kam të drejtë ta ngre këtë pyetje? Ka që mendojnë, se jo, nuk kam të drejtë. Por njëri nga regjisorët e Teatrit Kombëtar, më kërkoi njëmend dosjen e dënimit të poetëve, për të bërë analogjikisht të njëjtin gjest që pata bërë unë në mars të vitit 2017. Madje unë ia vura në dispozicion dosjen. E lajmërova të vinte ta merrte. Por, si duket, e bindën të ndërronte mendje dhe nuk erdhi.
Ndër akuzat kryesore që bënte për mua gazetarja Beti Njuma, në lidhje me gjestin tim, kanë qenë këto (ju mund t’i pohoni duke i kërkuar në shkrimet e saj):

1.- Pse Agron Tufa u kujtua pikërisht tani për këtë gjest ndaj Diana Çulit dhe jo më parë?
2. -Pse Agron Tufa u kap vetëm me projektin tim dhe, nga ana tjetër, ka pranuar të jetë me Dianën në një panel diskutimi mbi përkthimin, në kanalin 7?

3.- Si ka pranuar Agron Tufa të botojë në të njëjtën shtëpi botuese “Toena”, dhe t’i ketë librat e tij në një tryezë panairi me titujt e Diana Çulit?

E konsultur ngushtë, me gjasë, me vetë idhullin e saj, Dianën, Beti kacagjelosej, dhe i përsëriste këto pyetje nëpër gazeta, studio e portale dhe nuk ndalej aspak në përgjigjet që ia kisha dhënë që në fillim tek “Panorama”, se:
1. Agron Tufa nuk është kujtuar tani, por disa herë për këtë akt të rëndë të Diana Çulit, duke publikuar dosjen e plotë me akt-ekspertizën e saj në gazetën letrare “Fjala”, qysh në vitin 2002. Pa llogaritur dhjetra shkrime pas këij viti.

2. Agron Tufa merr pjesë i ftuar në studiot televizive private, dhe nuk mund t’u hidhet atyre ne grykë, se kë duhet të ftojnë, përsa për këto biznese mediatike, ai nuk paguan taksë. Kurse me projektin e Beti Njumës me shoqe, që financohet nga taksa publike, Agron Tufës i lind e drejta të kërkojë llogari, të të paralajmërojë, dhe kur nuk e dëgjon, ta prish idilën letrare. Siç ta prishi.

3. Po i njëjti shpegim mbetet edhe për biznesin privat të shtëpive botuese.

Në gjithë këtë histori solidariteti me vrasësen e poetëve, Beti dijti t’i qëndrojë në krah vrasëses, të këshillohet prej saj e ta këshillojë. Madje, ketë këmbëngulje e pati dhe në emisionin “Top Story”, ku ajo luftoi “dhëmb për dhëmb” krahas Diana Çulit, përballë treshes së “armiqve” të tyre përballë: Agron Tufa, Bedri Blloshmi, Mark Marku. Aty Beti përsëriti edhe njëherë idenë derdimene, se poetët nuk ishin dënuar politikisht, por si dëmtues të pronës socialiste, domethënë, si hajdutë. Këtë bindje ajo njëmend e shfaqi publikisht. Madje premtoi se do të bënte dhe një film dokumentar, ku ta vërtetonte këtë ide, me siguri, të frymëzuar nga Diana. Fakt është se Beti e kishte me gjithë mend! Madje shkoi dhe kërkoi në Autoritetin e Hapjes së Dosjeve gjithë informacionin mbi poetët e pushkatuar. Por, siç dihet, filmi i premtuar i Beti Njumës, nuk u realizua. Do thoni ju, përse? Ndoshta faktet kanë qenë mizorë në arkiva. Dhe Beti donte ta bënte një film për poetët martirë vetëm me një kusht: po qe se zbulonte se ata janë pushkatuar si hajdutë, e jo si poetë kundërshtarë të rregjimit!

3. -Kalorës të tjerë të vrerosur për “erzin” e vrasëses Diana Çuli

Pas mbrojtjes së hapur të Beti Njumës (ndonëse krejt të paefektshme), që i bëri vrasëses së poetëve, nuk munguan në shtyp dhe siluetat pak më të vonuara të hidalgove të shtypit në mbrojtjen dhimbsurake të Çulit. Ka pasur publikisht mbrojtës të personave që kanë bashkëpunuar me sistemin me justifikimin banal se “ashtu ishte koha”, por ka edhe mendje perverse si e një ish-sigurimsi i cili, përmes një arsyetimi kriminal, këmbëngul në drejtësinë që kishte ai sistem në pushkatimin e dy poetëve, si sabotatorë (shkrim i botuar në gazetën “Dita”, më 14 mars 2017, me titullin- “Krimet e komunizmit” nga demagogë dhe frikacakë). Mendje të tilla, që guxojnë edhe pas 28 vitesh që ka ndryshuar sistemi, të këmbëngulin në vrasjen e poetëve, sipas tyre me të drejtë, nuk janë veçse pjesa publike e djallëzisë për të mbrojtur krimin monstruoz .
Nuk e kam fjalën për njerëz të prerjeve enveriste, ato dihet, se do t’i mbyllin sytë me mallkimin e kësaj “prerjeje”.
Më shqetësojnë hidalgot që relativizojnë çdo rëndësi dhe bien thuajse në të njëjtat pozita me të tërbuarit e falangave enveriste. Keqardhja është për dy nga figurat e publicistikës shqiptare, Ardian Vehbiun dhe Mustafa Nanon. Për të parin, akuza e Tufës është e ekzagjeruar. Dhe pse është e tillë, autori na e shpjegon kështu: “Mua ky përqendrim i akuzave te Çuli, për një proces gjyqësor dhe ekzekutim të bujshëm të orkestruar nga regjimi i Hoxhës në vite ashpërsimi maksimal të luftës së klasave, më duket të paktën i ekzagjeruar; aq më tepër që Genc Leka dhe vëllezërit Blloshmi u dënuan për pjesëmarrje në një grup armiqësor që synonte sabotimin ekonomik dhe përmbysjen e “pushtetit popullor ”.
Me tej Vehbiu pranon, se “Ekspertiza e Çulit e shumta mund të ketë ndihmuar për të konfirmuar disidencën politike të Lekës”, por analisti nuk pranon se kjo ka mjaftuar për dhënien e dënimit me vdekje. Vehbiu mendon se për këtë do të duhej të shprehej ndonjë ekspert me njohuri penale për sistemin e diktaturës dhe e përfundon relativiziimin e skajshëm të rolit të Diana Çulit në vrasje, me këtë pasazh: “Nuk do shumë mend që një gjyq i kësaj natyre ishte menduar që të shërbente si gjyq shembullor, ose për të ilustruar kapacitetin e organeve të “diktaturës së proletariatit” për dhunë kundër armikut të klasës; fatet e të pandehurve ishin vendosur tashmë – meqë vrasja e tyre do të shërbente edhe si ndëshkim, edhe si sinjal për të tjerët ”.
Përtej nihilizmave e spekulimeve të këtilla unë e vendos theksin tek (pa)përgjegjshmëria, kërkimi i ndjesës, përpjekja për t’u shpjeguar e jo për alibi të pafundme si këto “mbrojtje”, që pse të mos themi, ka shumë mundësi të jenë të porositura, sa për “t’ia hedhur” edhe njëherë momentit të vështirë. Sepse, nëse gjithë aktorët e vrasjes fillojmë t’i “amnistojmë” një nga një, duke e transferuar vazhdimisht pjesën e fajësisë tek dikush tjetër, e pastaj, të gjithë, t’ia shkarkonin vetëm Enver Hoxhës, atëherë, më thoni, kush qenka vërtet fajtori? Dihet që fajin nuk e pranon askush. Madje edhe kur poshtë akteve ka emra me nënshkrime. Po dhe vetë e dini, se në këtë rrugë arsytimi e shpërrallisjeje përfundojmë në fundin e perspektivës: që fajtor ishte vetëm njeri: Enver Hoxha.
Pjesëmarrësi në vrasje, pavarësisht peshës së rolit që ka pasur, quhet vrasës! Doni apo nuk doni ju. Nuk ka nevojë për asnjë penalist. Sepse asnjë i tillë nuk u bë i gjallë gjatë gjithë këtyre viteve të postkomunizmit të tejzgjatur. Vrasës, sipas Kanunit, quhet jo doemos ai, dorësi, por edhe ai që e ndihmon, që e qet në udhë atë që do të vritet. Dhe Diana Çuli pikërisht këtë bëri: e nxorri në udhë poetin e pafajshëm Genc Leka, pa arsye, për shkak të disa poezive lirike për peizazhin, pyllin, pranverën, ciganët, nostalgjinë. Me interpretimin absurd të lirikave të tij, Çuli e nxorri Lekën në udhë, bash në vendin ku qëndronte pritësi, vrasësi, me pushkë për faqe e gisht në këmbëz.
Ja pse më la një shije zhgënjimi arsyetimi i Ardian Vehbiut. Sipas logjikës së tij diktatura ka shkak vetveten, që duhet ta kërkojmë diku jashtë nesh, e jo brenda nesh; jo në mendjet e veprimet e zellshme të shërbëtorëve të saj, tullave parafabrikate në murin e saj.

4.- Duel për nderin e një vrasësje

Të tillë mund ta quaj shkrimin e Mustafa Nanos, të cilin nuk e kisha lexuar në kohën kur e ka shkruar: “duel për nderin e një vrasësje”. Le ta shohim se çfarë s’ia mbush mendjen Mustafa Nanos dhe se si e shfajëson Diana Çulin ai.
Nano e quan “fushatë histerike” gjestin tim kundër “Dianës apo Dianave”. Ka parsysh, me gjasë, replikat e mia të detyruara, më pas. Ç’e shqetëson kaq thellë Nanon, që më quan “histerik”? Sigurisht gjuha e analistit është këtu pa lidhje koherente arsyetimi, skizofrenike dhe skizofrenia është një shkallë ekstreme e histerisë. Nga njëra anë Mustafai minimizon thuajse në një veprim banal (banaliteti i së keqes, e ka quajtur Hanah Arendt këtë përpjekje të Nanos) rolin e Diana Çulit në pushkatimin e Lekës, dhe, njëkohësisht, maksimalizon në ekstrem të drejtën tonë për ta quajtur “vrasëse” shkrimtaren, në bazë të Akt-Ekspertizës.
Nanos nuk i duket me peshë argumenti se mendimi i Diana Çulit mbi poezitë do ta ketë çuar në plumb poetin. Madje Nano e ka zgjedhur fragmentin më të rëndë, sipas tij, të akuzës: “Autori shkruan me një frymë pesimiste, shpreh dëshpërim; kujton me nostalgji të kaluarën, bën aluzion për një të ardhme…, gjë që tregon se autori ose ka një tronditje të theksuar ideologjike, ose nuk është i kënaqur nga realiteti i sotëm dhe e quan të rëndë ambientin ku jeton, se për të është mbytës dhe i padurueshëm, ndaj kërkon rrugë për të dalë”. Më tej Nano nxiton të lajmërojë Miletin: “kush ka jetuar në diktaturën komuniste të Enver Hoxhës, apo kush ka njohuri mbi atë diktaturë, e di shumë mirë se askush nuk shkonte në litar mbi bazën e kësaj analize letrare”. Mirë, po Vincens Prenushi? Po Lazër Shantoja? Po Trifon Xhagjika? Po Havzi Nela, o Mustafa? Kur nuk lexon, kur futesh të kullandrisësh punët pa ia patur pikën e haberit, pa hapur asnjë dosje (zakonisht sëra juaj nuk zbret në arkiva), sigurisht që në cektësi të tilla do përfundosh. Formulimi i neneve (përzierje nenesh, shpesh për t’i ulur profilin kundërshtarit) bëhej artificialisht, pa prova, por qëllimi kryesor ishte ai, i vërteti, rreziku që vjen nga poetët e talentuar që komunizmi nuk i kishte thyer, nuk i kishte zombifikuar.
Dhe ne, të shastisur nga ky arsyetim kaq i sipërfaqshëm i themi: “Ore Mustafa, po ç’prisje ti të bënte më shumë se kaq Diana për një njeri që ishte në zgrip të greminës? Mjafton një majë gishti, që ta flakje në humnerë! Dhe për çfarë? Të gjesh simbole armiqësore, nëntekste, tek lirikat e peizazhit, mallit dhe dashurisë?”. Nuk ka dyshim, se në shkrimin e tij, të porositur miqësisht, analisti, që niset prore nga premisa të gabuara, ka vendosur ta bëjë “mbrojtjen”, duke përdorur një metaforë (fushë aspak e tij), atë të “gotës që do dhe një pikë të derdhet”. Sigurisht, Komiteti i Partisë së Librazhdit dhe Dega e Punëve të Brendshme e kishin mbushur “gotën” e poetit. E pse duhej, që këtë pikë të fundit ta lëshonte Diana jote? Pse? Mbrojtës i çuditshëm ky Mustafa Nano… Thotë se po të isha në vendin e Diana Çulit do të kisha bërë nje mea culpa që në fillim. Pastaj, Nano, bën një rrethrrotullim dhe këtë pyetje ia bën vetes: “a do ta kisha bërë unë?”. Dhe përfundon monologun e tij se, për të bërë një mea culpa duhet “një moral publik i caktuar” dhe, meqë shoqëria nuk e ka një moral të tillë, një virtyt të tillë, se ajo është një shoqëri që “mezi pret rastin të presë kokën e falur”, atëherë, sipas Nanos, s’ke pse të kërkosh falje. Dhe, sipas tij, përftohet mendimi qëndror: Diana Çuli mirë ka bërë që nuk ka kërkuar falje!
Shokuese! Por edhe lehtësuese, mendoj unë. Nëse punët qenkan kështu, nëse termometër i virtyteve dhe moralit qenka vetëm Mustafai dhe ne nuk paskemi të drejtë as të ngremë gishtin e t’ua themi, së paku, në sy, duke u tundur para fytyrës letrat që kanë firmosur vetë vrasësit apo pjesëmarrësit në vrasje; meqë nuk jemi në gjendje të bëjm drejtësi, se piramidën e drejtësisë e kanë zënë po ato vrasës me bijtë e tyre, që kanë përkrahës edhe në shtyp e TV, atëherë pra, çfarë mbetet tjetër? Dhe si të sillemi? E vetmja mënyrë, mendoj unë, që përbën edhe njëfarë lehtësimi, është të veprosh përpikmërisht siç veprova unë: t’u dalësh ballas me gjeste të hapura, publike, jo kot, por me fakte, me firmat e tyre, me urnat e hirit të të pushkatuarve, me librat e tyre postumë, me dosjet e tyre që kullojnë gjak dhe të bësh siç sugjeron Thomas S. Eliot në një varg nga poema “Waste Land”: “Kam me u kallë tmerrin me një grusht pluhun”. Sepse Mustafai me shokë, jo vetëm nuk po na ndihmon (nuk na kanë ndihmuar kurrë, në fakt), por po bëjnë haptazi dhe avokatin e djallit.
Mustafai me bashkëmendimatarët e tij nuk na lënë asnjë shteg të lirë, nuk na sugjerojnë asnjë mënyrë sjellje, përveç se ta qepim gojën, të heshtim, e të ndjekim si ai, – karrierrën marramendëse të vrasësve si Diana – nga shoqatat e gruas e ojq të tjera, deri në Parlament; të ndjekim se si ajo që mori pjesë në vrasjen e poetit të ri, të na gjykojë krijimtarinë tonë pambarimisht, në krye të jurive të ndryshme letrare Kombëtare e Ndërkombëtare (“Ballkanika”, çmimi “Europa”, etj); të ngrejë gishtin e të caktojë “kush është kush”; të nominohet (se ç’blasfemi!) për çmimin “Nobel” (Çuli thotë, se akuzat ndaj saj u shfaqën, sapo emri i saj u propozua nga Lidhja e Shkrimtarëve shqiptarë për çmimin “Nobel”); të ketë një emision mbi letërsinë në një Televizion prestigjioz (Ora news) ku të pagëzojë me lëvdata shkrimtarë servilë, që vdesin për publicitet. Por, të kishte krijues me vetëdije, kurrë nuk duhet të shkelnin në studion e asaj vrasësje poetësh. Kjo do të ishte më e pakta. Ajo e ka humbur të drejtën të gjykojë poetët, aq më keq, të drejtën për t’i vlerësuar ata. Gjyqtarët e kohës së Mesjetës e kishin zakon, që kur jepnin me shkrim një dënim me vdekje, ata thyenin majën e penës dhe e flaknin në kosh. Qw ajo penw, tw mos firmoste mw akte tw tjera dwnimi me vdekje. Për mendimin tim, Diana Çuli duhej ta kishte thyer “penën” e vet qënë vitin 1977 kur nënshkroi akt-ekspertizën, që rezultoi fatale për Genc Lekën.
Mustafa Nano bën çmos ta mbrojë Diana Çulin. Po nga kush? Nga histeria e Agron Tufës! Çudë, po çudë e madhe! Do të doja ta shihja e të më shihte në sy Mustafai kur e thotë këtë, sepse shumë gjëra fjalët nuk arrijnë ta transmetojnë.
Dhe si përpiqet Mustafai ta mbrojë Dianën prej “histerisë” sime? Ai ngre (nuk e di me sa mundim) një pyetje. Dhe Çfarë pyetje se! Mustafa Nano pyet:
– “Pastaj, keni menduar ndonjëherë se ç’do të bënit ju sikur në moshën njëzetvjeçare [kursivi im] të ndodheshit në rrethana të ngjashme me ato të Dianës”?
Dhe, si të mos jetë i ngopur me herën e parë, e shtron atë sërish, duke i dhënë nuanca përforcuese:
– “keni menduar ndonjëherë se ç’do të bënit ju sikur në moshën njëzetvjeçare [kursivi im] të ndodheshit në rrethana të ngjashme me ato të Dianës”?
Dhe ne përgjigjemi: çfarë di ti, Mustafa, për Dianën? Që në formulimin e pyetjes tënde, ti dëshmon cektësinë, se nuk di asgjë. Sepse jo më kot kam theksuar me kursiv mosnjohjen tënde të thellë kur thuan “në moshën 20 vjeçare”. Kësaj i ka mëshuar gjithmonë Diana dhe ti, gjithnjë, priresh t’i besosh asaj. E ja, pra, se atëbotë, kur Diana nënshkruajti gjithë kënaqësi e përkushtim (cilësorët “kënaqësi” e “përkushtim” do t’i sqaroj më poshtë) Akt-ekspertizën, ajo, Mustafa, sidomos nuk ishte 20-vjeçare. E lindur me 13 prill 1951, gjeje tani se sa vjeç ishte Diana në vitin 1977! A bëjnë 26? Pse priresh t’ia ulësh moshën, duke mashtruar? Lapsus? Ndoshta, por jo frojdist. Kushedi?

5. -Disa pika mbi “i” për Dianën, për vrasës të tjerë dhe simahorë të diktaturës

Por ka dhe më. Meqë Mustafa Nano e merr në mbrojtje vrasësen e poetit Genc Leka, shpik një “mea culpa”, siç e pohon vetë, për të thënë pastaj, se gjithçka ka bërë ajo nuk ishte ndonjë big deal, çka do të thotë “mirë ia ka bërë Diana që nuk kërkoi falje”, ngase ky vend, kjo shoqëri, nuk meriton, nuk është pjekur për t’i kërkuar falje, dhe si e tillë, kësaj shoqërie s’ke pse t’i kërkosh falje. E për t’i shkuar gjer në fund, shpik, falsifikon mosha të paqena, duke synuar minimizimin e domethënies së krimit dhe të drejtën për të mos kërkuar falje.
Prandaj nuk është “vetëgënjim” i madh denoncimi i krimeve të komunizmit, siç është i tillë ai i Dianës. Dhe as rasti më i keq, që sipas Nanos “është një mënyrë për të mos u marrë kurrë me komunizmin”. Përkundrazi, duke u marrë me vrasësit e drejtpërdrejtë, me denoncimin publik e me faktë të pjesëmarrësve në krime, po aq edhe të simahorëve e pasojave të komunizmit si ju, ne bëjmë një hap përpara nga ndarja me komunizmin dhe me mbeturinat e tij – foljet gjysmëndihmëse, që ende i shërbejnë. Dhe për këtë, nuk duhet të shkruash shkrime me porosi, por të kesh një kauzë që rrjedh jo nga paraja, por nga botëkuptimi yt i lirë, i cili nuk formohet i tillë me mercenarizma e kompromise, me fanatizma e cektësi.
Për këtë duhet kurajë për të denoncuar, duke e ditur se njerëzit do t’i kesh kundër sipas postulatit “e vërteta ka çmim të hidhur dhe bën shumë armiq”.
Tani do shpjegoj edhe dy cilësorët “kënaqësi” dhe “përkushtim”, që përmenda më lart. Të dy kanë lidhje me Diana Çulin. Në çfarë kuptimi? Në kuptimin krejt të kundërt me cektësinë e Mustafa Nanos – që, shkrimtarja Diana Çuli, 26 vjeçare (jo 20 vjeçare!), redaktore e gazetës “Drita”, harton dhe firmos një Akt-ekspertizë, qëllimisht përkeqësuese ndaj poetit Genc Leka në vitin 1977, dhe se kjo Akt-ekspertizë rezultoi “gozhda e fundit” në arkivolin e poetit të ri. Këtë e kuptojmë kur i refuzohet apelimi për falje dhe ku në motivimin e dënimit të tij janë përfshirë komentimet negative të poezive të tij, të bëra nga Diana Çuli.
Unë kam bindjen time se komentet negative të poezive në Akt-skspertizë, Diana Çuli i ka bërë “me kënaqësi” dhe “përkushtim”. Pse mendoj kështu?
Së pari, sepse Diana Çuli i shpjegon kundërnatyrshëm poezitë. Shpik simbole e nëntekstë armiqësore (politike) në lirikat intime e të peisazhit.
Së dyti, të gjithë e dinin asokohe, sidomos ata që punonin në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve apo në SH.B “Naim Frashëri”, që po ta kërkoi recensionin e një dorëshkrimi (poezi, tregim, novelë, roman, dramë, ditar, etj) jo redaktori apo shefi i redaksisë, por një hetues ose operativ i Sigurimit, ishte e qartë që autorin e dorëshkrimit e kanë arrestuar, duan ta dënojnë ose me vite të gjata, ose me pushkatim.
Së treti, (dhe më e rëndësishmja, tek e cila do të ndalem më gjatë), është babai i Diana Çulit, asokohe Kryetar i Drejtorisë së Tretë (III) në MPB, i Drejtorisë së Hetuesisë për gjithë Republikën, nga viti 1970 deri në vitin 1982.
I ati i Dianës, Jorgo Çuli, ish-kamarier, anëtar i PKSH që me 2. 8. 1944, partizan i orëve të fundit, fap, bëhet persekutor. Jorgo Çuli ka hyrë në Sigurimin e shtetit në janar 1951. Ka qenë Drejtor kufiri i ndjekjes nga 12. 1. 1957 deri me 1.2. 1967. Prej këtij viti e deri me 15. 3. 1970 ka qenë N/kryetar i Degës së Punëve të Brendshme Durrës. Ndërkohë, me vendimin nr. 119, datë 2.8. 1969 të Këshillit të Ministrave, oficeri i sigurimit Jorgo Çuli shkarkohet nga funksioni i Kryetarit të Komisionit Shqiptaro-Jugosllav, për arsye transferimi.
Tani le të arsyetojmë: kur hetuesi i poetit Genc Leka (të pushkatuar me vonë) Selim Caka nga DPB e Librazhdit, i kërkon redaktores së gazetës “Drita”, Diana Çulit 26-vjeçare për të bërë Akt-ekspertizën e poezive të një poeti reaksionar, si mendoni ju, qëndron ajo që ka deklaruar Çuli ne “Top Story”, se po të mos pranoja ata me prishnin karrierën? Dhe kush ia prishte karrierën? Një hetues nga Librazhdi, që ishte një ndër vartësit e dorës së tretë a të katërt të babait të saj!? A nuk mund t’i thoshte e bija në mbrëmbje, për shembull: “Baba, një nga vartësit e tu, një hetues nga Librazhdi, erdhi sot në redaksi dhe më kërkoi të bëja një Akt-ekspertizë të poezive të një poeti, të cilin, me sa duket, do ta dënojnë. Të lutem babi, ma hiq qafe atë, sa më parë!” Dhe mjaftonte kaq, madje një lëvizje dore, sikur të dëbonte një mizë, dhe hetusi Selim Caka nga provinca e humbur e Librazhdit të shkonte në esfel! Shkurt, mjaftonte një telefonatë: “ma leni rehat vajzën, se ju piu e zeza!”.
Për më tepër, Diana, përveç të atit, që ishte kryeshefi i Sigurimit për gjithë Republikën, ishte dhe e mbesa e Sofokli Lazrit, ish anëtarit të KQ të PPSH! Kush mund t’ia prishte asaj karrierën, apo makar ta frikësonte!? Por jo, Mustafa e ju, gjithë mustafenjtë! E vërteta është se Diana e ka bërë me kënaqësi dhe përkushtim atë Akt-ekspertizë, nga që, njëmend ka qenë e brumosur që nga familja me urrejtjen për “armiqtë e pushtetit popullor”, për “klasat e përmbysura”, “kulakët”. Madje, në vijimësi të urrejtjes për “armiqtë e popullit e partisë”, Diana Çuli shkruajti e botoi romanin me temë sigurimi e hetuesie “Zëri i largët”, e cili fill shërbeu si frymëzim dhe bazë për filmin “Hije që mbeten pas”, e që skenariste është bash Diana Çuli – një filmi që evokon fort dashurinë për “njeriun e ri” dhe pronën socialiste, duke mos marrë parasysh përçarjet e familjeve shqiptare. Sepse për Dianën kjo ishte më e shenjta e të shenjtave. Madje jam i bindur, që këtë Selim Cakakën, hetuesin, t’ia ketë dërguar Dianës vetë shefi i madh, i ati, Jorgo Çuli (mbase me kërkesë të vetë Dianës). Është mbase ndër rastet e rralla kur eksperti letrar ka babain hetues, gjë që do të thotë, që gjatë përpilimit të Akt-ekspertizës, të ketë pasur këshillimin atëror ideologjik, duke iu përshtatur dispozitave të kodit penal komunist. Pra e vërteta është kaq e thjeshtë, kaq kriminale dhe kaq e shëmtuar. Sado të grijë lloqe Mustafa Nano dhe gjithë mustafenjtë e tjerë…