Forumi i Femrave Bytyçase, për të pestin vit radhazi, ka mbajtur manifestime kulturoro-artistike me pjesëmarrje të gjërë mbarëkombëtare, për të festuar festat e 7- 8 Marsit 2019.
Sivjet ftoheni masivisht për të festuar se bashku si në një “familje të madhe” më 10 Mars 2019, në vendin e quajtur Klajdi-Park, Tapizë, afër rrugëkalimit nacional Kamëz-Fushë-Krujë.
Por njëkohësisht të mos harrohet për të kërkuar të drejtat tona që po shkelen ekstremisht prej më shumë se sa 28 viteve, edhe më tepër se sa në monizmin komunisto-punist.
Me qenë se sikurse e kemi me shumë dëshirë ta themi, për 8 Marsin, si “Festa e Nënave” ajo datë njihet në të gjithë botën si “Dita e Gruas”, madje në shtete të ndryshme kjo ditë festohet si festë kombëtare, për të sivjet kanë mbaruar përgatitjet për ta mbajtur atë me sa më shumë sukses, sikurse edhe vitet e tjera.
Bëjmë me dijeni se Forumi i Femrave Bytyçase, si pjesë strukturore dhe organizative e Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren, si gjithnjë me seriozitet e përkushtim është në pikun e angazhimit, për të organizuar manifestimin e sivjetëm i cili do mbahet me rastin e 7-8 Marsit, 2019, festës së Mësuesit dhe Nënave.
Deri tani ky forum ka pasur rezultate gjithnjë e më shumë në rritje sepse në punën e tij është udhëhequr nga parime të shëndosha morale dhe shoqërore, pa manira, përkatësira dhe ndasira, por me një qëllim patriotik, përbashkues, afrues e afirmues vlerash, jo vetëm krahinore dhe lokale por edhe ato kombëtare.
Ky forum për gjatë disa viteve me rradhë, dukshëm bie në sy se në aktivitetet që ka mbajtur deri tani e ka fituar një përvojë rezultative prej 6 vitesh aktivitete, nga të cilat 5 prej tyre organizime me rastin e 7-8 Marsit, për herë të parë ka filluar me një aktivitet për rastin e Vitit të Ri 2015, ka vijuar dhe vijon pa u ndalur në përmbushjen e misionit të tij për një dobi sa më të madhe shoqërore duke kontribuar edhe në aktivitete të ndryshme të Shoqatës Bytyçi, etj.
Edhe këtë vit si gjithmonë Forumi është në dinamikën e përgatitjeve për ta mbajtur si çdo herë ketë manifestim gjithpërfshirës, me pjesëmarrjën e femrave jo vetëm të atyre Bytyçase, por nga mbarë Malësia e Gjakovës, vise të tjera të Shqipërisë administrative por jo vetëm, sepse ashtu sikurse edhe rradhët e tjera do ketë të ftuara nga të gjitha trevat shqiptare të Shqipërisë Etnike, sikurse do jenë nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Çamëria, Lugina e Preshevës, Sanxhaku dhe Tutina, etj.
Duhet theksuar me një nënvizim të dukshëm se ky manifestim si çdo rradhë tjetër do jetë bio-shqiptar, i traditës, si një pikësynim për t`i dalë për zot ruajtjes dhe kultivimit të vlerave më të mira të trashëgimisë tonë kulturore, pa hequr asnë fije keqe për të qenë sa më “modernë” dhe “europianë”.
Kjo që po e theksojmë në mënyrë të nënvizuar, është për të vetmen arsye sepse kemi shumçka nga vlerat tona të lashta dhe bashkëkohore tradicionale nga të cilat ka marrë dhe merr Europa, ka huazuar dhe huazon Europa, por më së shumti edhe përvetësuar gjatë traumave tona historike, duke filluar këto përvetësime kryesisht nga fqinjët tanë të cilët e kanë fituar njëfarësoi “identitetin e vlerave tradicionale të huazuar prej nesh”.
Paraprakisht bëj me dijeni se në saj të vendit të përshtatshëm, ambjentit dhe pikës referuese, ashtu sikurse edhe rradhët e tjera edhe këtë vit me datën 10 Mars 2019, Ora 10.00, manifestimi do mbahet tek lokali “Klajdi Park”, i cili është në afërsi të Urës së Tapizës, gjatë përgjatë rrugës nacionale në relacionin Fushë-Krujë-Tiranë.
Si gjithnjë në këtë veprimtari do ketë të ftuara këngëtare të mirënjohura, grupe artistike, por një përparësi do kenë realizimet kulturore dhe artistike të vetë femrave Bytyçase dhe jo vetëm.
Pra ashtu sikurse edhe rradhë të tjera, do ketë hapësirë dhe do t`i afrohet mundësia që çdo pjesëmarrëse që do të aktivizohet, duke mos qëndruar si soditës i thjeshtë, do arrijë ta gjej veten në atë ambient shoqëror femrash në një mënyrë të natyrshme e tejet miqësore për t`u marrë lakmi dhe si një shembull referues.
Këto veprimtari të larmishme që realizohen në një ditë, me pjesëmarrje masive femrash thuajse nga të gjitha trevat shqiptare, kanë shërbyer edhe për prezantimin në një mënyrë të realizuar të personaliteteve të ndryshme të fushës së kulturës dhe artit, më përmasa kontributesh mbarëkombëtare. Pas prezantimeve që u kemi bërë gjatë viteve të tjera, disa personaliteteve sikurse janë z.Iljaz Bobaj dhe më pas z.Kadrush Rodogoshi, këtë vit mysafirë të ftuar kemi një personalitet Ballkanas, i cili jo vetëm se i përket këtij habitati i cili si vend sa është i afërt fizikisht, vijon që të jetë shumë herë më larg moralisht në mes njerëzve, por që duhen tret distancat, por ky personalitet i përket edhe botës shqiptare edhe pse është shumë pak i njohur në Shqipëri, pra vjen një shqiptar personalitet në fushën e letrave të shkruara nga Mali i Zi fqinji më i afërm i vendit tonë.
Ky është shkrimtari e akademiku Zuvdija Hoxhiqi (Berisha) ndër emrat më të njohur të Letërsisë në Mal të Zi. Është i lindur në Guci, në vitin 1943, në një familje shqiptare bektashiane, të ardhur aty nga Kodralia e Deçanit. Në Prishtinë ka kryer Fakultetin Filologjik.
Ka statusin e krijuesit të shquar të Kulturës – llogaritet ndër shkrimtarët e intelektualët më të shquar në Mal të Zi. Ka qenë zëvendës i drejtorit dhe kryeredaktorit të Qendrës “ INDOK” dhe i “ Tribunës” së Titogradit, zëvendës i redaktorit të “ Stvaranje”, kryetar i Këshillit drejtues të Qendrës për refugjatët e Malit të Zi.
Është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, i pranuar në një ditë me Ismail Kadarenë. Është nënkryetar i SUBNOR-it dhe antifashistëve të Malit të Zi. Kryeredaktor i revistës “ Kodi”, redaktor i revistës “ Almanaku”. Është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi.
Është fitues i çmimeve më të rëndësishme në Mal të Zi: ”Trembëdhjetë korriku”, ”Çlirimi i Podgoricës”, “Pena e Qamil Sijariqit”, ”Stefan Mitrov Lubisha” dhe “Ungjilli i Mirosllavit”, për romanin “Të gjithë të mitë”.
Deri tani ka botuar: Librin me poezi “Në konakun e parë” ; – librin me udhëpërshkrime dhe reportazhe “Një ditë e jetës“ dhe librin me ese “To je to “(Kjo është kjo); – Librat me tregime “Gluva zvona“(Kambanat e shurdhëta) dhe “Neko zove“ (Dikush thërret); – romanet “Viti i Gucisë “, “Ylli i Davidit” , “Të gjithë të mitë”.
Librat e tij, përmbledhja me tregime “Dimri”, dhe romani “Viti i Gucisë” janë përkthyer në gjuhën shqipe nga Zenun Çelaj, si dhe romani “Ylli i Davidit”, përkthyer nga Ramiz Kelmendi. Shkrimtari Zuvdija Hoxhiqi ka botuar në Cetinë romanin e ri me titull “Svi moji”, në gjuhën malazeze dhe në gjuhën shqipe në Podgoricë. Romanet dhe librat me tregime janë përkthyer në gjuhën shqipe, kurse “Ylli i Davidit” edhe në gjuhën polake, sllovene dhe italiane.
Tek ne në Shqipëri, për herë të parë ky personalitet është prezantuar nga Dimitrov Popoviq, (i cili është edhe redaktor i librit “Unë biri yt besnik dhe poeti”) para shokëve dhe miqësh, më datën 16 nëntor, 2018, tek stenda e librave të Enti i Teksteve dhe Mjeteve Mësimore, Podgoricë, Mali i Zi, gjatë Panairit të Librit i cili ishte i hapur në Tiranë në Pallatin e Kongreseve.
Kurse prezantimi dhe promovimi i parë dinjitoz i tij dhe i veprës së tij do të bëhet para Forumit të Femrave Bytyçase, dhe jo vetëm me datën 10.03.2019, përmes një jetëpërshkrimi, përshëndetje nga ana e tij, pyetje e përgjigje, mini Panairi me botime të tij në shqip e gjuhë të tjera, etj. Nuk mbetet tjetër veçse t`i urojmë mirëseardhjen në mesin tonë, duke i dhuruar atij dhe shoqëruesve të tij mikpritjen tonë vëllazërore e tradicionale sikurse të jetë në shtëpinë e tij.
Me atë rast dhe në atë ditë, ashtu sikurse është bërë një traditë e mirë, nga ana e Forumit i është propozuar Shoqatës, për të miratuar për persona dhe personalitete femra dhe jo vetëm, Mirënjohje, Mirënjohje Speciale, Diplomë, Çertifikata, Çmime, Tituj Nderi, dhe vlerësime të tjera, për femra të caktuara prej tyre të cilat kanë dhënë kontribute të dalluara shoqërore dhe kanë mbartur dhe mbartin vlera të dalluara në arritjet e tyre në lami të caktuar të jetës, etj.
Ajo ditë si një “Log Zanash”, sikurse edhe rradhë të tjera përmes një manifestim masiv me kostumet tona kombëtarë, ku si çdo herë do ketë përparësi veshja e gjanë e Malësisë së Gjakovës, me pshtjellak, veshja e ngushtë, por edhe çdo veshje tjetër e traditës së zonave e krahinave të tjera të cilat do sigurohen nga pjesëmarrëse të ndryshme.
Si një vemëndje e shtuar duke e parë se në vazhdimësi nga fqinjët tanë “po sulmohen”, dhe përvetësohen elementë krucialë të traditës tonë më të lashta e të konsoliduara, sikurse ka qënë fustanella e cila është përvetësuar nga Grekët, tani se fundmi edhe Lahuta nga Serbët, e kështu me rradhë të gjata përvetësimesh, krahas Plisit të Bardhë i cili shoqëron moton vazhduese se “Edhe Zanat e Malit janë më Plisa”, por këtë rradhë do t`i kushtojnë një interes të shtuar edhe Xhubletës, si në referim ashtu edhe simbolik për të, apo demostrimit sa më masiv të saj, kjo edhe sipas mundësive për demostrim.
Po ashtu sikurse edhe vitet e tjera, Forumi do mbështesë nismën e ndermarrë për herë të pare në trojet etnike shqiptare nga ana e Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren, për “Festën e Plisit të Bardhë”, dhe tani edhe aksionin mbarëkombëtar të kësaj shoqate, kthyer në lëvizjen e iniciuar nga ana e tyrë që “Festa e Plisit të Bardhë të arrijë të shpallet si një Festë Mbarëkombëtare”, nën moton vijuese se “Edhe Zanat e Malit janë me Plisa”, duke e rritur masivitetin e mbajtjes së Plisit nga femrat pjesëmarrëse.
Me rastin e mbajtjes së atij aktiviteti manifestiv, sikurse vitet e tjera edhe këtë vit janë të ftuara femra artiste të traditës ngado që të jenë, që të marrin pjesë me propozimet e tyre dhe pjesëmarrje aktive për të realizuar sa më mirë që të jetë e mundur, “Kanagjeçin”, me të gjithë elementët e tij, sikurse janë ajo e kënduarja e vajzës që përgatitet për të shkuar nuse, ngjitja e kanës, plaku i kanagjeçit, kënga me tepsi, kënga “Hoj Dado Hoj”, “kënga me gisht në fyt”, “kënga djepi” etj.
Gjatë atyre veprimtarive të kondensuara në shumë zëra do ketë edhe prezantime librash të poeteve Bytyçase dhe jo vetëm, nga krahina dhe jashtë saj.
Kjo ditë me qenë se globalisht ka shërbyer dhe shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi në gati 11 dekada, prandaj parë në kontekstin e saj, Forumi i Femrës Bytyçase ka vendosur që edhe këtë vit ashtu sikurse edhe në katër vite të tjera, që ta festojë atë jo vetëm në një mënyrë sa më madhështore dhe argëtuese, por edhe si një protestë.
Si një protestë para kastave politike të cilat e kanë qeverisur dhe po e qeverisin këtë vend prej më shumë se sa 28 vitesh “demokracie të rrejshme”, të cilat jo vetëm se nuk e kanë ofruar mundësinë e rritjes së rolit të femrave në shoqëri, por edhe e kanë degraduar atë rol, si dhe po i shkelin të drejtat e femrave shumë më keq se sa në diktaturën komuniste, ose krahasuar me atë periudhë, shkelja e të drejtave në fjalë ka pësuar një rënie pikiadë.
Sot femrat shqiptare masivisht kanë mbetur shtëpiake të dëshpëruara, ose edhe ato që janë punësuar janë shfrytëzuar dhe po shfrytëzohen ekstremisht përmes një sllavërie të fshehur e moderne në fasone dhe vende të tjera pune ku jo vetëm paga e cila nuk del për të mbajtur familjen, por edhe kushtet e punës janë diskriminuese të cilat kanë shkaktuar dhe po u shkaktojnë sëmundje profesionale dhe pa u mbrojtur në punë.
Por më e rënda është fakti kur kastat politike, në emër të barazisë gjinore afrojnë vende pune për femra, por “rekrutimi” i tyre, përpos lidhjeve neopotike, ka vijuar dhe tani në një mënyrë të theksuar vijon mbi bazën e preferencave politike, thithjes së antivlerave, atyre me nivel të dobët arsimor dhe profesional, dhe më e keqja është se dikasteret çdo ditë e më shumë po kthehen në “vath pelash”, e jo femrash me dinjitet.
Theksojmë me përparësi se Forumi i Femrave Bytyçase e ka marrë për mision që të jetë një shembull referues jo vetëm si individ, në familje dhe ambientet shoqërore, por edhe në gjenerimin e aktiviteteve, përmes të cilave është rritur dhe do rritet fryma shoqërore, bashkëpunuese, si dhe kultivimit dhe pasurimit të traditave më të mira të popullit shqiptar.
Bashkohuni me ne që të kërkojmë që 8 Marsi të shpallet ditë pushimi, për të pasë kohë të demostrojmë në kërkim të drejtave tona sepse që nga këtu ka filluar dhe vazhdon shkelja e të drejtave të grave nga kastat politike e qeverisëse të këtij vendi, për të mos i lënë gratë së paku “të festojnë”, edhe kur është për të protestuar, “duke e kthyer dhimbjen në forcë”.
Forumi i Femrave Bytyçase
Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren
Kryetari Agron Isa Gjedia