Në Shqipëri, Drejtori për Zgjerimin në Komisionin Europian, Christian Danielsson tha sot se vendimi i opozitës për të hequr dorë nga mandatat parlamentare, minon në mënyrë serioze rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit në BE. Këtë deklaratë ai e bëri në përfundim të takimeve me drejtuesit e opozitës dhe kryeministrin Edi Rama. Nderkohe që kryetari demokrat Lulzim Basha përsëriti se për opozitën nuk ka kthim pas
Ndërsa Komisioni Europian është duke hartuar raportin e rradhës për ecurinë e Shqipërisë, mbi të cilin vendet anëtarë do të duhet të vendosin nëse do të zyrtarizojnë ose jo hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë, zhvillimet e trazuara politike në vend, po kthehen në një pengesë të fortë.
“Eshtë fatkeqësi që sot Shqipëria ndodhet në kurth nga një pasiguri dhe mungesë stabiliteti politik. Të gjitha forcat politike duhet të marrin vendime të përgjegjshme që do të lejonin Shqipërinë që të vazhdojë të japë rezultate në lidhje me reformat. Udhëheqja e përgjegjshme, është e vetmja mënyrë për të krijuar një trajektore për fatin e këtij vendi e për ta sjellë në tryezën e negociatave me BE”, deklaroi Drejtori për Zgjerimin në Komisionin Europian, Christian Danielsson.
Opozita tanimë ka hequr dora nga mandatet parlamentare, një vendim i cili sipas zotit Danielsson “minon në mënyrë serioze rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit në BE. Pasiguria duhet të tejkalohet urgjentisht dhe jeta normale demokratike duhet të rikthehet”.
Për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kalimtare që do të përgatisë zgjedhjet e parakohshme, opozita po organizon protesta të njëpasnjëshme, gjatë së cilave janë rregjistruar akte dhune, që, siç u shpreh zoti Danielsson, përbëjnë shqetësim të madh për Brukselin: “Eshtë e e rëndësishme që ato të jenë të paqshme dhe ata që janë përgjegjës për to, të përmbahen dhe të mos shtyjnë për dhunë”
Zyrtari i Komisionit europian vlerësoi ecurinë e bërë nga Shqipëria që prej qershorit të kaluar, vecanërisht me reformën në drejtësi dhe procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke shtuar se përpjekjet duhet të vijojnë për të të çuar përpara reformat në veçanti në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në mënyrë që siç shkruan ai në një postim në Twitter pas takimit me kryministrin Edi Rama, “të jetë bindëse për vendet anëtare në Qershori kur do të vlerësohet përparimi i bërë”.
Por për momentin, nuk shihen sinjale për një ndryshim të situatës. Zoti Danielsson pranoi se nga opozita nuk kishte dëgjuar për ndonjë tërheqje. Dhe vetë kryetari demokrat Lulzim Basha pas takimit me të përsëriti se “formula e zgjidhjes është kjo: regjimi i Edi Ramës ka mbaruar, shqiptarët e kanë përcaktuar rrugën në të cilën do të ecet dhe opozita ka për detyrë që këtë rrugë ta konkretizojë me vizion që edhe në Shqipëri të fillojnë të ndërtohen institucione, ato praktika ku rrespektohet dinjiteti i njeriut, ku nuk shkelen e të drejtave të njeriut, ku qeveria dhe parlamenti janë në krah të njerëzve dhe jo kundër njerëzve, kundër kriminelëve dhe jo në krah të kriminelëve. Për këtë, padyshim duhet një reformë e thellë kushtetuese, duhet një reformë e thellë elektorale, por, mbi të gjitha, duhet vullneti politik”
Sipas zotit Basha, në kushtet në të cilat ndodhet, Shqipëria nuk ka asnjë shans të hyjë në Europë.