Ish shefi i diplomacisë gjermane, Klaus Kinkel, vdiq në moshën 82 vjeçare. Lajmin e publikoi Partia e Lirë Demokratike, të cilën ai e kishte drejtuar gjatë viteve 1993 – 1995, por pa dhënë më shumë hollësi.
Udhëheqësi i kësaj partie, Christian Lindner, u shpreh i prekur nga lajmi duke e cilësuar zotin Kinkel si një “njeri me karakter këshillat e të cilit i kam vlerësuar shumë”.
Klaus Kinkel kishte drejtuar shërbimin gjerman të zbulimit BND nga viti 1979 deri në vitin 1982. Më pas kishte shërbyer si ministër i Drejtësisë në qeverinë e ish kancelarit Helmut Kohl, deri pas bashkimit të Gjermanisë.
Me largimin nga detyra të ish ministrit të Jashtëm Hans-Dietrich Genscher, ai mori postin shefit të diplomacisë gjermane nga viti 1993 deri në vitin 1998, kur u pasua nga Joshka Fischer.
Klaus Kinkel kishte bërë përpjekje në vitet e 90-ta për një zgjidhje paqësore të situatës në Kosovë. Pas shpërthimit të luftës njëzet vjet më parë ai u bë pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë fund dhunës, ndërsa vlerësoi se “përgjegjësia për dramën e Kosovës bie presidentin (Slobodan) Milosheviç”.
Në kohën e tij, qeveria gjermane kishte vendosur të mbështesë të gjitha veprimtaritë e NATO-s kundër forcave serbe në Kosovë
Kancelarja gjermane Angela Merkel, u shpreh e pikëlluar të martën për “humbjen e një miku besnik nga koha e ribashkimit gjerman”. Ajo e cilësoi atë si “një liberal të madh dhe një kampion pa kompromis të lirisë dhe demokracisë”.
Shefi i diplomacisë gjermane, Heiko Maas, shkroi në rrjetin twitter se Klaus Kinkel “ka kontribuar shumë që Gjermania e ribashkuar të zërë vendin e saj në botë dhe për të jetuar në paqe dhe respekt me fqinjët e saj”.
Në Kosovë, presidenti Hashim Thaçi u shpreh i pikëlluar me lajmin “për vdekjen e ish-zëvendëskancelarit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Klaus Kinkel, i cili gjatë viteve të 90-ta kishte formësuar politikën e jashtme gjermane në adresimin e çështjes së Kosovës. Liria e Kosovës ishte ndër prioritet më të mëdha që kishte Kinkel. Qytetarët e Kosovës do të jenë gjithmonë mirënjohës për përkrahjen e tij”, shkroi ai.
Kryeministri Ramush Haradinaj tha se “Gjermania e humbi sot një nga diplomatët më të shquar nga radhët e saj, Klaus Kinkel, derisa Kosova një mik të madh. Kinkel i dha zë të drejtës së Kosovës për liri dhe pavarësi dhe shqiptarëve përkrahje të pa rezervë për rrugën evropiane”, shkroi ai ne rrjetet sociale.