Shtetet e Bashkuara thanë se e kanë rikthyer misionin e Bashkimit Evropian në Uashington në statusin e tij të mëparshëm, duke e quajtur BE-në si një nga “partnerët e saj më të vlefshëm”.
Në fund të vitit të kaluar, SHBA-ja e uli statusin diplomatik të misionit të BE-së nga “shtet anëtar” në “organizatë ndërkombëtare”. Ky veprim u vlerësua si një goditje më shumë në raportet e trazuara transatlantike.
“Departamenti i Shtetit do të njohë përsëri përfaqësimin e Bashkimit Evropian në Uashington si të barazvlefshëm më atë të një misioni dypalësh” tha, ambasadori i SHBA-së në BE, Gordon Sondland.
Sipas tij, Bashkimi Evropian është një “organizatë me rëndësi të veçantë dhe një nga partnerët më të vlefshëm të SHBA-së në çështjet e prosperitetit dhe sigurisë botërore”.
“Bashkëpunimi dhe niveli i angazhimit dypalësh duhet të njihen në të gjitha nivelet pasi siguria dhe suksesi i Evropës janë të lidhura ngushtë me atë të SHBA-së” tha ambasadori Sondland.
Vitet e fundit raportet mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian janë përkeqësuar. Administrata e presidentit Donald Trump, vitin e kaluar, vendosi tarifat për çelikun dhe aluminin ndaj BE-së.
Bashkimi Evropian konfirmoi në janar se po zhvillonte bisedime me zyrtarët e SHBA-së lidhur me statusin e misionit diplomatik.
Deklarata në atë kohë u bë pasi transmetuesi ndërkombëtar gjerman, Deutsche Welle, raportoi se ambasadori i BE-së në SHBA, në dhjetor, nuk mori ftesë për funeralin e ish-presidentit të SHBA-së, George H.W Bush.