Alessandro Castriota Scanderbeg

Duke iu referuar figurës së Gjon Kastriotit, birit të Skënderbeut, për të cilin kemi publikuar kohët e fundit një profil biografik (Rrënjet Nr. 2 i vitit 2018), ne dëshirojmë të shtojmë një lajm të rëndësishëm, i cili deri më tani i ka shpëtuar historianëve më mendjemprehtë: data dhe vendi i saktë i martesës së vetë Gjonit me Erina Brankoviç, e bija e mbretit Llazar të Serbisë dhe Elena Paleologo, vajza e madhe e Thomas Despotit nga Morea.

Në tetor të vitit 1472, Gjoni është në Napoli, në gjykatën aragoneze në Kastel Nuovo (ku është vendosur banesa e nënës së tij Andronika), për të pritur gruan e tij të premtuar Erina. Ajo arrin në Napoli, e transportuar nga anijet mbretërore, më datë 28. Lajmi vjen tek ne nga një dëshmitar okular i jashtëzakonshëm, i ftuar në dasmë: Zakaria Barbaro, orator venecian në Napoli nga shtatori i vitit 1471 deri në shtator të vitit 1473. Këtu janë fjalët e Barbaro˗s në njoftimin e dërguar tek Kryesia e Venedikut një ditë pas ngjarjes:

“Dje hyri bija e Dhespotit të Serbisë, e ardhur nga zotëria i Shenjtes Maura me njerëzit e besueshëm të mbretit, që ajo të martohet me të birin e Skënderbeut që është këtu tek mbreti, kundër së cilës i shkoi don Zhuan (i biri i mbretit, komandanti abat i Montekasino˗s, pastaj kardinali i SRC, ndr) me gjithë pjesën tjetër të Këshillit dhe qeshë ftuar edhe unë; ajo është tejet e bukur, 13˗vjeçare dhe u ul në Kastel Nuovo në një dhomë të zonjës Leonora (e bija e mbretit, në 1473 u martua me Ercole d’Este, Duka i Ferrarës, ndr) dhe me të mbërritur qe martuar. Shpresoj të ketë arritur në pikë të mirë, pastaj ky bir i Skënderbeut ka hirin e mbretit”[1].

Për të ikur nga Serbia, e pushtuar nga Turqit, Erina kishte zbritur me nënën e saj Elena në Santa Maura (Lefkada, në Greqi), toka e Toko˗s, ku motra e saj Milica Brankoviç ishte martuar me Leonardo III Toko, despoti i Artës (motra tjetër e Irena, Maria Elena, ishte martuar me mbretin e Bosnjës, Stefan Tomaseviç). Fakti që “rrethin mbretëror” ka shkuar në Santa Maura të bën të mendosh për një rol parësor të Mbretit Ferrante në kombinimin e martesës së Gjon Kastrioti Skënderbeut me vajzën e despotit të Serbisë, Irene Brankoviç. Është e qartë se kjo martesë ka një kuptim të qartë “politik” për gjykatën aragoneze: shtrijë, përmes familjes Kastrioti Skëndërbeu, si besnikë ndaj saj, ndikimin e saj në Ballkan në një funksion anti-turk.[2] .

Dasma u zhvillua një javë më vonë, më 4 nëntor 1472, siç vë në dukje vetë ambasadori venecian:

“Madhëria mbretërore sot më ftoi që unë të gjendem në martesën e gruas së birit të Skënderbeut, kur qe akoma ambasador de Uson Cassan dhe ai i Ferrarës. Dhe, përpara se të shkonim ne Meshë, mbreti më thirri etj…”.[3]

Zaccaria Barbaro gjithashtu na informon se babai i Irene, despoti i ndjerë Lazaro Brankoviç, kishte një të ardhur vjetore prej një milion dukatësh, një shifër e madhe për ato kohë[4].

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Ky lajm për një pasazh të rëndësishëm në jetën e Gjonit paraqet një pjesë të rëndësishme në rindërtimin e biografisë së djalit të Gjergj Kastriotit, i njohur si Skënderbeu, dominus Albaniae[5].

Gjon Kastrioti Skënderbeu, një skicë nga Pietro Cavoti e marrë nga libri i Luigi Galante dhe Giancarlo Vallone: Pietro Cavoti, portretet e të shquarve salentinë, Qendra e Studimeve Salentine, Lecce 2016.

Përktheu: Nikolin Sh. Lëmezhi



[1] Zaccaria Barbaro, Korrespondenca diplomatike veneciane nga Napoli. Dërgesat. Ist. Poligr. i shtetit, Romë 1994, f. 408.

[2] De Filippo M.S. Ferrante dAragona dhe kërkimi i një hegjemonie politike napolitane në Itali. Doktoraturë në histori, Universiteti i Studimeve Napoli Federico II, udhëheqës: prof. Senatore F, bashkë-udhëheqës: prof. Stori F. Vitet akademike 2008-2011.

[3] Zaccaria Barbaro, Korrespondenca diplomatike veneciane nga Napoli. Dërgesat. Ist. Poligr. i shtetit, Romë 1994, f. 418.

[4] Zaccaria Barbaro, Korrespondenca diplomatike veneciane nga Napoli. Dërgesat. Ist. Poligr. i shtetit, Romë 1994, f. 413.

[5] Dominus Albaniae, nga latinishtja: Zoti i Shqipërisë (Zotëria i Shqipërisë) [shënim i përkthyesit].