Ballina Rajoni Mali i Zi miraton protokollin për pranimin e Maqedonisë Veriore në NATO

Mali i Zi miraton protokollin për pranimin e Maqedonisë Veriore në NATO

Parlamenti malazez miratoi të premten projekt-ligjin për ratifikimin e Protokollit të Traktatit të Atlantikut të Veriut mbi pranimin e Maqedonisë Veriore. 44 deputetët e pranishëm votuan për këtë projektligj. Atë e mbështeten deputetët e Partisë Demokratike Socialiste, Partia Social Demokrate dhe partitë e pakicave në Malin e Zi.

Ministri i Jashtëm Srgjan Darmanoviç tha në parlament se deputetët morën një vendim historik, pasi Mali i Zi për herë të parë miraton pranimin e një vendi tjetër në NATO. Ai gjithashtu deklaroi se pranimi i Maqedonisë Veriore në NATO është një lajm i mirë për të gjithë rajonin dhe mënyra e vetme për të arritur progresin në Ballkanin perëndimor.

Mbështetja për Maqedonisë është e lartë në axhendën e Malit të Zi. Si vend anëtar i NATO-s, Mali i Zi është një nxitës aktiv i zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s“, tha Darmanoviç.

Hyrja e Maqedonisë Veriore në NATO u vlerësua si tejet e rëndësishme për stabilitetin dhe sigurinë e këtij vendi, por edhe për sigurinë e rajonit.

Ndërkaq, deputetët proserbë të Frontit Demokratik nuk e mbështetën protokollin mbi pranimin e Maqedonisë Veriore në NATO.

Kjo parti e quajti terrorist Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferi, i cili ishte i pranishëm në seancën e sotme.