Të shkruash për fatet e zinj, për dramat dhe rrokopujat e ngjarjeve që të nxijnë jetën, për historitë përsonale që rrezikohen përherë nga makthet dhe ankthet, nga hendeqet fatale, është një letërsi sa interesante, aq dhe e vështirë apo e rrezikshme, që don nga shkrimtari shumë stoicizëm për ta përballuar në një vepër letrare. Margarita Stoja sjell romanin “Fati i zi i xhulianëve”, pikërisht të ngarkuar tej mase me terr, misticizëm, gjendje të turbullta dhe të pa davaritura, me realitete gjysëm hipnoze, mediumesh, transi, me linja jetësh që ndërthuren, përplasen, bëhen individuale dhe pastaj rrënohen herë pas here, duke shkuar drejt fundeve dramatike dhe krejt të pashmangshëm.
Autorja na thotë me letërsinë e saj fatin e zi të xhulianëve, dhe e thërret lexuesit të kuptojë shumëfaqeshin e fatit të zi, çdo të thotë të përfshihesh në fatalizmin e jetës, çfarë cikloni t’i përfshinë dramat përsonale dhe familiare, në çfarë gracke metafizike bie individi dhe pikërisht mistika e fatit të xhulianëve.
Që në titull, lexuesi përgatitet të futet nëpër teori konspirative, ngjarje të errëta e plotë habi, situata që ashtu sa të venë në mendime, aq dhe të mbajnë gjatë të lidhur me fatin e këtyre njerëzve.
Subjekt interesant dhe shumë i veçantë, i shkruar me një energji tjetërlloji, me një zhdërvjelltësi të admirueshme. Ngjarje dhe situata të mbajtura në tirë dhe suspans, që e hepon frymën e lexuesit nga faqja në faqe, Makro dhe mikrongjarje ndërthuren në mënyrë shumë harmonike, dhe plotësojnë dalngadalë pazëllin e ndodhisë së madhe të këtij romani. Stili i të shkruarit tregon maturimin e autores në zotërimin e materies letrare dhe sjelljes tek lexuesi në mënyrë shumë të përceptueshme, të qartë, të këndëshme, që të jep kënaqësinë e leximit. Loja e metaforave, nënteksteve filozofike, i jep këtij romani tisin e ideve të thella. Kjo vepër është shumë filmike, e mbushur me imazhe dhe që të krijon përfytyrime të jashtëzakonshme. Subjekti kalon nëpër hamendje, nëpër kthina dhe koridore ndodhishë dhe përsonazhesh të veçantë, lëviz në realitete sa ireale aq dhe të përceptueshme, duke i dhënë këtij romani sa dimensionin modern e surealist, aq edhe përmasën e letërsisë realiste. Megjithëse paraprakisht lexuesi parashikon zymtësinë e temës dhe ngjarjeve, autorja ka gjetur dhe regjistra interesante të trajtimit të ngjarjeve, duke i bërë ato edhe të lehtë, edhe të këndëshëm, edhe të hijshëm, edhe sa impresionant aq dhe të dashur në lexim. Struktura moderne, estetika si dimension krijimi,,dhe leksiku i pasur dhe funksional, e bëjnë këtë roman një vepër dinjitoze, përfaqësuese, konseguente në letërsinë e shkruar sot në shqip.
Ngarkesa, tronditje të forta, gjendje stresante dhe përvuajtje, dhimbje dhe zezona, ankthe dhe makthe, e shoqërojnë tërë historinë e pafund të xhulianëve në këtë roman të shkrimtares Margarita Stoja. Volume interesante ngjarjesh dhe subjektesh do të ketë çdo njëri nga ju në dorë, sapo të marrë për bibliotekën e tij “Fati i zi i xhulianëve”.
(SHENIM: Romani doli nga shtypi, botim i Shtëpisë Botuese MUZGU)