Do ende kohë që të krijohet një partneritet i vërtetë midis europianëve dhe arabëve. Diferencat janë të mëdha, megjithatë BE dhe Liga Arabe u përpoqën të kërkonin pikat e përbashkëta.
Ägypten Gipfel EU und Arabische Liga in Sharm El Sheikh PK (Getty Images/AFP/K. Desouki)
A ishte premiera e takimit të nivelit të lartë europiano- arab vetëm një teatër pa ndonjë përmbajtje, takim i fjalëve dhe frazave boshe? Në vështrim të parë kështu duket, sepse dokumenti përfundimtar i takimit të parë midis Bashkimit Europian dhe Ligës Arabe nuk përmban vendime konkrete. Por as nuk pritej që të kishte të tilla. Në takimin e parë synimi kryesor ishte vendosja e kontakteve dhe përcaktimi i kuadrit për bisedimet e mëtejshme.
U bënë shumë përpjekje diplomatike në Sharm el Sheih. Por, shenja për zgjidhjen e konflikteve nuk u dukën.
Sidoqoftë, të paktën u diskutuan problemet më urgjente si luftërat civile në Siri dhe në Jemen. Po ashtu u bënë propozime për stabilizimin e Libisë. Por, nuk është punë e BE, ose punë e “Ligës Arabe”, një lidhje shumë e lirshme, që të vënë gjërat në lëvizje. Interesat e grupit të shquar që përbëhet nga mbretër, emirë si dhe potentatë e autokratë që nga Libia e deri në Oman, janë të ndryshme. Palët që ndodhen në luftë nuk përfaqësoheshin të gjithë në Sharm el Sheih. Për zgjidhje të qëndrueshme do të duhej të merrnin pjesë edhe Siria, Rusia, Irani, SHBA dhe Turqia
Takim i nivelit të lartë BE- Liga Arabe, Egjipt
Fuqia dhe çështje fati
Për konfliktin e Sirisë takimi nuk solli përparime. U përsëritën çështjet që njihen. Interesi i europianëve ka të bëjë kryesisht me shuarjen e konfliktit, për të penguar valë të tjera refugjatësh dhe për të mundësuar kthimin në atdhe të refugjatëve sirianë. Kjo do ishte edhe në interes të vetë BE-së, sepse çështja e migracionit i ka përçarë europianët. Shtetet e Afrikës së Veriut, përfshirë Egjiptin, vendin pritës të takimit bënë të qartë se nuk kanë mendim shumë të mirë për idenë europiane që migrantët të mbahen përgjithnjë në Afrikën e Veriut. Nuk është e vetmja çështje që bën të qartë se dy rajonet fqinjë janë të varur nga njëri tjetri. Kancelarja shkoi madje më tej, duke e quajtur kooperimin “çështje që vendos për fatin” e BE.
Edhe sfidat e mëdha që dalin nga zhvillimet e ndryshme të popullsisë duhen përballuar. Në shtetet arabe shumica e popullsisë është nën moshën 25 vjeçare. Prandaj ekziston nevoja për perspektivë ekonomike, vende pune dhe vende arsimi profesional. Në këto fusha BE mund dhe duhet të bëjë më shumë për të ulur presionin e migracionit nga shtetet arabe në drejtim të Europës. Nga kryetarët e qeverive europiane është kërkuar që partnerët e bisedimeve që i qëndrojnë larg demokracisë, të respektojnë të drejtat e njeriut, por kjo gjë nuk është vendosur si parakusht për bashkëpunimin. Presidenti egjiptian, al-Sisi, i cili e qeveris vendin e vet me dorë të fortë njësoj si pushtetmbajtësit e tjerë në hapësirën arabe, e ka ndaluar çdo lloj ndërhyrjeje. Kritika e tij ndaj europianëve ishte e panevojshme, po çfarë të presësh nga autokratët që duan të venë si medalje fotografitë nga takimi?
U bënë shumë përpjekje diplomatike në Sharm el Sheik. Por, shenja për zgjidhjen e konflikteve nuk u dukën.
Së bashku në procesin e paqes në Lindjen e Mesme
Al-Sisi kërkoi një qëndrim të përbashkët në konfliktin në Lindjen e Mesme dhe gjeti gatishmëri tek partnerët europianë për këtë. Nga Sharm el Sheih u dha sinjali se BE dhe Liga Arabe janë për “zgjidhjen me dy shtete”, pra paqe për Izraelin dhe një shtet palestinez që duhet krijuar. Ky sinjal i drejtohet Izraelit, SHBA dhe Iranit, vende që për arsye të ndryshme nuk e pranojnë “zgjidhjen me dy shtete” ose mendojnë se i ka kaluar koha.
Në përgjithësi vlen ajo që tha që në fillim të takimit presidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk, se fqinjët nuk mund t’i zgjedhësh. Prandaj duhet bashkëpunuar me botën arabe në jug dhe lindje të Mesdheut ose do vazhdohet të jetohet në konflikt, gjë që kërkush nuk e dëshiron.
Prandaj dialogu midis fqinjëve duhet të vazhdojë. Multilaterizmi duhet të jetohet, thotë kancelarja gjermane, edhe nëse ecën ngadalë dhe shkakton dhimbje. Alternativa tjetër do të ishte heshtja pa perspektivë për bashkëpunim. Kjo nuk i shërben kurrkujt. Pra, duhet vazhduar me mundim diplomacia. Mbase arrihet ndonjë zgjidhje./D.W./