Anëtari i Këshillit Bashkiak të New Yorkut, Mark Gjonaj, tha sot se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë dhe do të jenë gjithmonë të forta dhe asgjë nuk do të mund t’i dëmtojë ato.

Ai i bëri këto komente në Prishtinë, ku po qëndron së bashku me një delegacion shqiptaro-amerikanë.

Zoti Gjonaj u dekorua me medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, për siç u tha “lartësimin e vlerave shqiptare kudo që janë, posaçërisht në Amerikë”.

“Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë të forta dhe gjithmonë do të jenë të forta dhe asgjë nuk do të mund të minojë marrëdhëniet që kemi dhe forcën tonë së bashku.”, tha zoti Gjonaj.

Kosova, tha ai, është vend i pavarur dhe duhet të fillojë të mendojë në këtë mënyrë pavarësisht trysnive të ndryshme nga bashkësia ndërkombëtare.

Sa u përket kushteve të tanishme që janë shprehur mendimet nga komuniteti ndërkombëtar, këto janë gjëra me të cilat ne merremi dhe ne do t’i hedhim ato mbi themele të forta, është diçka me të cilat duhet të rritemi, pra janë dhimbje të rritjes. Por, Kosova është një vend i pavarur dhe duhet të fillojë të veprojë në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje të bashkësisë ndërkombëtare dhe forcave të jashtme, duhet të luftojë për vetveten, të mendojë për vete dhe të paracaktojë të ardhmen e vet”, tha zoti Gjonaj.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se shqiptarët në Ballkan kanë nevojë për njerëzit e tyre në Amerikë.

Kemi biseduar shumë tema, prej shqetësimeve e punëve të Kosovës, punëve të shqiptarëve kudo që jemi. E kemi edhe një situatë festive, më tre mars votojnë shqiptarët për Këshillin e Tuzit, i ftojmë shqiptarët të votojnë të gjithë që t’iu gëzohen komunës së vet njëkohësisht i ftojmë edhe institucionet e Malit të Zi që t’i gëzohen këtij suksesi të shqiptarëve në Tuz”, tha ai.

Zoti Gjonaj dhe bashkëpunëtorët e tij po qëndrojnë për një vizitë në Kosovë prej nga do të shkojnë edhe në Shqipëri dhe Mal të Zi.

Vizita përkon me një periudhë kur janë sfiduar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara për shkak të refuzimit të Prishtinës që të pezullojë tarifat ndaj mallrave serbe, me gjithë kërkesën amerikane.

Dy zyrtarë të lartë amerikanë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, John Erath dhe Brad Berkley, do të qëndrojnë të mërkurën në Prishtinë për të diskutuar këtë çështje me autoritetet e Kosovës. Më parë ata ishin në Beograd dhe ndonëse nuk kanë bërë komente, zyrtarët serbë thanë se çështja e tarifave dhe bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi ishin në qendër të takimeve.

John Erath ishte një nga tre zyrtarët e lartë amerikanë që në fillim të këtij muaji përmes një letre paralajmëruan masa të reja ndaj Kosovës nëse ajo nuk pezullon tarifat ndaj mallrave serbe.