Këtë muaj mbushen 20 vjet nga konferenca e mbajtur në Rambuje afër Parisit, ku një delegacioni të Jugosllavisë dhe një tjetri që përfaqësonte shqiptarët e Kosovës iu ofrua nga komuniteti ndërkombëtar të nënshkruanin një marrëveshje për paqe, që do t’i jepte fund krizës humanitare në Kosovë.

https://www.zeriamerikes.com/a/4803106.html

Në fillim, shqiptarët ngurronin të pranonin një zgjidhje, sipas të cilës Kosova mbetej pjesë e Serbisë. Edhe serbët kundërshtonin. Ata nuk donin rikthimin te statuskuoja e para vitit 1990, siç parashikonte marrëveshja. Përfundimisht, më 18 mars 1999, delegacioni shqiptar, amerikan dhe britanik nënshkruan, ndërsa ai serb dhe rus refuzuan.

Kjo çoi në bombardimin e NATO-s kundër forcave të presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç dhe largimin e tyre nga Kosova. Komuniteti i shqiptarëve të Amerikës luajti një rol me rëndësi në sensibilizimin e administratës amerikane për gjendjen në Kosovë. Kolegu ynë Ilir Ikonomi bisedoi me veprimtarin nga Nju Jorku Harry Bajraktari, i cili gjatë konferencës shkoi në Rambuje për t’u takuar me delegacionin shqiptar.

Harry Bajraktari, biznesmen pronash të patundshme në Nju Jork ruan mjaft kujtime nga Konferenca e Rambujesë. Ai thotë se mes delegacionit shqiptar kishte dilema dhe hezitime dhe frika më e madhe ishte se nënshkrimi i marrëveshjes së Rambujesë mund ta linte Kosovën përfundimisht nën Serbinë.

Zoti Bajraktari thotë se e gjithë lufta e shqiptarëve deri në atë kohë kishte qenë që Kosova të bëhej e pavarur. Me refuzimin e Millosheviçit për të nënshkruar, NATO-ja filloi shumë shpejt bombardimet kundër forcave serbe.