Të gjithë e dimë që lulet ndihmojnë në pastrimin e ajrit brenda shtëpisë. Por nëse nuk keni talent për bimët, ende mund të jeni me fat – Ikea ka zhvilluar perde për të cilat pretendon se e pastrojnë ajrin e brendshëm, duke e përdorur një proces të ngjashëm me atë që ndodh tek bimët.

Të njohura me emrin Gunrid, perdet janë bërë nga pëlhura konvencionale, e cila i nënshtrohet një trajtimi sipërfaqësor që i vesh ato me një shtresë minerale fotokatalizuese. Ikea ende nuk është e gatshme ta zbulojë mineralin në fjalë. Gjithsesi, supozohet se bëhet fjalë për dyoksid titaniumin, i cili më parë është përdorur në tekstile pastruese të ajrit, shkruan KOHA Ditore.

Sidoqoftë, kur materiali ekspozohet ndaj dritës së brendshme ose të jashtme, thuhet se ai reagon duke i shpërbërë ndotësit, siç është formaldehidi, të cilët janë të pranishëm në ajrin përreth. Aktualisht nuk ka informata se sa efektive është shtresa e veshjes, edhe pse procesi thuhet të jetë “i ngjashëm me fotosintezën që gjendet në natyrë”.

Nëse jeni të interesuar t’i keni këto perde, ato do të duhej të jenë në dyqanet e Ikea diku vitin e ardhshëm. Çmimi nuk dihet ende.

Image

“Përveç se ia mundëson njerëzve të marrin frymë më mirë në shtëpi, shpresojmë që Gunrid do ta rrisë vetëdijesimin e njerëzve për ndotjen e ajrit të brendshëm, duke frymëzuar ndryshime të sjelljes që kontribuojnë në një botë me ajër të pastër”, thotë Lena Pripp-Kovac, shefe e qëndrueshmërisë në Ikea.

“Gunrid është produkti i parë që e përdor këtë teknologji, por zhvillimi në fjalë do të na japë mundësi për aplikime në të ardhmen në tekstilet e tjera”.