“Krimi” mjedisor që sipas Komunës së Deçanit kishte shkaktuar kompania austriake “Kelkos Energy-Peja” vite më parë, ka bërë që qyteti i Pejës të ngritët në këmbë për të kundërshtuar, projektin në këtë qytet nga kompania e njëjtë
Dy ditë më parë në takimin e Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike u konfirmua se kompania austriake “KelKos-Energy Peja” ka përmbushur kriteret teknike para se të bëhet vlerësimi operacional i projektit. Por e njëjta kompani kishte përfunduar në gjykatë nga Komuna e Deçanit.
E njëjta kompani kishte filluar ndërtimin e një hidrocentrali në Deçan, por më pas rasti i tyre kishte shkuar në gjykatë. Komuna e Deçanit kishte paditur kompaninë austriake “Kelkos Energy-Peja”.
Ajo kishte rrezikuar seriozisht furnizimin me ujë të pijshëm të banorëve të Deçanit. Ish-kryetari i kësaj komune, Rasim Selmanaj kishte paditur kompaninë austriake.
Selmanaj kishte akuzuar kompaninë “Kelkos Energy-Peja” se nuk po i respekton lejet përkatëse të lëshuara nga MMPH-ja dhe kontratën në të cilën shkruan qartë që asnjëherë nuk guxon të mbetet nën 30 për qind të ujit në lumë.
“Verës, nëse ujërat zvogëlohen, atëherë duhet që hidrocentralet të mos punojnë fare! Dhe ne nuk do të lejojmë një gjendje të tillë çfarë ishte gjatë ditës së sotme”, kishte thënë Selmanaj, duke shtuar se kompania është e obliguar që ta kthente gjendjen e mirë të lumit.
E gjendjen që ishte krijuar në një pjesë të Lumbardhit, Adem Lushaj nga Shoqata e Intelektualëve të Pavarur e quante krim mjedisor.
“Për rastin që Lumëbardhi i Deçanit është pa ujë, gjë që shkakton katastrofë ekologjike, kemi njoftuar policinë në komunën tonë ku edhe kemi lëshuar një deklaratë me shkrime, duke thënë se këtu kemi të bëjmë me krim mjedisor”, kishte thënë Lushaj.
Megjithatë vite pas kësaj ngjarje, e njëjta kompani i është kthyer investimeve në Kosovë. Kësaj radhe në Pejë.
“KelKos-Energy Peja”, ka përgatitur shpenzimin e 97 milionë eurove në Komunën e Pejës, por kryetari aktual i saj dhe zv/ministri i Financave po deklarohen se një gjë të tillë nuk do ta lejojnë. Kjo për shkak të historisë së kësaj kompanie me Komunën e Deçanit.
Zëvendësministri i Financave dhe anëtari i Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike, Fatmir Gashi ka premtuar se nuk do ta miratojë kurrë projektin e kompanisë austriake “KelKos-Energy Peja”, e cila planifikon ndërtimin e hidrocentraleve energjetike në rrjedhën e lumit “Lumbardhi”.
“Fatmir Gashi as që ka nënshkruar dhe as që do të nënshkruaj gjëra të tilla ndonjëherë”, ka thënë zëvendësministri Gashi, në një reagim të publikuar të mërkurën në rrjetin social Facebook.
Edhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka kundërshtuar hidrocentralet që pritet të ndërtohen në rrjedhën e Lumbardhit. Përmes një letre dërguar Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike. Muhaxheri ka thënë se Plani i Zhvillimit Komunal ndalon ndërtimin e projekteve të tilla.
“Më lejoni që të ju njoftoj, se ky projekt është nga viti 2012-të, dhe ka marrë gjithë këtë kohë sepse, dokumentacioni i cili është miratuar në Komunën e Pejës, pra Plani i Zhvillimit Komunal, kategorikisht e ndalon ndërtimin e hidrocentraleve ose projekteve për prodhimin e energjisë në rrjedhën kryesore të Lumbardhit. Dhe duhet të kemi parasysh, se projektet të cilat janë zhvilluar në anën tonë, e sidomos në Grykën e Deçanit nga po i njëjti investitor, dëmet ambientale kanë qenë kolosale, kështu që ne kemi marrë veprimet tona dhe kemi stopuar çdo komunikim me investitorin”, thuhet në letrën e Muhaxherit.
Në anën tjetër, projektin për ndërtimin e hidrocentralit në rrjedhën e lumit “Lumbardhi” nga kompania“KelKos-Energy Peja” po kundërshtohet edhe nga qytetarë dhe aktivistë të mbrojtjes së ambientit në Kosovë. Ata janë shprehur kundër investimit milionësh, që dëmton ambientin dhe shndërron lumin “Lumbardhi” në hidrocentral. / Insajderi/