Në Tiranë, piktori i njohur Avni Delvina ia kushtoi ekspozitën e tij “The Donald” marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe zhvillimeve në SHBA dhe Ballkan.
Në shumicën e veprave autori paraqiti presidentin amerikan Donald Trump dhe ngjarje që lidhin SHBA me shqiptarët.
Edhe pse nisi me modestinë tipike të autorit, ekspozita “The Donald” e piktorit të njohur Avni Delvina u bë menjëherë ngjarja më e rëndësishme artistike e kryeqytetit shqiptar gjatë kësaj jave.
46 pikturat e kësaj ekspozite i kushtohen SHBA-ve, presidentit Trump dhe politikës amerikane si dhe dashurisë së veçantë të popullit shqiptar për popullin amerikan.
Ekspozita qëndroi e çelur në Muzeun Historik si një ftesë për gjithë kryeqytetasit nga artisti, që la Tiranën në korrik 1990, por që përditë jeton me mendje në Tiranë dhe u kushtoi bashkëkombasve të tij pothuaj gjithë krijimtarinë e vet.
“Këtu në Shqipëri është plot ngjarje dhe negativiteti është i pranishëm kudo. Krahas sarkazmës që unë ndërthurr në krijimtarinë time, Shqipëria është vendi më i mirë dhe frymëzuesja më e mirë, në njëfarë mënyre, sepse të gjithë jemi pjesëmarrës në dramës që kalojmë” – tha autori Avni Delvina.
Autori është kritik me zhvillimet në Shqipëri, ku njerëzit nuk reagojnë për hallet që kanë, por e kërkojnë zgjidhjen te emigrimi.
“Është vrasja e shpresës, një lloj pasiviteti. Njerëzit nuk gjejnë entuziazëm tek ata që na drejtojnë. Njeriu do entuziazëm, ai të mban. Duhet shpresë, diçka pozitive: “Do të rregullohet”. Mungon pozitiveti, dhe kjo ndihet qysh në zërin e atyre që na drejtojnë. Njeriu ka nevojë për mirësi, për pozitivitet, ka nevojë për entuziazëm. Të gjitha këto mungojnë dhe përveç dramës ekonomike që kalojnë, vetvetiu njerëzit, ku iu mungojnë edhe këto elementë, shpresojnë, tentojnë, luajnë pokerin e jetës, që është i vështirë, dhe shpërngulen” – tha zoti Delvina.
Kuratori i ekspozitës është artisti dhe studiuesi Ardian Devolli. Ai thotë se veprat e Avni Delvinës janë thellësisht të vërteta dhe të sinqerta, megjithëse të mbushura me metafora, hiperbola dhe shpesh edhe me ironi dhe humor.
“Nëpërmjet këtyre veprave autori tregon edhe kulturën e gjerë artistike që zotëron qysh nga arti i lashtë grek, romak, Rilindja italiane, romantizmi, surrealizmi, poparti. Gjithë rryma dhe korrente i kanë shërbyer Delvinës si mjete për të dhënë maksimumin e idesë së tij në mënyrë të sintetizuar dhe me një gjuhë të pastër artistike” – tha zoti Devolli.
Autori Delvina i shkruan mesazhet e tij me një seri mjetesh; nga tablot me ngjyra, grafikat e deri te fotomontazhi, duke nxitur qytetarët të reagojnë për të përmirësuar jetën e tyre, duke lënë pas vanitetin dhe indiferencën.
“Në Shqipëri vëmë re korrupsionin dhe të gjithë problemet që thuhen edhe në raportin e DASH-it edhe nga organizata europiane. Më lindi vetvetiu një lloj kundërshtimi dhe kjo m’u bë e përditshme gati gati; gjithmonë do të gjeja tematika dhe do të godisja me artin tim. Njerëzit duhet të reagojnë, brenda gjithë normave demokratike, dhe të ndihet toni, nervi dhe indinjata, sepse të gjithë kemi nevojë” – tha zoti Delvina.
Ekspozita “The Donald” u vizitua nga mijëra njerëz dhe organizatorët u befasuan nga numrat e vizitorëve, po ashtu edhe nga komentet e ndryshme që u bënë për veprat e Avni Delvinës.
Edhe pse i larguar nga Shqipëria prej afro 3 dekadash, ai vazhdon të revoltohet për hallet e atdheut të tij dhe asnjëherë nuk e ka harruar atë.