Kur pashë median proqeveritare shqiptare qe shpërndajnë lajmin e intervistës së Bashës për Russia Today, nuk m’u besua dhe shkova e ndoqa vetë emisionin.
Basha, më së paku, është tradhtuar këtu nga njerezit e tij qe merren me komunikim dhe media.
Kjo më së paku ishte një dhuratë, shpresoj padashje për propagandën që vetë Edi Rama bën ndaj Bashës.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka krahasuar Edi Ramën me Maduron e Venezuelës. Po pastaj shkon dhe jep intervistë për kanalin televiziv, i cili, 24 orë në ditë, mbron Maduron dhe regjimin e tij diktatorial.
Sot, “Russia Today” (Rusia Sot) makina propagandistike e Vladimir Putinit, shpenzoi 30 minuta nga emisioni njëorësh i lajmeve për të argumentuar në favor të Maduros dhe 10 minuta për të shpalosur argumentin e opozitës në Shqipëri.
E krahasuar me Pravdën e dikurshme të komunistëve sovietikë, “Russia Today” synon në mënyrë aktive të sabotojë paqen dhe stabilitetin në Ballkan, propagandon në mënyrë aktive kundër pavarësisë së Kosovës, paraqet shqiptarët si agresorë dhe serbët si viktima.
Rusia e Putinit ka vetëm interesa tangjenciale në Ballkan dhe interesi ivetëm konkret është krijimi i trazirave dhe destabilizimi.
Ndryshe nga Bashkimi European, Rusia nuk ka ndonjë plan për Ballkanin, po çdo konflikt në këtë rajon zhvendos vëmendjen e Perëndimit nga problemet me Rusinë madje edhe i detyron që ta pranojnë si faktor këtë të fundit.
Opozita në Shqipëri sigurisht duhet të përdorë çdo mjet komunikimi që të ketë mundësi për të paraqitur pikëpamjet e saj. Po ajo duhet të ketë kujdes që të dallojë mes mediave të pavarura dhe private dhe atyre që janë thjesht kanale të propagandës shtetërore. Aq më tepër kur shteti në këtë rast është një kundërshtar i afrimit të rajonit dhe Shqipërisë me Perëndimin.
Basha gjithashtu nuk duhet të bjerë në grackën e Ramës që nuk do të ngurrojë të paraqesë opozitën në Shqipëri si pjesë të lojës ruse. Mediat proqeveritare në Shqipëri menjëherë kanë filluar ta shfrytëzojnë intervistën.
Një intervistë me Rusinë Sot nuk është fundi i botës. Politikanë të njohur amerikanë e europianë ende dalin e intervistohen nga ky kanal. Po është një nder që RT nuk e Meriton, që keqpërdoret dhe në fund dëmton ata që intervistohen.
Ndryshe nga Basha, këta politikanë e zyrtarë shpesh nuk ka asgjë për të humbur. Nuk janë në situatën e opozitës në Shqipëri, vendimet e fundit të së cilës nuk janë bindëse dhe ka krijuar zhgënjim mes aleatëve tanë.
Ngjarja është një kujtesë se Partia Demokratike dhe opozita ka nevojë për një ekip profesional që merret me median dhe komunikimin. Ata duhet të patrullojnë me zgjuarësi aksesin e medias te udhëheqësit. Mesazhi duhet të përpunohet në bazë të audiencave përkatëse.
Unë dua që opozita të kthehet sa më shpejt në Kuvend, po çfarëdo që të vendosë, edhe nëse mbetet jashtë, mesazhet komunikuese janë jetike për kauzën e saj. Fjalët e zgjedhura po edhe media që zgjedhin për të komunikuar janë pjesë e rëndësishme e qendrimeve politike.
Sharlatanëve luftënxitës e antishqiptarë të “Russia Today” u duhet refuzuar prania e bashkëpunimi, nga çdo politikan e figurë serioze në bote. Aq më tepër nga ne shqiptarët.