-Besojeni këtë intervistë…, paçka se isha në andërr! –
…!
Në një gjumë të thellë,
(Andërr…, natë dimni),
Në Shtek të Dashit,
(Të Shtyllës së Grisë),
U ndodha, kambëkryq,
Me princin, Lek Dukagjini!
1.
E pyta, pak me salltanet:
-Ku je, Figurë?
M’u përgjigj, prerë:
-Ju, “-kah po i kullotni”?
Unë, këtu jam, qyshkurë!
2.
Meqenëse u takuam,
(Qoftë e bekuar kjo ditë!),
A pranoni, Princ i nderuar,
Te ju marr, nje intervistë?
Ju ra mustaqeve, me pëllëmbë
Hijerandë-serioz, foli:
-Eeeu! Megjithë qejf,
Qysh jo, he burrë?
Nuk i shmangem kurrkujt,
…Kalemxhinjve-ma:-kurrë!
3.
I kallxova se:
-Në monizëm,
E kemi sha Kanunin Tand!
Përgjigje:
-Mos folni keq për Kohët,
Se, bani ma shumë dam!
4.
I thashë:
-E shembëm Komunizmin,
Se ishte shumë i keq!
M’u përgjigj:
-Edhe të keqen, legjitime,
Lereni në punë të vet.
5.
E pyeta:
-A mund të jemi, (ne),
Ish-komunistët, demokratë?
Tha:
-Mirë…, që po mundohi,
Por, nuk ju ka shumë grat!
6.
Kur i thashë:
-Me politikë, po merren,
Përditë, edhe granija!
M’u përgjigj, serioz:
-Nuk ecen, në gra,
E shkretë-Mbretnia!
7.
Ju ankova:
-Kemi ligje të mira,
Por nuk zbatohen!
Më tha, me bindje:
-I keni marrë nga t’huajt,
…Nuk asimilohen!
8.
E pyeta:
-Pse Kanuni Jot,
Mbijeton, tash 500 vjet?
Hazerxhevap:
-Asht prodhim i vendit,
Asht, nga trolli i vet!
9.
I thashë:
-Kemi hall se,
Duam të hyjmë në Europë!
-Mjedis saj, na fali Zoti,
Nuk lue (jo), kjo Tokë!
10.
Po-po,-more zotni Lekë,
Por, mbetëm të izoluem?
-Për të qenë vetvetja,
Nëpër shekuj luftuem!
11.
Pak, me kuj,-i thashë:
-Ky, po më duket,
Si koncept komunist!
Me shikoi mrrolshëm:
-Edhe Ti, e paske hangër…!
Dhe ma bani me gisht.
12.
I thashë se:
Kur vdiq Skenderbeu,
Thonë, aq shumë ke qa’!
Shpejt ma priti:
-Gjergj, -ishte Një,
…Ai nuk vjen ma!
13.
E njoftova:
-Një shkrimtar i huaj,
E akuzon Prijësin tonë,
Për hakmarrje dhe zullum!
M’u përgjigj:
-Me luejt derën në thinxa,
Nuk duhet punë-shumë!
14.
I ndëruar Princ:
-Pse, e ke lanë,
Gjakun për gjak?!
…!:
-Aaa!…Ashti i Kanunit,
Tjetër rrugë nuk pat.
15.
Shumë, thonë se:
Femrën, e keni poshtnue!
-Gjykojnë gabim.
(Mos i shtini mish dhije),
E kam mbrojt e nderue!
16.
I thashë se:
-Dënimin me vdekje,
Ne, e kemi hjek!
Tundi kokën:
-E keni hjek në letra,
Duhet hjek në jetë!
E pyeta, me shqetësim:
-Si hiqet në jetë,
I nderuar Princ?
E rrudhi ballin:
-Kush vret, duhet të vritet,
Dhe, s’ka ma,-Hiç !
17.
I kallxova se:
-Europa, sot,
I ban ndryshe hesapet.
I kërciti dhambët:
-Ata që na kanë vra,
Po na i pleqnojnë gjaqet?!
18.
I tregova se:
-Kur vdiq Komandanti,
U shkrehem së qari,
Dhe…, mbas 5 vjetësh,
E nxorrëm nga varri!
-Uuuf, bani! Uli kokën,
Dhe…, foli duke tërrfatë:
-Faqe e zezë!
Nuk asht shqiptar, ky bidat!
Madje-madje, po deshët me e ditë,
Me Djalin e Hoxhës, get, jeni koritë!
19.
Kur i kallxova se,
Cilin, sot, kemi të parë!
(Qeshi me të madhe):
-Edhe Ba-Mir, edhe Top?
Kurrë nuk kam ndie,
Për t’madhin Zot!
20.
Në fund, i thashë:
-Për këtë intervistë me Ju,
Kushedi, ç’ka do t’më thonë?
Më shikoi vëngër:
-Tash 5 shekuj…!
Dhe, druheni me folë?
21.
Droe, kanë me më thanë:
-Si të besojmë, andërr,
Kur, nuk të besojmë çue?
Buzëqeshi, hijshëm:
-Për sa folëm sonte,
…Leni mbi Mue!!
22.
E falenderova shumë.
U bana gati që të ik…!
Ma bani me shenj:
-Prit…!
Edhe një dekik!
E ngriti kokën,
Më shikoi drejt-ndërsy:
-More lum zotnia;
Prej kah’, t’patëm,Ty?
(Buzëqesha, pak me ngurrim,
“A mos ish pyetje-vërejtje,
Për mosprezentim!”)
-…Jam, prej midis Krasniqes,
Ma e para shtëpi, te Kisha,
…Katundi Gri!
E nguli shikimin,
Ma hoqi drojtjen:
–Eeeuu…!
Po e çove ma gjatë,
Kie me m’dalë kushëri…!
23.
Brofi në kambë,
Ma shtërngoi dorën,
Duke më afrue ngat:
-Qofsh me nder, zotni:
Po ndahemi,
Per t’u takuar prapë!
…!
24.
Mendoj, i përgjumur:
-Me Lekën e para 500 vjetëve,
U mora vesh…, edhe fjetë!
…Po, me bashkëkohësit,
Në Milenumin e Tretë?!
…?!
…? (Pikë-pyetje),
…! (Pikë-çudi ):
-Gjithkush paska, kandarin e tij .
./.
Poema “Fola me Princin Lek Dukagjini”, është nxjerrë nga libri “RROKADA” (Politike),faqe 99, e autorit Zeqir Lushaj, Kristalina KH, Tiranë 2016.
=Per Limit al Shkurt, 2019=