(Rreth librit ‘Kur mora arratinë’ të Kujtim Shehut)
Era e personifikueme, era e ktheyme në motiv gjithpërfshimës. Asht nga rastet e rralla që shpalohet nji shpirt, nji dashuni dhe nji brengë e njësueme tansisht me erën. Mijëra poetë në botë, ose ma saktë çdo poet, i jepet erës si çast, si episod, por Kujtimi e ka zgjedhë si strehën e vargut të vet, e ka atë si ‘shintilën’ – ndezësin e jetës, stimën e ringjalljes.
Në librin e shënjtë, Kur’anin, ka nji be për erën, jo një por disa: pasha erën që fryn, pasha vrapin e kuajve…
Diku hasim edhe metamorfozën si mjet artistik, shndrrimin, e prapëseprapë era asht andrra, asht dëshira e epërme. Zor të gjendet një poet në botë që të mos ket shkrue për erën, e, jo vetëm për erën por edhe për shiun, për borën dhe diellin, për hanën dhe yllzit, për lumin dhe bjeshkën e kështu me rradhë. Por që ta nisësh një libër me erën dhe ta mbyllësh po me erën asht nji gja mjaft e rrallë, gjithnji kur bahet fjalë për poezinë. Kështu ka ba Kujtim Shehu në librin ‘Kur mora arratinë’.
Mbas këtij libri unë e shoh ndryshe Kujtim Shehun, madje baj kujdes me çdo kalimtar sepse nuk e di se çfarë talenti fshihet brenda tij. Kujtimi nuk ka dalë në shtyp qysh prej 30 vitesh, kur e pat çitë nji libër me tregime, dhe unë e kam mendue tashma thjesht si nji financier, anipse financier shumë të respektuem.
Por siç duket, gjatë gjithë kësaj kohe ai ka mendue dhe reflektue se nji ditë ka me e thanë kangën e vet. Dhe e ka thanë. Lexuesi tash vret mendjen, tue qenë se libri nis me erën dhe mbaron me erën: a mos asht kjo nji metaforë që shpreh energjinë, a mos asht metaforë që shpreh lëkundjen tonë, që shpreh pasigurinë, dhe kjo përban edhe kuptimin e qenies? Sepse krahas me erën asht deti, asht drita, shiu, janë edhe zogjtë, janë kuajt vrapues…
Me erën autori na jep kuptimin e dashunisë, kuptimin e misterit, enigmës që nuk shpjegohet. Ma tej vjen fundi, dmth mungesa e lëvizjes. Autori thotë se, del me kalë te pemët tue prit erën/ po ajo e ka harrue.