Ballina Ravijëzime TI HAP HERË PAS HERE – Nga Izet DURAKU

TI HAP HERË PAS HERE – Nga Izet DURAKU

Ti hap herë pas here derën e harresës,
Për t’më kujtue gjithnji ekzistencën e zanave,
Shtatore t’ngrime Adamësh,
Mbetë pa gojë prej teje.

Ka ngri tash lëvizja nëpër arteriet e qytetit,
Zhurmat dhe grimcat e pluhnit pezull kanë mbetë…
Gjethja e shkëputme prej degës ka shtangë,
Si goja e djalit që qeshi,
Mbeti haptë.
Tullat nuk shkuen tek muri,
As ranë prej tij,
Plumbat e vdekjes mbetën n’ajër.

Vetëm ti je para meje,
Heshta jote m’ka shpue edhe kur t’kam harrue.
Vjen t’më përmendësh se jam ende n’jetë
I aftë t’thithem prej teje.
I shituem prej syve n’pikë t’drekës,
Mesnatës,
Ti je mëngjesi jem,
Darka jeme e vorfun.