I madh e i vogël besoj e kanë parë filmin e mirënjohur “Pylli i Lirisë”. Është një film i realizmit socialist dhe si i tillë ai përmban urrejtje për tradhtarët e vendit. Urrejtje për të pasurit dhe dashuri për vegjëlinë e varfër. Megjithatë, në atë film ekziston një detaj, i cili ndoshta për pakujdesi e ndoshta për injorancë të censuruesve, flet dukshëm dhe qartë sesi respektoheshin të drejtat e njeriut në kohën e zezë fashiste. Edhe për ata më të varfrit. Madje dhe simpatizantë të Nacionalçlirimtares. Dhe këtë gjë e thonë autorët e filmit dhe jo autorët e shkrimit.

Fragmenti në fjalë tregon momentin kur një fshatar, shumë i varfër, komshi me personazhin kryesor të filmit, shkrep armën në ajër sepse më së fundmi e shoqja i lindi një djalë. Pas shkrepjes së armës, në portën e oborrit të tij të thurur me gardh dhe ku kullosnin ca pula të lodhura si vetë fshatari, u paraqit një patrullë karabinierësh me uniforma pis të zeza si dhe vetë fashizmi. Dy karabinierët trokitën në portën e jashtme të oborrit. Ata jo vetëm nuk hynë brenda banesës, apo kasolles (se e tillë ishte), por as në oborrin para saj. Po ashtu nuk kapërcyen gardhin me kallama të fshatarit të varfër. Nuk erdhën në orët e vona të natës. As me kapuça në kokë e as maska në fytyrë. Ishin dy dhe në mes të ditës. E gjitha kjo sepse për patrullën e karabinierëve bëhej fjalë për hapësirë private dhe ligji nuk lejonte dhunimin e saj në kushtet e verifikimit të një arme që ishte shkrepur në ajër. Këtu nuk duhet harruar edhe fakti se kemi të bëjmë me një familje shumë të varfër në kohën e një regjimi të bazuar dhe në mbrojtje të interesave të të pasurve.

Nga jashtë portës, ata i bënë thirrje të zotit të shtëpisë të dilte nga banesa e të fliste ma ta. Dy karabinierët me uniformën pis të zezë si vetë fashizmi e respektuan privatësinë e fshatarit të varfër, simpatizant i luftës. Pas thirrjes së tyre, ai doli jashtë hapësirës së tij private. Patrulla e pyeti nëse kishte qëlluar me armë. Pas përgjigjes pozitive të marrë nga fshatari i varfër dhe me shumë fëmijë, ata pyetën nëse armën e kishte me leje. Kur arma nuk rezultoi me leje, patrulla me uniformën pis të zezë e ftoi të merrte armën dhe të vinte me ta për të dhënë sqarime në postën e karabinierëve. Pasi morri armën, autori u vendos në mes të shoqëruesve karabinierë pa u vënë nën pranga. Nga mbrapa fshatarit të varfër, simpatizant i çlirimtares, nuk ishte fshehur ndonjë karabinier tjetër fashist me kapuç e maskë në fytyrë për ta goditur pabesisht me grusht.

Vërtet kjo është pjesë filmi, por në filmat e realizmit socialist nuk bëhej shaka e të nxirrje fashistin pozitiv. Por ky fragment, mesa duket, ka shpëtuar. Ka të ngjarë që autorët e filmit për këtë skenë të kenë pasur parasysh ose të kenë lexuar (sepse një skenë e tillë nuk mund të paraqitej me hamendësi) procedurat e shoqërimit policor në kohën e një regjimi tjetër satrap, më të zi se fashizmi, ai i mbretit Zog. (Sipas logjikës së realizmit socialist).

Madje, autorët e filmit e kanë reduktuar procedurën që ndiqej në atë kohë për raste të tilla. Ajo që kanë paraqitur në film ekzistonte si e tillë dhe sipas saj, bashkë me dy karabinierët duhej të ishte edhe kryeplaku, edhe gjyqtari i qarkut. Pra, me apo pa dashje, filmi i realizmit socialist i ka qëndruar besnik procedurës ligjore të mbretërisë. E tillë, deri diku formalisht, ajo ekziston edhe sot. Respektimi është tërësisht tjetër gjë. Ndaj dhe natyrshëm sot pyetja që ngrihet është e thjeshtë: A mund të krahasohet shoqërimi që iu bë fshatarit të varfër nga karabinierët me shoqërimin që iu bë një ish-oficeri policie të quajtur Florenc Hoxha? Në të dyja rastet kemi të bëjmë me shoqërim. As që bëhet fjalë. E përsërisim: Filmi shprehte një procedurë ligjore që ka ekzistuar.

Pra, duket se të gjithë jemi dëshmitarë të një filmi që i ka qëndruar besnik të vërtetës lidhur me shoqërimin në stacionin policor të një fshatari të varfër dhe po ashtu jemi dëshmitarë të filmimeve lidhur me shoqërimin policor të para disa ditëve të një ishpunonjësi të lartë policie. Kontrasti është therës. Ai flet vetë.

Në rastin e ish-oficerit gjithçka u krye natën. Në kamera u panë policë të shumtë duke kapërcyer me vështirësi mure e gardhe si banditë. Ata u shfaqën me maska e kapuça që ua fshehën fytyrën, por në fakt zbuluan atë të qeverisjes. Gardhi i punonjësve të Policisë para Kryeministrisë nuk kishte nevojë për maska në fytyrë gjatë orëve të përplasjes. Në këtë manifestim ishte edhe ish-oficeri i lartë. Përse në shoqërimin e tij duheshin maska? Si të mos mjaftonin këto veprime, nga pas kurrizit nuk mungoi as një dorë e cila u ngrit dhe goditi mbi ish-kolegun. Fakti është i qartë. Policia e sotme nuk arrin dot standardin e kohës që ideologët e kastës së sotme drejtuese e quajnë regjim satrap.

Respektimi i dinjitetit, privatësisë, shëndetit dhe jetës së një personi të shoqëruar nga ana e Policisë nuk është një kërkesë e cila është venë e tillë thjesht për humanizëm, cilido qoftë personi dhe cilado qoftë shkelja ligjore e kryer prej tij. Këtu nuk bëhet fjalë për vlerë të shtuar. Është detyrim minimal moral e ligjor në kushtet kur fuqia e shtetit e ndalon një individ dhe i ndërpret atij lirinë për t’u vetëkujdesur në ruajtje të integritetit të tij fizik. Individi nuk e ka më këtë mundësi, nuk e ka më veten në dorë. Është detyra e organeve që ia kanë hequr këtë të drejtë për t’i garantuar integritetin moral. Dhe kjo nuk është subjektive. Është ligjore dhe si e tillë bazohet mbi një filozofi të lidhur ngushtë me civilizimin. Kryerja e veprimeve të kundërta me këtë parim kërkesë të ligjit është jo vetëm shkelje ligjore, por edhe mungesë civilizimi. Goditja e dhënë nga pas nuk është as burrnore. Patrulla e Policisë që kreu aktin e shoqërimit nuk e respektoi ligjin. Nuk u tregua e civilizuar. SHÇBA duhet të fillojë urgjentisht hetimin lidhur me dorën nën maskë që qëlloi. Megjithëse ka gjasa që thirrja për të kryer këtë veprim të mbetet në vesh të shurdhër.

Ndryshe nga karabinierët që shoqëruan me dinjitet një fshatar të varfër, kundërshtar të regjimit të tyre, Policia e sotme jo vetëm nuk ruan standardin, por lëkundet në krahun tjetër të shkeljes. Dhe këtu është rasti kur kalohet nga rreptësia servile në arrestimin e ish-kolegut në butësinë po aq servile në arrestimin e personit më të lakuar në lidhje me krimin e organizuar, Kelmend Balili apo shoqërimin për sqarime të Shullazit.

Askush nga publiku nuk pati kënaqësinë për ta parë në ndonjë filmim profesional me kamerat e kohës së “Policisë që duam” sesi u shoqërua Kelmend Balili në Polici. Askush nuk pa sesa policë ishin. A kishin maska në fytyrë e kapuça në kokë? U arrestua apo u vetëdorëzua? U pa vetëm një si ceremoni përcjelljeje. Në media u tha se njeriu më i kërkuar në vend u shoqërua nga vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit tonë në makinën e tij mjaft luksoze. E njëjta mirësjellje u tregua në rastin “Shullazi” kur krerë të lartë të Policisë së Tiranës “e ftuan për të dhënë shpjegime” mbi akuzat publike të ish-liderit të opozitës. Por u hasi sharra në gozhdë nga veprime të tjera që kishte menduar organi i Prokurorisë për individin në fjalë.

Në botën serioze, gjëra të tilla nuk janë parë e nuk janë dëgjuar. Kurse në botën e qyfyreve njihen. Në një anekdotë që tregojnë lidhur me arrestimin e Toto Riinës, mafiozit më të madh të historisë së krimit në Itali, thuhet se kur e pyetën përse e kishin kapur kaq vonë pasi ai kishte dekada që kërkohej, ai u përgjigj: Tani deshën, tani më kapën.