1.
Shenjtori Niketë Dardani, figurë e ndritur e botës iliro-shqiptare, lindur rreth vitit 335, poet, muzikant e shkenctar i madh, jurist e fetarë, misionarë për ungjillimin e gotëve, hunëve e besëve, ka shkruar me dorën e tij “Dardanus sum” ( Jam Dardan ).
Ndaj sot, më 17 shkurt 2008, 17 shekuj më vonë, në këtë Ditë të
Pavarësisë së Kosovës, dua që kjo thirrje shpirtërore, gjenetike e tokësore, të shpërndahet në eterin e kohës, në të 7 kontinentet e botës. Jam Dardan Pellazgjik, i lindur nga kjo Tokë, me këtë Tokë e për këtë Tokë.
Nënat Dardane, siç pohojnë autorë antikë, “i lindnin fëmijët në këmbë”. Për to, “maternitet” ishte Toka. Fëmijët ishin të drejtë si shtiza e Flamurit Shqiptar. Fytyrën e kishin nga Dielli për të dëshmuar përjetësisht se ishin të lidhur shpirtërisht me rrezet e Lirisë.
Emri Dardan shtrihet gjeopolitikisht si ylber në 4 shtete ballkanike,
por ylberon sot me ngjyrat më të bukura të Pavarësisë së Kosovës nga epiqendra e Tokës deri tek orbita e Diellit.
Sot, Ibrahim Rugova, fisnik e sfinks, e ka hequr shallin nga qafa dhe e ka lëshuar si ylber me ngjyrat e Lirisë e Pavarësisë së Kosovës përrreth Globit Tokësor.
Sot, Adem Jashari, nga Prekazi historik, po fluturon si Shqiponjë nëpër Qiellin e Pavarësisë së Kosovës.
Sot, të gjithë Dardanët, e gjithë Shqiptaria, janë shndërruar në ylber gëzimi e flamur lumturie për Kosovën e Pavarur.
Sot, të gjithë Shqiptarët, jemi bërë 17 shkurt…
Sot, 17 shkurti është tek të gjithë Shqiptarët, mbi e nëntokë, tek ëndrrat e martirëve të Lirisë dhe tek kontributet e flamurtarëve të Pavarësisë.
Sot, në Prishtinë, nuk ka Tribunë për Pavarësinë, sepse Aty, në këtë Tribunë janë të gjithë Shqiptarët e miqtë e kësaj dite e date të shenjtë të Shqiptarëve.
2.
Shenjtori Niketë Dardani e shkroi para 1700 vjetësh tekstin e Hymnit të Krishtërimit Perëndimor “Te deum, laudeamus”, që, në Shqip, do të thotë: “Ty, Zot, të Lavdrojmë”.
Ndaj cka, në këtë 17 shkurt 2008, duam të perifrazojmë madhërisht, me mirënjohjen shpirtërore shqiptare: “Ty, Zot, të Lavdrojmë, që i solli Kosovës Pavarësinë !”.
Sot, pikërisht sot, në Hotel Grand, në mes të Prishtinës, kanë ardhë edhe martirët e shek. II, dy shenjtorët binjakë, Flori e Lauri, nga Ulpiana antike e historike, (qëndra më e madhe e krishtërimit të hershëm ilir), për ta shenjtëruar këtë ditë nga gurëthemelet e Tokës Dardane e deri në Qiellin Hyjnor të Zotit të Plotfuqishëm dhe të Kohës së sotme e të nesërme.
Sot, sipas zakonit të saj të përjetshëm, Shqiponja Shqiptare, po i mban flatrat e kthetrat e hapura në Tokën e Qiellin e Pavarësisë së Kosovës.
Sot, si gjithëmonë, si gjithënjë, Shqiponja e imituar dhe e irrituar e Serbëve, po i mban kthetrat e mbyllura, tradicionalisht të mbyllura, sikur don ende ta mbajnë nën vete Kosovën Sovrane e të Pavarur…
3.
Serbët, që kur erdhën në Trojet Etnike Shqiptare, e kanë pasë përshendetje rituale të parë për njëri-tjetrin shprehjen rutinë të nacionalizmit e shovinizmit të tyre primitiv e gjakësor: “Sa ke sundue…”, çka, përndryshe, në rrethanat historike e llogjike, do me thanë: “Sa shqiptarë ke sundue…” !, ( Përndryshe: sa shqiptarë ke nën vete) ! ”.
Por, Ne, Shqiptarët, kurrë nuk e kemi sulmue Beogradin… Përkundrazi, Serbët, gjithëmonë, turrpandalun, e kanë sulmue Nishin, Plavë-Gucinë, Prishtinën, Prizrenin, Shkupin, Ulqinin, Pejën, Mitrovicën…
Ne, Shqiptarët, kurrë nuk iu thamë Serbëve të kapërcejenë Danubin, andej nga erdhën… Përkundrazi, Serbët, edhe nga viti 1830 i Principatës së tyre të Pavarur të Gjergjit të Zi ëndërruan e kërkuan edhe me forcën e armëve ta kenë kufirin e sundimit të tyre deri në lumin Drin…
Shqiptarët pellazgjikë, që lindën nga kjo tokë e në këtë tokë, gjithëmonë iu kanë drejtue njani-tjetrit, me shprehjen engjëllore: “Tungjatjeta” ( T’u Zgjattë Jeta), si mikut, mysafirit e shtegtarit…
Pra, Serbët, kështu, historikisht, që me fjalën e parë përdhendetëse, kërkonin të na rrëmbenin Lirinë në Tokën tonë Etnike e Jetën e dhënë nga Zoti i Gjithëpushtetshëm, ndërsa ne, Shqiptarët, e donim Lirinë e Jetën edhe për Vete, edhe për të Tjerët…
Ky dimension i shpirtit shqiptar i ka marrë sot, më 17 shkurt 2008,
përmasat e Pavarësisë së Kosovës…
Sa herë që të këndohet Hymni i Krishtërimit, i shkruar nga Shenjtori Niketë Dardani para 17 shekujsh, aty do të jetë edhe mirënjohja shqiptare: “Ty, Zot, të Lavdrojmë”, që na solle 17 shkurtin e Pavarësisë së Kosovës…
4.
Homeri Pellazgjik kurrë nuk ka qënë i verbër teksa i shkruante në shek. VIII-VII poemat epike “Iliada” e “Odisea” dhe i hymnizonte Dardanët…Përkundrazi, Homeri i ka pasë sytë si Shqiponja Pellzgo-Iliro-Epirioto-Dardane-Arbnore-Shqiptare. Veçse kishte diçka të veçantë në ligjërimin e tij. Kur vrellonte këngët e veta epike i mbyllte sytë e hynte në botën e magjishme të madhërishme të krijimit, siç bëjnë këngtarët me lahutë te Cikli i Kreshnikëve.
Homeri i përket botës antike shqiptare dhe në rast se ndokush nuk don ta thotë se ishte Dardan nuk mund ta mohojnë se ai Dardanët e hershëm i pa vetëm si Dardanë Epik…
Dhe diçka më duket e besueshme, anipse edhe përtej realitetit kohor: Homeri kur ligjëronte këngët e tij symbyllur e ëndrrimtar, në dritën e shpirtit të tij vizionar kishte edhe Kosovën e sotme Dardane. Kështu, siç e kemi sot, më 17 shkurt 2008, të Pavarur e Sovrane.
Helenët, më saktë Dorët, kur donin t’i cilësonin femrat e tyre në shkallën më sipëriore për bukurinë e madhështinë e tyre, i quanin “Dardane”.
Sot, më 17 shkurt 2008, Kosova po “nusëron”, me “Vellon” e Lirisë, Pavarësinë e saj si Dardane e shek. XXI.
Nuk ka më “krushq të ngrirë” nga acari ruso-serb…
Kosova ka “Krushk të Parë” të Pavarësisë: Amerikën e Bushëve e të Klintonëve, Bashkimin Europian, me Mbretëreshën Elisabeta e kryeministrat britanikë, ku veçohet Toni Bler, Presidentin e Republikës Franceze Sarkozi, Kancelaren Gjermane, Merkel, Presidentin e Italisë, Campi, (që këto 5 shtete kolose e kanë në administrim sektorial Kosovën, sipas mandatimit nga OKB.
Kosova ka “Krushk të Parë” Ismail Qemalin, Isa Boletinin e Ibrahim
Rugovën…, Azem Galicën e Adem Jasharin…, Shaban Polluzhën e Azem Hajdarin…
Kosova ka “Krushk të Parë” Sali Berishën…
Kosova ka mbi 100 shtete të botës, që kanë njoftuar se do të jenë “krushqë” e lajmëtarë të njohjes së Pavarësisë së saj…
5.
Nga sot, më 17 shkurt 2008, në Kalendarin e Botës, do të shënohet kjo Ditë e Shenjtë e Pavarësisë së Kosovës.
Vetë Presidenti i nderuar i Francës, Sarkozi, para pak ditësh, në një shkollë të Francës, iu tha nxënësve që të shënojnë në hartën e botës edhe shtetin më të ri: Kosovën. Ndërkohë që dihet se Franca ishte ajo që dha kontribute aktive për krijimin e Jugosllavisë artificiale në shekullin e kaluar, në mënyrë që ta pengonte Gjermaninë e Austrinë të dilnin në Bregdetin Adriatik…
Sot, 17 shkurti 2008, dëshmon për faktin e lumnueshëm se sa shumë ka ndryshuar Bota, nga Traktati i Shën Stefanit më 1878 deri në Rambuje më 1999, nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB deri tek Akti Final i Pavarësisë së Kosovës…
Sot po jetojmë në shek.XXI.
Sot po përjetojmë Rendin e Ri Botëror…
Sot, Kosova, nuk është e vogël me një peshë Pavarësie kaq të madhe e me Miq kaq të Mëdhenj…
Sot Kosova është Kosovë.
6.
Zoti e solli këtë rastësi të bukur: Dita e Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurti 2008, është Ditë e Dielë.
Shenjtori Konstandini i Madh, që e shpalli Krishtërimin Fe Zyrtare, me origjinë Dardane, nga Nishi (Naissus) Shqiptar, (dikur kryeqytet perandorak), në vitin 321, para 17 shekujsh, e dekretoi të Dielën si Ditë Pushimi, çka mbetet fuqiplote edhe sot.
Kjo m’u kujtua para një jave, teksa Kryeministri i ri i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaronte se ky është uikendi i fundit pa Pavarësinë e Kosovës.
Sot, kjo e Dielë, 17 shkurt 2008, ka Shenjtërinë e saj Shqiptare,
Pavarësinë e Kosovës, por ka edhe diçka nga Shenjtëria e Konstandinit të Madh, që e mbante edhe titullin e lartë “Victor” (Fitimtar) dhe, gjatë gjithë jetës së Tij nuk pësoi asnjë humbje.
Konstandini i Madh, një nga njerëzit më të mëdhenj të të gjitha
kohërave e të njerëzimit, Dardani më i madh në të gjitha epokat shqiptare, nuk mund ta humbiste as këtë rast fatlum, të shpallej Pavarësia e Kosovës në të Dielen e tij, pas 17 shekujsh nga lindja e mbretërimi i tij, me datën 17 shkurt 2008 të shek. XXI, në orën lokale 17.00.
Tungjatjeta, Kosovë Dardane! Ma gëzofsh Pavarësinë si shteti i 193- të i OKB-së!
Më 17 shkurt 2008