Ballina Kryesore NJË DJALË NGA SALVADORI MË BËRI TË SKUQEM! – Esse, nga Zeqir...

NJË DJALË NGA SALVADORI MË BËRI TË SKUQEM! – Esse, nga Zeqir Lushaj-

               E quajnë Lluji. Eshtë nga Salvadori i Amerikës Qëndrore.Ka rreth 20 vjet që punon e jeton këtu, në SHBA. Eshtë një picamen me emër të mirë. Ndonëse, jeton në Nju Jork, ka punuar gjithnjë në Nju Xhersi, në picerinë “Luigji”, në Anderson Av. Llujin, unë e kam mik. Këtë piceri, e kam shumë afër shtëpisë, por, edhe kam punuar aty, rreth katër vjet. (Si punë të dytë, mbas punës në supermarketin  A&P,ku jam definitiv, tash 10 vjet)…Lluji, është rreth 40 vjeçar. Tip i qetë. Shumë i dashur,kur afrohesh me Të. Tepër profesional në punën e tij. Ndoshta,kjo ishte dhe arsyeja që, unë e simpatizova që në fillim. Shpejt e kuptoj se jam nevojtar, kam ardhë për punë, dhe dua të punoj! Ai burrë, me ka ndihmuar, seriozisht. Dhe, flas për një ndihmë, profesionale, pa zhurmë, pa rënë në sy, pa stresime.

– Zeqir! – më thoshte shpesh, kur u takojshim koridoreve të picës, – kujdes! Ti e din se, unë, shoh edhe me shpindë…Dhe, qeshte.Në kohën, tepër-tepër të paktë, kur mund të bisedonim diçka, në orarin e punës, Ai, fliste për Salvadorin e tij, dhe unë,kuptohet, për Shqipërinë time! Më tregonte fotografi nga vendi,fshati, e shtëpia e tij. Më tregonte për planet, çfarë mendon të bëjë… etj, etj. , biseda emigrantësh.Lluji, nuk është ulur kurrë në bangë shkolle. Kurrë, nuk ka patur libër në dorë! Kurrë! Ka filluar punë qysh 13 vjeç, dhe, atë punë, vazhdon edhe sot. Ku të shkonte në shkollë? Kur, të kishte libër në dorë? Më dhimbsej, kur mendoje për atë njeri, shumë-shumë inteligjent. Por, që të them edhe krahun tjetër, e kuptoja se, edhe Unë, i dhimbsesha atij. Të kesh “një valixhe me diploma” dhe, të fillosh punëtor, në moshën 50 vjeçare! Pak e rëndë, por nejse! Fati historik paska qenë i tillë.Dhe, historisë (kokëfortë), kërkush nuk mund t’i shmanget.

                    Miku im, Salvadorian, e kuptonte se aty nuk ishte vendi im,por edhe dinim ta kalonim çdo situatë, me një shprehje me kuptim të gjithanshëm e të thellë: “Kjo është Amerika”! Dhe,qeshnim! Qeshnim, herë sinqerisht, e herë, nga halli! Pronari i picës, ishte një djalë italian. Xhan e kishte emrin. Amerikantë i thërrasin Xhan, spanjollët, Jani, italianët Gjon! I

mrekullueshëm djalë. Rreth katër vjet, që punova për Të, kurrë nuk më thirri në emër, por “Vëllai im”! (I thosha, shpesh se,në shqip Xhan, do të thotë – Shpirt. Dhe Ti, – siç ke emrin, ke

edhe shpirtin)! Isha i vetmi europian-punetor në picë. Gjashtë të tjerët ishin spanjoll (kështu quhen në SHBA banorët e Amerikës Qendrore, sepse kanë qenë dikur, koloni të Spanjës.

Ata, e quajnë vetveten kështu – spanjoll). Xhani, ishte një djalë, për ta pirë në kupë, siç i themi ne shqiptarët, por biznesi, jo pak herë ta hupë mendjen. Nuk i donte hiç spanjollët. Mua, ma thoshte hapur: “Nuk dua t’i shoh me sy!” Dhe, unë, qetë-qetë (kurrë të mos harrojmë se jam

shërbetori), i thosha me kujdes: – Zotri Xhan! Me që nuk i don, pse i mban në punë? (Aaah! Unë e dija mirë, por, duhej, shumë herë, roli i paditurit).

– More vëlla!, – përgjigjej Xhani (kuptohet, kur ishim vetëm për vetëm). – Këta i mbaj në punë, se, këta i paguaj më lirë! Ti e kupton, apo jo, biznesin?… Të lutem, Zigi (kështu e shqiptojnë, amerikanët emrin tim), të kesh kujdes. Sidomos në darkë, kur dilni, kur unë, shpesh, nuk jam këtu. Hap sytë, eee!… Aaah, këta spanjollët! Ç’frynte!

Me Llujin, kuptohesha, kuptohesha si i thonë një fjale, pa folë fare! Në pesë ambjentet që kishte pica, Atij, nuk i shpëtonte as miza. Kur, diçka nuk shkonte, Ai, me shumë

marifet, pa rënë fare në shikimin e kërkujt, sidomos të bosit, faaap, ma shkelte syrin!

Një ditë, Lluji më kishte vënë re se, unë nuk isha në formë! Dhe, filloi të më ngacmonte larg e larg. Unë, që nuk po doja t’i jepja xhevap, i thash se, nuk kam asgjë, por, i kam pre biletat për Shqipëri dhe janë tepër shtrenjtë, 1200 dollarë një copë! Lluji, bëri sikur e pranoj…Mbas njëfarë kohe, prap, më ngacmoj për formën time jo të mirë! Prap, unë me atë arsyen e parë (Një arsye që, edhe qëndronte) biletat shumë shtrenjtë! Duhet, të punoj gjashtë

muaj në Amerikë, – ju thoja, – për të shkuar një muaj në shtëpinë time! Biletat shumë shtrenjtë! Biletat shumë shtrenjtë! Kjo çështje u bë lejtmotivi i asaj dite… Di që ka qenë ditë e mërkurë

(të martën dhe të mërkurën, dy ditët e pushimit të supermarketit, punoja gjithë ditën, nga 12 orë, në Picë). Mbas orës 10 të darkës, kur edhe ishim liruar pak nga puna e stërmundimshme, Lluji m’u afrua me atë qetësinë e tij, olimpike, dhe më tha:

– Zigi!… Po! – Biletat për Shqipëri, shumë shtrenjtë, eee!…U ndal. E rrëxoi shikimin përtokë. Heshti pak, dhe, vazhdoi…

-Do të pyes diçka!

… Unë, po e shikoja me shumë qetësi dhe i bindur se Ai do të flasë diçka të mençme, diçka me vlerë. E njifja mire “gabelin” e Salvadorit, mikun tim, Lluji!

                  – Zigi! Kur të shkosh në Shqipëri, a e takon nënën tënde?!                                                                                                                                                 

  Nana Shkurte, (Foto: Besim Fusha)    

                                                                

– Si jo, – iu përgjigja. Unë me nënën rri një muaj në shtëpinë time.

I lëshoi krahët posht.E ngriti shikimin, e përqëndroi ndër sytë e mi. Buzëqeshi. Dhe tha:

– Mos të dëgjoj më të thuash, se biletat për Shqipëri, janë shtrenjtë!… E vetmja gjë, në këtë botë, është nëna, që nuk mund të blihet me para!

Djali nga Salvadori… , më bëri të skuqem, të skuqem,seriozisht!!…

… Kur shkova në Shqipëri, një ditë tek po rrija me nënën në baçe e po bisedonin për hallet e jetës (si fëmija me nanën), në mes tjerash, ia kallxova, tekstualisht, këtë bisedë që e shkrojta më sipër, bisedën me mikun tim, Lluji. E, duke ja treguar nënës këtë intimitet, t’ju them të drejtën, unë, prap, u skuqa. U skuqa, për herë të dytë!…Muaji i lejes kalon shpejt. “Si t’panet e nuses”, – i thonë nga Veriu!

… Atë ditë mesgushti të atij viti, kur po kthehesha për në Amerikë, nana m’u afrua me shumë kujdes, me shumë mirësjellje, me shumë kulturë (megjithëse nuk është ulur kurrë

në ndonjë bankë shkolle… si Lluji), me një qese të vogël në dorë, dhe më tha:

– Nane! Këtu, janë një palë çorape leshi. I kam ba, këto ditë, tuj ndejte qetu, me ju, në baçe! Amanet, e kie prej nanes tande, me ja dhanë atij djalit, që të ka thanë: “Kur të shkosh në

Shqipëri, a e sheh nanën”?

Kam blerë çdo vit, jo pak dhurata në Tiranë, që, kur të kthehem nga pushimet, t’i kujtoj, disa shokë e miq në Amerikë. Por, dhurata e nanës, ishte edhe për mua një sfide e vërtetë. Amaneti i nënës, shkoi në vend! Pa pikë, pa presje! Fjalë, për fjalë… Dhe Lluji, diti t’i përgjigjet nderit me nder. I thirri krejt spanjollët e picës: – Mblidhuni këtu! Vetëm një minutë! Dhe foli përpara tyre. Foli, krenar:

– Këto çorape, nuk do t’i vesh kurrë! Këto, e kanë vendin në anën më të dukshme të dhomës time të pritjes, në shtëpinë time, atje ku kam lindur e jam rritur. Jo këtu, jo këtu, në

Amerikë. Në shtëpinë time, në Salvador… Janë dhurata më e shtrenjtë e jetës time. Dhuratë nga nëna 95 vjeçare, nga nana Shkurte. Janë dhuratë nga Shqipëria!

I afroi për t’i puthur çorapet që po i mbante në dorë, si tabaka. Por, më parë se puthja mbi çorapet e tjerrura nga duart e nanës time, në Tiranë, … ra një rigë loti!!!

– Zoti i bekoftë njerëzit e mirë, kudo në botë!, – e mbylli “mbledhjen” një minutëshe, Lluji! Dhe, më përqafoj, vëllezërisht.

./.

    USA,Vjeshtë e vitit 2005 )

-Per Limit.al Shkurt 2019