Sa mall ka në letërsi, i bukur e tronditës, herë si bekim dhe herë si mallkim zhuritës, të shkruar aq bukur nga shkrimtarët e mëdhenj, me aq harmoni estetike sa përditë na merr malli për mallin. Ja dhe Lasgushi, liriku delikat, vëshguesi i imtë, i përmalluari gjenial, shkruan për MALLIN:

MALLI

Syri i bukur që t’u mvrenjt
Syri yt që më lëndon
Do më lerë a von a shpejt,
Do më lerë a shpejt a von.

Sapo shpirti m’u delir
Shpirti im i nxirë krejt
Do më lerë me pahir
Syri i bukur që t’u mvrenjt.

E do mbetem përnjëmend
Varfanjak si mbret pa fron:
Mbretëresha që më çmend
Do më lerë a shpejt a von.

Do më lerë a von a shpejt,
Do më lerë a shpejt a von,
Syri i bukur që t’u mvrenjt
Syri yt që më lëndon.

Do më lerë…apo si
Qoftë aherë ose tani
Do të qaj aq dashuri
Që do humb me mall te ti?

Mua mendja s’ma kupton,
Mua syri s’ma vështron,
Po fillon edhe vajton,
E kullon, kullon, kullon.

Mall! O mall! Që vjen e shkon!

Vjen e shkon e prapë vjen
Mall që len nga perëndon
Len e vjen e zjen e bren
Malli mallin më s’e gjen…

(Foto e Mark Simonit e bërë në Atelienë e skulptorit Agim Rada, perballe me bustin e Lasgushit, veper ne proces)