Gaz lotsjellës dhe plumba gome nga policia gjatë protestës së ditës së shtunë në Tiranë. Faktori ndërkombëtar dënon aktet e dhunës.
Mbështetës të opozitës, në protestën që po zhvillohet të shtunën (16.02) në Tiranë hodhën bomba Molotov e gurë të shkulura nga trotuaret e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt ndërtesës së Kryeministrisë gjatë protestës masive që po zhvillon opozita në përpjekje për të larguar kryeministrin Rama dhe rrëzuar qeverinë e tij.
Pasi ҫanë kordonin e policëve në hyrje të kryeministrisë ata thyen xhamat e derës kryesore në tentativë për të hyrë në katin e parë, në hapësirën për komunikim dhe dialog kulturor, të njohur me inicialet COD. Një pjesë e tyre u ngjit në skelën e ndërtuar ditët e fundit, për të mbrojtur veprën artistike të artistit të njohur francez Philipe Parreno, të vendosur në strehën e kryeministrisë duke tentuar ta ҫmontojnë dhe heqin atë.
Në anën e djathtë të kryemnistrisë protestuesit shkatërruan një pjesë të veprës së artistit të famshëm gjerman Carsten Hӧller, “Kërpudha Gjigande”. Policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe plumba gome dhe ka arritur të ndalojë fillimisht sulmin e protestuesve, që u larguan nga efektet e gazit. Por pas qetësimit të përkohshëm, lotëve dhe djegjes së fytit nga gazi i hedhur, protestuaeit janë rikthyer dhe kanë vazhduar tentativën për të hyrë në kryeministri. Policia ka hedhur përsëri gaz lotsjellës në orët e para të pasdites, në momentin kur protestuesit i kanë vënë flakën pemëve që janë në hyrje të kryeministrisë. Burime zyrtare bëjnë të ditur se ka 15 persona të plagosur që po marrin ndihmë në spitalet e Tiranës përfshirë edhe policë të plagosur nga hedhja e gurëve.
Faktori ndërkombëtar me një zë kundër dhunës
Delegacioni i BE dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u kanë bërë thirrje të gjitha palëve të tregojnë pa humbur kohë vetëpërmbajtje. “E drejta eqytetarëve për t’u shprehur përmes protestës paqeësore është një vlerë themelore e një demokracie moderne europiane. Por dëmtimi i pronës publike dhe përdorim i dhunës nuk janë të pranueshme”, thekson delegacion i BE.
Ambasada e SHBA në Tiranë, në deklaratën e saj thekson se „nxisim të gjitha palët që të tregojnë vetëpërmbajtje më të mirë dhe të rivendosin qetësinë. Iu bëjmë thirrje të gjitha partive politike që t’i denoncojnë këto akte dhe të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshme për t’u siguruar që situata të shndërrohet në paqësore dhe konstruktive”.
Prania e OSBE-së në Tiranë reagoi duke vënë në dukje se „ nxitësit dhe autorët e dhunës të mbajnë përgjegjësi për aktet e sotme të dhunës”. Protestuesit do të rikthehen të protestojnë javën e ardhshme, më 21 shkurt.
/ Avni Ruci /