Shpirti kalorësiak i shqiptarit nuk është shkërbim, imitim, nuk është mbetje e largët e “kalorësve në arrati”. Ai buron së brendshmi. E përshkon shqiptarin si njeri, si luftëtar. Por edhe si dashnor të zjarrtë, i gatshëm në çdo imtë me vu jetën marrëzisht në teh të briskut.
Edhe ajo, pushtuesja e zemrës, nuk e do tjetërsoj trimin. Më duej e më druej s’i thuhet kuj. Nëse njëmend më do, më merito. Kap mauzerin, dil e më ndal te udha e kroit.

-Mori çikë me sy të zi
Fort jam ba marak në ty.
-Djalë, n’kofsh ba marak në mue
Merr manxerren, del në krue!

Trimi pushton kështjellëzën e pakundshoqe. Përfshirë prej dalldisë, nuk përmbahet. I çuçurit dikujt diçka për të bukurën e zemrës. Mbase edhe i shet kreni ndonjërit prej mëtuesve, rivalëve. Ajo u bë imja, i thotë.
Ajo e merr vesh dhe nuk ia fal. Kjo sjellje nuk i shkon një dashurie të madhe. Një dashuri e madhe nuk mund të qitet në pazar: Ajo u përket dy zemrave, vetëm atyre dhe kurrkujt tjetër.

-S’kanke kanë (s’paske qenë) jaran për mue:
Dje m’ke puthë, sot ke kallxue!

Nëse në jetën e përditshme kalorësia vezullon, në ngjarjet e mëdha shkëlqen marrëzisht, deri në verbëri…

(Nga libri: M. Elezi, “Hebrenjtë dhe Republika e Kanunit”, Gj. Fishta, 2013)