Libri i Nikollë Pjetrit “Berisha etnike Pukë dhe shtrirja e saj në shekuj, 2”, prej 330 faqesh, është vazhdim i librit të tij të parë me të njëjtin titull. Nga studimi me zell i këtij libri dalin disa të dhëna.
Lashtësia: Berishasit janë ndër më të vjetrit banorë në trojet etnike shqiptare, që ende ruajnë në kujtesë më të parin e tyre, që është Murr Dedi (Deti) dhe Kojel Dedi (Deti). Sipas studiuesve shqiptarë të etnografisë, pema fisnore e hotjanëve dhe e berishasve arrin në 19 breza, faqe, këmbë, e paraqitur më 1976 në Konferencën Kombëtare Etnografike, Tiranë (f. 170-180). Sot mund të llogariten edhe dy breza më shumë, pra 21. Më të saktë se këtë studim gjer më sot nuk ka. Njëkohësisht as nuk del se aty, në atë territor ku ndodhet Berisha e Vendit, të ketë pasur banorë më parë, siç ka të dhëna për banorë të tjerë në hapësirën e rrethit të Pukës (studimi mbi disa mbeturina fisnore në rrethin e Pukës, më 1969) që ka qenë i banuar prej më se dy mijë vjetësh etj. Në Mesjetën e vonë, shek .XVII, Berisha del si pjesë e principatës së Dukagjinëve (Fjalori Enciklopedik, 1985, f. 86). Sipas studimeve të kryera nga studiues tanët dhe të huaj, del se berishasit të jenë ngjitur aty (Berishë Vendi) nga fusha, për shkak të luftërave në fillim të shek. XI.
Baron Franc Nopça, një studiues etnograf austriak i fillimit të shek. XX, në letrën që i dërgon At Shtjefën Gjeçovit, ndër të tjera thekson se kishte “përpiluar stemën e Mërturit dhe të Berishës deri në vitin 1250 (AQSH. Fondi Sh. Gjeçovi, d. 95/35, dok. 14)”. Asnjë studiues gjer më sot nuk ka arritur të argumentojë kaq vjetërsi kohe të ndonjë fisi tjetër në Shqipëri.
Studiuesja angleze Edit Durham, në librin “Brenga e Ballkanit” vëren: “…edhe kur fisi (i Berishës) ndodhej nën sundimin e Perandorisë Serbe (rreth shek IX-XIV), në pemën fisnore të tij nuk ka emra sllavë (F. 447)”. Kjo tregon se hyrja në atë luginë ku janë sot ka qenë shumë më e hershme nga çdokumentohet.
Berisha ka qenë një fis i madh jo vetëm si territor, por edhe si popullsi. Më 1465 ajo kishte 12 mijë banorë (Oliver Jean Shmidtt “Arbëria Venetike”, Tiranë 2008, f. 496). Për kohën kur bëhet fjalë, ky është një numër i madh. Berisha kishte marrëdhënie me Republikën e Venedikut. (Venediku kishte nën sundim në shek. XV Shkodrën dhe Danjën (Vau i Dejës). Këtë vit Berisha nënshkroi marrëveshje dypalëshe me Republikën e Venedikut për furnizim me drithëra buke dhe kripë, mbasi ndodhej në krizë). Marrëveshja parashikonte ruajtjen e autonomisë së plotë të berishasve në rregullimin e çështjeve të brendshme të tyre, ndërsa Republika e Venedikut nuk kërkonte shtrirje të saj në atë malësi (të Berishës) të papërshkueshme, në këmbim të drithit dhe të kripës. (Nga ana e vet Venediku siguronte mbështetjen e fisit të Berishës në rast mësymjeje nga Turqia në atë territor prej anës së majtë të Drinit mbi Danjë (Danjë) dhe gjer në rrjedhën e epërme të lumit Fani i Madh).
Qëndresa është një tipar tjetër dallues i fisit të Berishës. Të gjithë shqiptarët kanë qëndruar dhe përballuar gjithfarë pasojash të panumërta që kanë sjellë gjatë dy mijë vjetësh luftërat pushtuese e grabitqare të ushtrive më të mëdha, por pikërisht kundërshtia me çdo mjet të mundshëm i ka bërë ata që të gjallojnë e të përparojnë në shekuj. Të shtyrë midis malesh të egra, ata aty kanë ringritur jetën shpesh nga e para. Ekziston toponimi “Përroi Gjakut” dhe gojëdhëna se “po të mbytet një berishas në Drin, mos e kërkoni gjatë rrjedhjes poshtë, por lart, sepse ai është aq i fortë, sa edhe vdekjen e sfidon, e mposht”.
Fjala e matur e pleqëruar me kujdes dhe jo fuqia, u ka prirë berishasve në zgjidhjen e konflikteve. Nga studimi mbi disa mbeturina të fisit në rrethin e Pukës, mbajtur më 1969, del se fisi i Berishës kishte më pak vrasje, sesa në gjashtë fiset (bajraqet) e tjera të marra për frymë gjatë shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX. Edhe në raste të tilla, vrasësi asnjëherë nuk e ka masakruar të vrarin. Ajo më e rëndësishmja është se në asnjë rast nuk ka vrarë dy për një, asnjëherë fëmijët e gratë nuk kanë qenë objekt vrasjeje. Ai ka zbatuar një kod shumë të lashtë njerëzor, shumë më njerëzor se çdo kod i çdo vendi sot. “…Po të jetë se rrjedh ndonjë dem, do të japësh jetë për jetë, sy për sy, dhëmb për dhëmb, dorë për dorë, këmbë për këmbë… (pra aq sa të ka dëmtuar tjetri, aq ke të drejtë ta dëmtosh…)
Virtytet e larta morale të berishasve, si patriotizmi i flaktë, besa e burrëria, mikpritja e bujaria, drejtësia e çiltërsia, ndershmëria dhe trimëria deri në vetëmohim për të fituar dhe mbrojtur lirinë, spikatin në jetën dhe veprimtarinë e tyre. Kanë qenë cilësitë e veçanta të burrave të Berishës kudo, në amën e tyre në Pukë apo në bijtë të shpërndarë kudo në treva të ndryshme në Shqipëri apo në rajon e më gjerë, që kanë bërë emër të mirë. Në libër figurave të tilla u kushtohet vendi i duhur. Ja ndonjë prej tyre:
1. Berisha ka nxjerrë luftëtarë të shquar duke filluar me Tanush Berishën, (1272), Dhimitër e Nikoll Berishën, ndër bashkëluftëtarët më besnikë e të zotë të Skënderbeut më 1456.
Teta i Zi më (1602). Në mënyrë të veçantë vëmë në dukje Lala Ndrek, (Ndrekë, turqit këtij emri i vunë prapashtesën -ali, ndërsa sllavët prapashtesën fjalëformuese –vic dhe formuan më vonë emrin (N)Drekalovic, që quhet edhe sot në Malin e Zi). Gjyshi Ndrekë, më 1614 mblodhi burrat më në zë të Ballkanit në kuvendin për organizimin e forcave kundër pushtuesve osmanë (Shih Mark Krasniqi, “Gjurmë e gjurmime”, Tiranë, 1979, f. 256-274). Ndrekajt qenë katër breza vojvodë të Kuçit. (Kuçi përbëhet nga dy fise, njëri prej tyre është berishas dhe përbënte shumicë… “Gjurmë e gjurmime” po aty.
2. Hasan Prishtina (quhej Hasan Ahmet Berisha, më vonë u quajt Hasan Vuciterrna dhe në fund Hasan Prishtina), udhëheqësi kryesor i kryengritjeve antiosmane të viteve 1908, 1909, 1911 dhe 1912 që çuan në Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më 28 nëntor 1912. “Intelektual, i arsimuar për drejtësi, tri herë deputet i parlamentit osman, opozitari më i fuqishëm i kohës së perandorisë, ideator i Shpalljes së Pavarësisë, ministër i kabinetit të Qeverisë së Ismail Qemalit dhe i qeverive të viteve 1920-1924, mbrojtës i zjarrtë i territoreve shqiptare dhe i bashkimit të plotë të shqiptarëve në një shtet të vetëm, bashkëpunëtor i Bajram Currit në revolucionin demokratik të qershorit 1924… Katër herë armiqtë i organizuan atentat me armë .Dy herë e burgosën pushtuesit serbë e bullgarë, gjashtë herë e dënuan me vdekje në mungesë xhonturqit, feudali e vegla e Serbisë, Esat Toptani, qarqet shoviniste serbomadhe dhe tri herë qeveria e Zogut. Më 14 shtator 1933 u vra në Selanik me atentat nga agjentët e A. Zogut në bashkëpunim me qeverinë jugosllave.” (Fjalori Enciklopedik, Tiranë 1985, f. 685).
3. Në këta njëzet vjetët e fundit, në krye të lëvizjes demokratike në Shqipëri është Sali Berisha, kryetar i PD-së, President dhe Kryeministër i Shqipërisë, jo një herë. Roli i tij në jetën politike, diplomatike, ekonomike e shoqërore ka qenë dhe është i madh.
Edhe berishasit, si gjithë shqiptarët, kanë qenë kurdoherë njerëz paqësorë. Fakti që janë ndër të parët që u ngjitën në male të ashpra, tregon se ata nuk e kanë dashur luftën. Atje me shumë mundim e ngritën jetesën. Lufta ka qenë një detyrim për jetë a vdekje edhe për ata, dhe jo një dëshirë. Ata asnjëherë nuk e kanë nxitur as kanë qenë shkaktarë për gjakderdhje, por edhe kur është dhënë kushtrimi, kanë shkuar rrufe atje, ku u ka prirë i pari i tyre. Të mbështetur në male, me një jetë plot me sakrifica, kanë ruajtur me fanatizëm gjuhën, traditat e zakonet, por sidomos besimin e krishterë katolik. Edhe këta të krishterë të besimit katolik kanë vuajtur jo vetëm nga turqit, por edhe nga serbët, të cilët kanë ushtruar dhunë e terror të gjithfarshëm mbi popujt e besimeve të tjera, me qëllim që t`ua ndryshojnë besimin, t`i kthejnë në besimin ortodoks të variantit serb. (Shih për këtë edhe ligjin e patrikanës serbe të vitit 1349, ku theksohej ndër të tjera: “Shteti serb duhet …edhe t`i zhdukë fizikisht latinët (katolikët) dhe paganët (shqiptarët e pafe), që nuk do të kthehen në besimin e “vërtetë”. Andrea Bogdani i shkruante Vatikanit se njësoj si paganët, dhe katolikët vuajnë edhe nga turqit, edhe nga serbët.
Së shtati, berishasi, kudo ku ka zënë truall, nuk ka jetuar në këmbë me trastë në shpinë, por ka ngulur “fukëzën” për të qëndruar gjithmonë, sipas traditës: “Aty ku linda, aty është edhe djepi, edhe ferra (jeta), dhe varri im… Është mbështetur plotësisht në radhë të parë në forcat e veta, por ka ndërtuar edhe marrëdhënie të mira me të gjithë ata që e kanë kërkuar, duke u mbështetur në parimin e mirënjohur të besës. Megjithëse shpërnguljet do të vazhdojnë pa ndërprerje dhe berishasit janë pjesëtarë të kësaj lëvizjeje botërore, përsëri aty, në atë terren të thyer, buzë liqenit të Komanit e të Fierzës, mbështetur shpateve e gjer në majën e Qllumit, rreth dy mijë metra të lartë, prej Qafës së Tmugit e deri te Shkëmbi i Miliskaut, do të ketë berishas që do të jetojnë si qytetarë të Evropës moderne.
Ky libër është me vlerë dhe pasuron fondin e etnografisë shqiptare.