Ballina Sport Rummenigge: Champions League duhet transmetuar falas në TV!

Rummenigge: Champions League duhet transmetuar falas në TV!

Shefi ekzekutiv i Bayern Munchen, Karl-Heinz Rummenigge, ka ngritur zërin dhe ka nisur një fushatë për kthimin e transmetimit të Champions League falas në televizion.

Në një intervistë për Sport Bild, legjenda e klubit bavarez thotë: “Kohët e fundit Sport Bild ka publikuar numrin e teleshikuesve: minus 84%, që kur Champions League nuk transmetohet më në ZDF. Duhet të bëjmë diçka, të gjejmë një marrëveshje në mënyrë që për periudhën e ardhshme, 2021-2024, të paktën një ndeshje, mundësisht një ndeshje e nivelit të lartë, të shihet falas nga tifozët“.

Bosi i Bayern-it shpjegon: “Edhe drejtuesit e Dortmund, Schalke e Hoffenheim, që përfaqësojnë Bundesligën në Champions League këtë sezon, me shumë gjasa do ta mendojnë si unë. Duhet të kujdesimi për interesin e tifozëve, duhet më shumë respekt për ta. E kam thënë gjithmonë: ne nuk jemi si në Angli, ku ndeshjet ka vite që transmetohen vetëm në televizionet me pagesë. Kemi kulturë tjetër futbolli dhe kjo duhet marrë parasysh“.

Rummenigge e sheh si një problem edhe për sponsorët: “Televizionet me pagesë ofrojnë kontratat më fitimprurëse në tregun e televizioneve, por nuk duhet të harrojmë se edhe kontratat e sponsorizimit në Champions League janë shumë fitimprurëse. Nëse audienca bie me 84%, do të thotë që këta sponsorë nuk po shërbehen si duhet. Duhet një miks i drejtë mes TV me pagesë dhe atij falas, përndryshe Champions League do të pësojë dëme të mëdha për shkak të braktisjes nga sponsorët“.

Një debat i tillë vlen edhe për Shqipërinë, ku në të shkuarën ka pasur edhe ndeshje falas në TV, por ka kohë që Champions League transmetohet vetëm në TV me pagesë dhe kjo dëmton jashtëzakonisht sponsorët shqiptarë, sepse reklamat e tyre shihen nga një numër shumë i kufizuar njerëzish, sidomos tani që janë mbyllur edhe pikat e basteve sportive, çka ka bërë që shumica e tifozëve të mos i shohin fare ndeshjet e Champions League.