Facebook mbush 15 vjeç, por si ishte teknologjia në fillimet e saj?

Kur Mark Zuckerberg lançoi për herë të parë Facebook, ai shpresonte të krijonte diçka të madhe për rreth 500 shokët e tij të klasës për të folur. Por ai nuk e dinte, 15 vjet më pas, se platforma e tij do të kishte 2,32 miliardë përdorues në muaj. Gjithçka ka ndryshuar shumë që kur Zuckerberg i prezantoi botës Facebook, në veçanti teknologjia ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Le të shkojmë pas në kohë e të shikojmë se si ishte teknologjia në vitin 2004.

Rrjetet sociale

Përpara Facebook, Myspace ishte një ndër platformat kryesore të rrjeteve sociale. Myspace u lançua në vitin 2003 dhe menjëherë pati përdorues të shumtë. Ai ishte mjaft popullor, pasi ju mund të ndiqnit aktivitetet e grupeve të famshme muzikore dhe të krijonit një personalitet online… pak a shumë si të jesh një influencer në Instagram sot.

Ju mund të zgjidhnit edhe tetë miqtë tuaj më të mirë që të shfaqeshin në faqe. Në vitin 2005, Myspace u ble për 408 milionë paund. Megjithatë nuk arriti të ishte në të njëjtat hapa me Facebook dhe ngadalë u zhduk në background-in e rrjeteve sociale. Përveç Myspace, njerëzit pëlqenin shumë edhe MSN Messenger.

Pas një dite të lodhshme në shkollë, ju nxitonit për të shkuar në shtëpi për të folur online me të njëjtët njerëz me të cilët kishit kaluar gjithë ditën.

Në vitin 2004 u lançua edhe Skype. Njerëzit u befasuan nga ideja e videothirrjeve me njëri-tjetrin.

Muzika

iPod-i i parë mini doli në treg në vitin 2004. Ai ishte në ngjyra të ndryshme. iPod mund të mbante rreth 15 mijë këngë, por ndryshe nga iPhone, nuk kishte akses në internet apo ndonjë gjë të ngjashme. Nëse donit të kalonit muzikë në iPod, ju mund ta bënit këtë nëpërmjet iTunes. Libraria muzikore e Apple u lançua në vitin 2001, kurse në vitin 2004 Apple prezantoi në Europë “iTunes store”. Në fund të vitit, u blenë 70 milionë këngë duke përdorur iTunes.

Edhe Coca-Cola vendosi të përfshihej në këtë industri. Ata krijuan “mycokemusic” download store në vitin 2004. Megjithatë, ai nuk pati sukses dhe u mbyll 2 vite më vonë.

Telefonat celularë

Në vitin 2004, fanatikët e teknologjisë përdornin Motorola RAZR flip phone. Telefoni ishte i hollë, ju mund të dëgjonit muzikë në formatin MP3 dhe madje të bënit edhe ndonjë foto. Por nëse ju nuk mund ta blinit një Motorola RAZR flip phone, me siguri ishit duke luajtur “Snake” te Nokia 3310, në bardhezi.

Konsol dhe lojëra

Në vitin 2004 pamë për herë të parë edhe PSP – Playstation Portable. PSP ishte një konsol portabël me grafikë revolucionare. Nintendo u përball me Nintendo DS, e cila kishte edhe një pen-pad bashkëngjitur. Po në atë kohë doli edhe The Sims 2. Loja e FIFA Football 2005 ishte e fundit e FIFA-s, e cila u shit për konsolën Playstation 1.

Burimi: BBC