Autoritetet qeveritare maqedonase të martën ngritën përmes një ceremonie, flamurin e NATO-s para selisë së qeverisë në Shkup, në shenjë të anëtarësimit të pritshëm të Maqedonisë së Veriut në Aleancë. Kryeministri Zoran Zaev tha se anëtarësimi në NATO është zgjidhja më e mirë për vetë Maqedoninë e Veriut dhe për të gjithë rajonin, për qëndrueshmërinë dhe marrëdhiniet e mira në Ballkan. Ndërkohë, Shkupi po përgatitet për hyrjen në fuqi të emrit të ri Republika e Maqedonisë së Veriut.
Flamuri i Aleancës më të fuqishme ushtarake dhe politike u ngrit të marten para selisë së qeverisë në Shkup, përmes një ceremonie ku morën pjesë diplomatë e politikanë dhe personalitete të shquara të vendit. Flamurin, Kyeministit Zoran Zaev ia dorëzoi shefi i Zyrës së Natos në Shkup, Zoran Jankoviç dhe ky flamur do të qëndrojë tash e tutje në shtizë para qeverisë së bashku me flamurin shtetëror dhe atë të Bashkimit Evropian.
Autoritet në këtë mënyrë po bëjnë përgatitjet për ta vënë në fuqi Marrëveshjen e Prespës që i dha fund problemit pothuaj se tre dekadash me Greqinë fqinje lidhur me emrin Maqedoni. Tabela ku shkruhej Qeveria e Republikës së Maqedonisë është hequr dhe po pritet të vendoset tabela e re me emin e ri Republika e Maqedonisë së Veriut. Kjo duhet të bëhet në maqedonisht, shqip dhe anglisht, sipas ligjit për përdorimin e gjuhëve, që hyri në fuqi para disa ditësh.
Kryeministri Zaev tha se po shkruhet një faqe e re e historisë me një të ardhme më të sigurtë. Me politikën paqedashëse do të dëshmohet se anëtarësimi në NATO është zgjidhja më e mirë për qëndrueshmërinë e vendit dhe për qëndrueshmërinë e të gjithë rajonit, tha ai.
“Maqedonia e Veriut nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveç marrëdhënieve të mira politike, kulturore dhe ekonomike. Ballkani nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveç bashkëpunimit dhe zhvillimit. Ndërtimi i miqësisë mbetet përparësia jonë numër një në politikën e jashtme, që gjithmonë buron nga stabiliteti dhe marrëdhëniet e mira brenda vendit”, tha zoti Zaev duke shtuar se “nuk ka vend për eufori. Na pret një punë serioze shumëvjeçare në zbatimin e reformave”.
Ai falënderoi në veçanti Kryeministrin e Republikës së Greqisë, “mikun tim”, – siç tha – Alexis Tsipras për vizionin dhe guximin që të përcaktohemi fort për të gjetur një zgjidhje për një problem, sipas shumëkujt – të pazgjidhshëm!”. Ai e quajti Marrëveshjen e Prespës një zgjidhje e cila do të jetë shembull dhe nxitje për marrëveshje kompromisi midis fqinjëve në Ballkan.
“Kjo do ta fshijë kujtesën e keqe për Ballkanin që ende ekziston në vetëdijen e shumë evropianëve. Anëtarësimi në BE nuk është synimi ynë i fundit, por evropianizimi i vendit tonë që paraqet një proces shumë më të gjatë nga realizimi i anëtarësimit”, u shpreh kryeministri maqedonas.
Në ceremoni nuk morën pjesë përfaqësues të VMRO-DPMNE-së opozitare, as presidenti i Maqedonisë së Veriut, Gjorgje Ivanov. Nga zyra e këtij të fundit thanë se ftesa atij i kishte arritur pasi kishte përfunduar ceremonia. Por këtë e përgënjeshtruan zyrtarët qeveritarë.
Të martën Sllovenia e ratifikoi Protokollin për anëtarësimin e Shkupit në NATO, të premten e kaluar e bëri Greqia, ndërsa të enjten pritet ta ratifikojë Kuvendi i Shqipërisë. Maqedonia e Veriut do të jetë vendi i tridhjetë anëtar i Aleancës Veriatlantike të NATO-s, pasi Protokollin ta kenë ratifikuar parlamentet e të gjitha 29 vendeve anëtare, një proces që mendohet se do të zgjasë një vit.