Populli shqiptar i shtyrë nga vuajtjet e reprezaljet që përjetojë nga serbo-sllavët, ju desht të marrin rrugët e mërgimit, të kërkojë shpëtim në shumë vende të Europës e të botës së civilizuar, deri në Amerikë e Kanada, si dhe deri në Australi e Zelanden e Re. Kjo pjesë shqiptare e Kosovës, e ndarë fizikisht nga vendlindja, familja e farefisi i vet, të mërzitur e të përmalluar, të vetmen mbështetje të madhe dhe shtyllë mbrojtjeje të fortë e kishte ish-Presidentin e nderuar e të paharruar, dr. Ibrahim Rugova.
Nga shkuarja në Amshim e ish-Presidentit tonë historik Mërgata Shqiptare e Kosovës e kishte afër vetes, në mbrojtje të përhershme, akademikun Nexhat Daci, aqsa kur u largua nga skena politike e Kosovës duhet thënë se Mërgata e saj mbeti disi në mëshirën e Zotit, si të thuash me një fjalë të vetme: Jeto dhe mbijeto si të dish vet.
Edhe pse Mërgata Shqiptare e dha ndër dekada kohe çdo gjë nga vetja e saj për Kosovën dhe Trojet Etnike Shqiptare në Ballkan duke mos kursyer as edhe atë më të shtrenjten – jetën e vet për çlirimin e popullit shqiptar nga pushtuesi shumëshekullor serbo-sllavë, në vend që klasa politike e Kosovës së pasluftës së fundit, e Kosovës së Lirë e të Pavarur, të jenë e të mbeten mirënjohës për kontributet e dhëna prej saj, ndodhen e prapë po ndodhin disa veprime, shmangie e mos vlerësime ndaj Mërgatës sonë. Ende nuk po i mundësojnë ligjërisht e praktikisht ulëse në Kuvendin e Kosovës edhe Mërgatës Shqiptare, deputetët e së cilës do të ishin zëri i Mërgatës në Parlament, do të ishin mbrojtje e Mërgatës Shqiptare të Kosovës. Fatkeqësisht ligjvenësit e Kosovës kanë marrë vendime për të lënë Mërgatën Shqiptare e figura të vlerësuara e të nderuara të saj sa ma larg politikbërjes në Kosovë(!)
Për të argumentuar sa ma mirë, saktësisht e plotësisht këto që po them në qëndrimet ndaj Mërgatës Shqiptare, po sjell dy shembuj:
1.- Regjistrimi i Popullatës, ku Mërgata Shqiptare është jo rezidente (mysafire) në Kosovën tonë të lirë e sovrane.
2.- E Drejta e Votës, për të cilen asnjëherë deri më sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Prishtinës nuk e ka pregaditur terrenin e duhur juridik e praktik për pjesëmarrje në votime të Mërgatës Shqiptare të Kosovës, si të gjithë qytetarët e tjerë. Ende nuk ka klimë politike, as rrugë juridike, as veprime konkrete për të përgaditur terrenin e duhur nga Shteti ynë i Kosovës për të marrë pjesë edhe Mërgata Shqiptare në Zgjedhjet Parlamentare e Lokale, të rradhës apo të parakohshme, në selitë e ambasadave e konsullatave të Kosovës, që tashti i kemi pothuaj në të gjitha shtetet euro-atlantike të Europës, etj.
Them se duke e parë që Mërgata Shqiptare ka mbetur pothuaj në mëshirën e Zotit nga shteti i vet amësor i Kosovës dhe çdo ditë e vit kohor po anashkalohet pjesëmarrja, roli, pesha, lidhjet e kontributet e saj në jetën e zhvillimet aktuale e perspektive të Kosovës, akademiku ynë Nexhat Daci, ia lenë amanet për së gjalli, djalit të tij, Arianit, që të mos e harrojnë kontributin e Mërgatës Shqiptare për Kosovën dhe sa herë t’i krijohet mundësia e t’i jepet rasti të jetë në mbrojtje të saj.
Djali i tij, Ariani, duke i marrë seriozisht këshillat atnore, përvojën jetësore,politike e akademike të të atit të tij, angazhohet si i ri në politikën e Kosovës, jep kontributet e tij, krijon profilin e vet politik, lartëson emrin e vet dhe shpreh dëshirën e tij të kushtëzuar që të merret me Mërgatën Shqiptare. Ndaj, politika e Kosovës, Qeveria e saj, duke ia parë aftësitë e mundësitë, karieren e përkushtimet e tij, e emërojnë Arian Dacin në detyrën e Zëvendës/Ministrit të Diasporës të Kosovës prej vitit 2017 e deri në shkurtin e sivjetëm kur një ortek ia rrëmbeu papritur e parakohe jetën 40 vjeçare gjatë skijimit në Brezovicë të Kosovës.
Arian Daci për sa kohë ishte në detyrën e Zëvendës/Ministrit për Diasporë ka punuar mirë e shumë, në çdo ditë e në të gjitha drejtimet, drejtpërdrejt e me realizime e kontribute të njohura edhe në politikat e Mërgatës, edhe për kulturën, arsimin, bizneset e Mërgatës së Kosovës, sepse donte me ia çue në vend dëshirat, kërkesat e këshillat e babës së tij, akademikut Nexhat Daci, i cili ka qënë një nga politikat e lartë të Kosovës. Vlerësimet e nderimet për kontributet e vlerat e larta të politikanit të ri të Kosovës, zëvëndësministrit të përkushtuar, qytetarit bashkëkohor, intelektualit shumëdimensional, Arian Daci, kanë qënë të pranishme e të dukshme edhe gjatë gjithë karierës së tij politike, çka u dëshmuan publikisht edhe në masmedia shqiptare edhe në këta dy muajt e parë të vitit 2019 nga personalitete të Kosovës, Shqipërisë, Mërgatës Shqiptare, etj.
Arian Daci, jo vetëm që shkoi në Amshim në një moshë të re, në kohën e një karriere politike në ngritje për mirë, kur po ecte në rrugën e të atit e në lartësi politike të kohës, kur po krijonte emrin shpejt, mirë e lartësisht profilin e tij politik në Kosovë e Mërgatën e saj në Europë e në Botë, por ikja e tij e parakohshme dhe e dhimbshme ishte një humbje e ndjeshme kombëtare, politike, kulturore, etj. Mungesën e Arianit e ndjejnë familja e tij e nderuar dhe e pikëlluar, farefisnia e tij, miqtë e shokët e tij, por mungesën e tij e ndjejnë çdo ditë e më shumë edhe mërgimtarët në Europë e vende të tjera të botës së civilizuar në dy anët e Atlantikut e të Paqësorit.
Mërgata Shqiptare do t’i jetë gjithmonë mirënjohës Zëvendës/Ministrit të Diasporës së Kosovës, z. Arian Daci për kontributet e vlerat e tij ndaj kombit të vet shqiptar, ndaj shtetit të ri të Kosovës, ndaj Mërgatës Shqiptare të Kosovës.
Gjermani, 11 shkurt 2019